Editoriali:Partia e Jahtit

  • 03 May 2018 - 17:07
Editoriali:Partia e Jahtit

Grupi i Deputetëve të Pavarur, ashtu siç pritej, paralajmëruan formimin e partisë së re, duke dalë edhe me një platformë. Por, e tëra kjo është një lojë mashtruese e grupit të Shpend Ahmetit, gjoja se janë duke sjellë një frymë të re politike. Nëse vërtet deputetët që dezertuan nga radhët e Lëvizjes "Vetëvendosje" do ta kishin synuar subjektin e ri të papërlyer, progresist, demokratik, në të mirë të qytetarëve,atëherë së pari është dashur të dorëzojnë mandatet që i vodhën në emër të ish-subjektit të tyre që shihej si alternativë e vetme qeveritare. Dorëzimin e mandatit duhej ta bënte edhe Shpend Ahmeti, kryetari i inkriminuar i Prishtinës, i cili e zbuloi në jahtin e Devollëve, vitin e kaluar, misionin e tij në politikën kosovare. Sidoqoftë, këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë prurje të re apo befasi të këndshme në skenën politike, por thjesht një skemë mafioze, e dirigjuar nga oligarkët e pushtetit dhe të biznesit, ata që kanë monopolizuar gjithçka në Republikën tonë. Deputetët e kësaj partie të re, që me gjasë edhe emrin do t'ia përvetësojë një partie të vjetër, janë thjesht derivat i politikës së degraduar. Ata përfaqësojnë klanin "Coca Cola Zero" dhe do të shfrytëzojnë fuqinë e tyre parlamentare apo në kryeqendër për të bërë biznese të pista. Javëve e muajve të ardhshëm askush mos të befasohet kur të shohë trafikim votash në Kuvend, trafikim lejesh ndërtimi në Prishtinë, partneritet me Qeverinë e kapur, etj. Të gjitha ato dukuri negative që deputetët e GPD-së i kundërshtuan ashpër në radhët e "Vetëvendosjes", shumë shpejt do të përqafohen fort prej tyre. Krerët e këtij grupi janë të specializuar në mashtrimin e opinionit publik dhe zhvatjen e institucioneve, për të mbushur xhepat e tyre dhe oligarkëve, të cilëve u shërbejnë besnikërisht. VV-ja u shërbeu si trampolinë, por ballafaqimi i ardhshëm në zgjedhje, sigurisht se do të jetë një debakël i madh. Përderisa drejtësia është në gjumë, duhet pritur vetëm ndëshkimi elektoral!

 

(Kosova Sot)