Editoriali:Shteti në bankrot, këta bëjnë tryeza! - Editoriali - Kosova Sot
°C
Editoriali:Shteti në bankrot, këta bëjnë tryeza!

Editoriali:Shteti në bankrot, këta bëjnë tryeza!

Partitë dolën me deklarata mbresëlënëse pas tryezës së dytë, e cila ishte thirrur nga PDKja, duke u zotuar se janë në rrugën e arritjes së pajtimit për temat e mëdha, ku përfaqë- suesit politikë përmendën Asociacionin, integrimet evropiane, Ushtrinë, dialogun me Serbinë etj. Thuajse të gjitha temat, për të cilat u bë fjalë në tryezën e djeshme, kryesisht nuk varen fare nga faktori politik kosovar, por janë projekte që u serviren institucioneve tona dhe këto të fundit vetëm i miratojnë. Pra, konsensusi, për të cilën flasin politikanët tanë, është më tepër ikje nga përgjegjësia për vendimmarrje në interes të shtetit, sesa një pajtim për të mirën nacionale. Opozitës nuk i intereson të marrë përsipër fatura si ajo e 'Zajednicës' apo dialogut, ndërsa pushtetit i nevojitet një front i zbutur opozitar për të ecur me vrull drejt koncesioneve të reja, me pasoja afatgjata për stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës sonë. Nëse këto tryeza vërtet do të synonin një konsensus të rëndësishëm, atëherë fare thjesht partitë kosovare mund t'i identifikojnë prioritetet dhe temat që vërtet janë të mëdha. Le t'ia nisin nga VETTING-u në sistemin e drejtësisë, le ta bëjnë Ligjin për dekriminalizimin në institucione, le ta miratojnë Ligjin anti-mafia, le ta verifikojnë origjinën e pasurisë së secilit pushtetar e ish-pushtetar, politikan e ish-politikan, zyrtar e ish-zyrtar, që me rroga modeste shteti jetojnë si sheikët! Por, cila parti e ka kurajën që ta bëjë një gjë të tillë?! Fatkeqësisht asnjëra nuk është e gatshme të iniciojë diçka në këtë drejtim, të sakrifikojë diçka në këtë aspekt, sepse që të gjitha janë të komprometuara në sistemin kriminal shtetëror, në këtë zinxhir të trashë e të gjatë korrupsioni, në këtë klientelë mafioze, që e ka kapur si me dara shtetin dhe nuk e ka ndërmend ta lëshojë. Tryezat partiake janë për t'i hedhur hi syve të opinionit publik, në një kohë kur shteti është buzë bankrotimit, kompanitë publike de-fakto kanë falimentuar, ndërsa administrata shtetërore është në anarki totale. Kjo është Republika e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Ramush Haradinajt, Fatmir Limajt, Albin Kurtit, Shpend Ahmetit dhe klaneve që përfaqësojnë secili prej tyre! 

 

(Kosova Sot)

22 orë e 31 minuta më parë
17/08/18