Editoriali:Liria e kërcënuar e shtypit

  • 04 May 2018 - 17:10
Editoriali:Liria e kërcënuar e shtypit

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit e ka gjetur Kosovën në një situatë tepër të rëndë, ku mediet e pakta të lira që kanë mbetur përballen me mbijetesën e vështirë në regjimin jodemokratik. Reporterët pa Kufij e kanë listuar këtë vit Kosovën në vendin 78-të, sa i përket lirisë së shtypit, ndërsa është theksuar se ndikimi politik dhe mungesa e sigurisë së gazetarëve kanë bërë që Kosova të jetë në mesin e vendeve me probleme. Një vend nuk mund të jetë demokratik, nëse nuk ka medie të lira e të pavarura. Liria e shprehjes është thelbësore për demokracitë moderne, por në Kosovë pushteti ka gllabëruar shumicën e medieve, duke imponuar propagandën mashtruese. Kapja e shtetit ka qenë vrastare për mediumet që luftojnë për të vërtetën. Nga ana tjetër, liria e shtypit është thuajse e pamundshme pa lirinë ekonomike. Edhe pse sundimtarët e Kosovës nuk shquhen për inteligjencë, e kanë kuptuar se duke e futur biznesin nën kontroll, lehtësisht i dirigjojnë edhe politikat editoriale të pjesës dërrmuese të medieve. Kaq e nderë është situata sot, saqë pronarë televizionesh, portalesh, drejtorë e kryeredaktorë, mburren publikisht se janë të lidhur si mishi me thoin, me liderët, të cilëve u janë bërë vasalë medialë. Për një media që vazhdon të mbrojë të vërtetën, duke mos rënë pre e shantazheve dhe duke mos pranuar asnjë lloj kompromisi me pushtetin apo grupet joformale, ekzistenca në treg bëhet gjithnjë e më e zorshme. Megjithatë, nëse kjo sakrificë nuk do të bëhej, Kosova sot do t'i ngjante një vendi monist si Koreja e Veriut. Sa më i korruptuar pushteti, aq më e vështirë mbajtja e një politike editoriale objektive. Shtypi i lirë, në vend që të konsiderohej si pasuri e shoqërisë, shtetit dhe demokracisë, në Kosovë shihet nga oligarkët sidomos si kërcënim për luksin e tyre korruptiv. Kjo tregon se çfarë lirie shtypi kemi në fakt dhe sa shumë që duhet të luftojmë, për ta mbrojtur të vërtetën. Ashtu si lirinë e medieve, pushtetarët autoritarë synojnë të zhbëjnë çdo liri tjetër në këtë vend!

 

(Kosova Sot)