Editoiali:Pingpongu kosovar me korrupsionin endemik - Editoriali - Kosova Sot
Editoiali:Pingpongu kosovar me korrupsionin endemik

Editoiali:Pingpongu kosovar me korrupsionin endemik

Një interpelancë e kryeministrit, e kërkuar nga opozita, ka rikthyer në Kuvend debatin për korrupsionin, por pa gjetur as kësaj radhe çelësin e suksesit në këtë sfidë të patejkaluar për Republikën tonë. Në dekadën e parë të Pavarësisë, organizatat prestigjioze ndërkombëtare e rendisin shtetin e Kosovës në mesin e vendeve më të korruptuara. Perceptimi publik është thelluar në raport me qeverinë, duke e konsideruar këtë të fundit si gjithnjë e më shumë të korruptuar dhe jotransparente. Kryeministri u përpoq dje që të justifikohej para deputetëve, që kërkuan edhe dorëheqjen e tij, por në fakt argumentet nuk janë në anën e ekzekutivit dhe kreut të saj. Së pari, disa ministra janë të përfshirë në procese gjyqësore, me aktakuza për korrupsion e keqpërdorim dhe, pavarë- sisht se nuk janë shpallur fajtorë për veprat që u ngarkohen, në një vend normal demokratik, nuk mund të ishin edhe më tutje ministra. Kryeministri ka dështuar të shkarkojë qeveritarët e akuzuar, prandaj kjo e bën atë bashkëpërgjegjës. Së dyti, veprimet dhe vendimet e qeverisë nuk janë as të arsyetuara e as transparente, çka lë të kuptosh se aferat korruptive janë tepër të mundshme dhe me siguri edhe kanë ndodhur në disa raste. Për shembull qeveria i paguan kompanisë "Bechtel&Enka" 53 milionë, edhe pse shteti paguan një kompani konsulente për aspektet juridike të kontratës, e cila nuk është pyetur fare me sa duket. Raste të ngjashme kemi pasur edhe më herët, kur i pari i ekzekutivit. i pyetur se pse u falën miliona euro për kompanitë e ujit, u mjaftua me shprehjen "m'u ka tekë". Por, problem është se tekat e qeveritarëve tanë të korruptuar po i kushtojnë shtrenjtë vendit. Një qeveri e cila mbetet në shërbim të oligarkëve, mbrojtëse e monopoleve, nënshkruese e kontratave të dëmshme, mbështetëse e ligjeve me pasoja financiare të rënda, është e destinuar për të qenë e inkriminuar. Sidoqoftë, përderisa drejtësia bën sehir, korrupsioni do të lulëzojë gjithnjë e më fort!

(Kosova Sot)
 

5 orë e 28 minuta më parë
17/08/18