Çlirimi i dytë - Editoriali - Kosova Sot
Çlirimi i dytë

Çlirimi i dytë

Sundimi në Kosovën e pasluftës është ashpërsuar aq shumë, saqë edhe përvjetorëve të rëndësishëm po u bie vlera. Kjo është koha kur na kujtohen ditët e para të përfundimit të luftës dhe largimit të forcave militare dhe paramilitare të Serbisë fashiste. Mbi një milion shqiptarë të dëbuar nga vatrat e tyre u kthyen në atdhe, me shpresën se pasi u shuan flakët e luftës do të ndizet dëshira për jetë dhe zhvillim, do të hapen mundësitë në vendin tashmë të lirë nga regjimi i Milosheviqit. Por, gjërat nuk rrodhën ashtu siç shpresonin dhe mendonin shumica e njerëzve. Edhe pse vitet e para kishte një entuziazëm të përgjithshëm, dalëngadalë filloi të bëhej e qartë se diçka nuk ishte në rregull. Pavarësia ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore për liri e pavarësi, por në anën tjetër e legalizoi në krye të shtetit sundimin e oligarkëve. Sot, publiku habitet kur i sheh deklaratat e pasurisë së politikanëve që keqqeverisin tashmë dy dekada. Të gjithë janë bërë milionerë. I kanë të gjitha, pushtet dhe biznes, para dhe prona, vetura e shtëpi luksoze. Jeta e tyre krahasohet me sheikët e botës arabe. Nuk duhet të jesh as prokuror, as polic hetues, që të kuptosh se për pjesën dërrmuese të pushtetarëve, pasuritë e tyre dhe familjarëve janë të pajustifikueshme. Edhe pse i kanë dyfishuar rrogat, prapëseprapë nuk mund të bëhesh milioner me pagë shteti. Sot, pas 19 vjetësh shënojmë çlirimin, por njëkohësisht përjetojmë sundimin. Në prag të përmbylljes së dekadës së dytë në liri, Kosova ka nevojë të jashtëzakonshme të përjetojë edhe një çlirim tjetër, të dytin. Ne u çliruam nga zgjedha serbe, por u robëruam nga oligarkët kosovarë. Ka ardhur koha për t'i thënë stop një regjimi të tillë jodemokratik dhe abuziv. Sa më parë që e kuptojnë qytetarët rëndësinë që ka aktivizimi i tyre, aq më mirë do të jetë për mbarë shoqërinë. Do të jetë mirë edhe për vetë partitë e sundimtarëve, të cilat do të reformoheshin, pasi janë inkriminuar deri në fyt!

(Kosova Sot)

5 orë e 30 minuta më parë
17/08/18