Editoriali: Shpërdorimi i votës meriton ndëshkimin - Editoriali - Kosova Sot
°C
Editoriali: Shpërdorimi i votës meriton ndëshkimin

Editoriali: Shpërdorimi i votës meriton ndëshkimin

Kur ende nuk është bërë një vit nga mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme, qytetarët mund të bëjnë një vlerësim se sa ia ka vlejtur vota e tyre për këta që po na qeverisin sot. Të gjithë së bashku na premtuan zhvillim të hovshëm, punësim, mirëqenie, investime të huaja, por këta muaj të qeverisë më megallomane në historinë e Kosovës, dëshmuan se asnjë zotim elektoral nuk është i realizueshëm nga ky ekzekutiv dhe kjo legjislaturë e stërkequr. Të gjithëve u kujtohet se si liderët, që sot janë në pushtet, premtonin rrogë mesatare 1 mijë euro, por sot edhe ata që e kanë pasur rrezikohen të mos e kenë më, sepse ka paralajmërime për shkurtime. Të papunët e mbajnë mend fare mirë se me çfarë shifrash të fryra flisnin politikanët në fushatën zgjedhore sa i përket hapjes së vendeve të reja të punës. E vërteta është e hidhur, sepse papunësia jo vetëm që nuk po zbutet, por është duke u rritur, sepse sipërmarrja e lirë private, po përballet me një krizë të thellë në kushtet e një ekonomia të monopolizuar nga oligarkët. I vetmi premtim që po mbahet nga pushtetarët është ai që ia bëjnë gjithnjë vetes, se do të punojnë për t'i mbushur xhepat e klientelës së vet, duke zhvatur pasurinë publike dhe buxhetin e shtetit. Se sa skandaloze dhe me baze kriminale është kjo mënyrë e shpërdorimit të votës tregon edhe dezertimi i gjysmës së deputetëve të 'Vetëvendosjes', një subjekt që shihej gabimisht si kinse një alternativë karshi blloqeve të tjera të konsumuara e të inkriminuara në pushtet. Deputetët që formuan një parti të re vodhën besimin e votuesve e tash e kanë vënë atë në tryezën e pazareve e trafikimeve nga më të pistat. Socialdemokracia e Shpend Ahmetit është mashtrimi më i keq që mund të bëhet nga një grusht bashibozuk i politikës dhe i shoqërisë civile me para, të cilët qëllimin e vetëm e kanë të pasurohen të mbështetur nga krimi i organizuar , duke kapërcyer nga një parti në tjetrën. Qytetarët duhet të mos i harrojnë premtimet mashtruese, sepse shpejt vjen dita kur politikanët u përgjërohen për vota ose ua blejnë ato, por atëherë ata meritojnë të ndëshkohen, si kurrë më parë!

(Kosova Sot)

22 orë e 31 minuta më parë
17/08/18