Editoriali:Plaçkitja në kufi dhe milionat në xhepat e oligarkëve - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Plaçkitja në kufi dhe milionat në xhepat e oligarkëve

Editoriali:Plaçkitja në kufi dhe milionat në xhepat e oligarkëve

Debati parlamentar për pagesat e policave kufitare ka rinxjerrë në pah fakte tronditëse për mënyrën se si ka funksionuar deri tash ky biznes i kompanive të sigurimit dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve, e cila drejtohet nga vëllai i presidentit aktual. Kur sheh shifrat, për tërë këto vite, që Kosova mbetet jashtë Kartonit të Gjelbër, nuk është e vështirë të gjesh arsyen kryesore se pse lejohet edhe më tutje plaçka e kompanive të sigurimeve në kufi. 200 milionë është vlera e pagesave, që janë bërë nga mërgimtarët tanë, të cilët edhe pse kanë polica sigurimi për tërë Evropën, gjithnjë në kufi, para se të hyjnë në Kosovë, i janë nënshtruar edhe një pagese shtese. 120 milionë euro është vlera e përfitimeve të kësaj industrie të sigurimeve, e cila nuk ka pasur se si t'u shpëtonte kthetrave të mafio-oligarkëve. Duke e ditur se milionat vijnë pa u lodhur, shteti i kriminalizuar e ka lejuar këtë hajni të hapur për tërë këtë periudhë. Është dëmtuar diaspora jonë, secilës i kemi kaq shumë borxh, ndërsa dëmet janë edhe te qytetarët kosovarë, të cilët në pamundësi për të shfrytëzuar kartonin e gjelbër është dashur të paguajnë shumëfish më shtrenjtë për të udhëtuar jashtë vendit. Mafio-politika i kishte kapur herët mekanizmat dhe institucionet kryesore dhe e lejoi vetë këtë zhvatje të jashtëzakonshme. Banka Qendrore dhe Byroja e Sigurimeve zbatuan skemën zhvatëse, ndërsa vetëm 19 vjet pas luftës u hap më në fund debati në Kuvend. Shifrat reale mund të jenë edhe më të mëdha, ndërsa zyrtarisht nuk dihet se ku kanë përfunduar gjithë këta miliona, edhe pse merret lehtësisht me mend se pushtetarët e të gjitha partive kanë qenë në mesin e përfituesve. Po të kishim një prokurori të hairit, ky skenar plaçkitës do të hetohej dhe përgjegjësit do të ballafaqoheshin me forcën e ligjit, por në këtë vend drejtësia mbetet një fjalë pa vlerë, për fat të keq!

 

(Kosova Sot)

13 orë e 42 minuta më parë
14/11/18