Presidenti i vetmuar

  • 26 June 2018 - 17:06
Presidenti i vetmuar
Një fotografi nga takimi i së dielës, Thaçi-Vuçiq, flet më shumë se çdo gjë tjetër. Nuk është hera e parë që presidenti i Kosovës merr pjesë në takime të nivelit të lartë, pa asnjë letër përpara, ndërsa homologu i tij duket shumë më i përgatitur për atë se çka është duke kërkuar në këtë dialog. Edhe vetë pamjet flasin se Serbia po këmbëngul që të marrë sërish diçka nga Kosova, ndërsa kreu i shtetit tonë, me sharlatanizmin e tij, po dëshmon se nuk e ka problem të bëjë lëshime të reja, mjafton që të shfaqet sërish si protagonist që ka guximin të bëjë kompromise, edhe pse mbi kurrizin e qytetarëve të Kosovës. Ky joseriozitet nga ana e politikës sonë e ka karakterizuar dialogun prej fillimit të tij dhe kjo vlen edhe për periudhën para pavarësisë. Zyrtarët tanë gjithnjë kanë shkuar me duar në xhepa, ndërsa kanë nxituar të nënshkruajnë dokumentet që u janë servirur mbi tryezën e dialogut. Nuk është e rastësishme që nuk ekziston asnjë dokument në zyrat e qeverisë kosovare se çka kanë biseduar delegacioni ynë me palën serbe në Bruksel, që nga fillimi i bisedimeve. Shumica e marrëveshjeve nuk zbatohen fare, ndërsa tash në fazën përmbyllëse shtetit tonë i kërkohet të hyjë në aranzhmane të reja, të cilat mund të kenë pasoja të paparashikueshme. Por, përtej historisë së deritashme të dialogut me Serbinë, ajo që mbetet shqetësuese është mungesa e një uniteti politik të brendshëm. Pas Lëvizjes "Vetëvendosje", edhe Lidhja Demokratike e ka kundërshtuar dialogun pa miratimin e Kuvendit, duke ia bërë të qartë presidentit se është i vetëm në këtë aksion të ri politik të tij. Aktualisht, kreu i Republikës e ka mbështetjen vetëm të ish-partisë së tij dhe partisë së kryeministrit. Të gjitha subjektet e tjera, që përbëjnë edhe shumicën e deputetëve shqiptarë në Parlament, janë kundër negociatave të udhëhequra në këtë formë nga Thaçi. Nëse ky proces vazhdon kështu, njëanshëm dhe i vetmuar, rezultatet sigurisht do të jenë negative.

(Kosova Sot)