Editoriali:Konkurrenca e pandershme

  • 18 July 2018 - 17:22
Editoriali:Konkurrenca e pandershme

Qeveria mori dje disa masa për të mbrojtur prodhuesin vendor, ndërsa nxitoi të mburret para qytetarëve se është duke i mbrojtur prodhimet dhe prodhuesit kosovarë. Masat mbrojtëse janë të mirëseardhura, por nuk duhet harruar se jo vetëm kjo qeveri, por asnjëra deri më tash nuk i ka mbrojtur dhe nuk i ka mbështetur prodhuesit vendorë, të cilët vazhdojnë të përballen me shumë sfida dhe mezi mbijetojnë. Shumë prej tyre kanë falimentuar për shkak të konkurrencës së pandershme, ndërsa disa të tjerë e kanë zhvendosur biznesin në vende fqinje, ku edhe kanë gjetur ambient më të favorshëm për ta zhvilluar aktivitetin e tyre. Masat, për të cilat flet Qeveria, kanë kuptim kur së pari zbatohen dhe jo siç ka ndodhur me rastin e produkteve të qumështit të importuar nga Bosnja. Edhe pse një vendim kufizues në import është marrë nga Qeveria, Dogana as që e ka përfillur atë. Të shohim nëse prej dje do të ketë efekt mbledhja e Qeverisë. Sipërmarrjes prodhuese vendore i nevojitet mbështetje konkrete e jo vendime formale që nuk i zbaton askush. Nga ana tjetër, shteti duhet të krijojë një ambient dukshëm më motivues për investime në prodhimtari. Të dhënat edhe nën këtë qeverisje tregojnë se deficiti tregtar është thelluar. Tregu kosovar është i vërshuar nga gjithfarë produktesh, ndërsa kapacitetet prodhuese të shumicës së kompanive janë të kufizuara. Politikat ekonomike të qeverive kosovare kanë dështuar, sepse qëllimi kryesor i tyre ka qenë vetëm mbushja e xhepave të oligarkëve. Edhe në rastet kur është marrë ndonjë vendim, është favorizuar ndonjë kompani, pas së cilës qëndrojnë pushtetarët. Kësisoj, politika i ka cenuar rëndë konkurrencën e ndershme dhe tregun e lirë, ndërsa ka favorizuar gjithnjë monopolet e kundërligjshme dhe antikushtetuese. Duke vepruar kështu, për prodhuesit është bërë gjithnjë e më e zorshme të afarojnë, të zgjerojnë kapacitetet prodhuese, sepse produktet e tyre nuk kanë pasur asnjëherë siguri në treg. Krimi ekonomik dhe politik ka bërë që Kosova të jetë oazë e importit, ndërsa eksportet gjithnjë mbesin tepër modes.

 

 

(Kosova Sot)