Editoriali:Statuti që sjell bosnjëzimin - Editoriali - Kosova Sot
Editoriali:Statuti që sjell bosnjëzimin

Editoriali:Statuti që sjell bosnjëzimin

Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, e nënshkruar në Bruksel mes delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është ndër marrëveshjet më të kontestuara dhe me pasoja afatgjata për vendin tonë. Gjykata Kushtetuese, në interpretimin që e ka bërë më herët, ka konstatuar se kjo marrëveshje nuk është në përputhje me frymën kushtetuese, ndërsa janë disa nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës që preken nga përmbajtja e marrëveshjes. Ndërkohë, hartimi i një statuti për Asociacionin ka mbërritur fazën finale, por askush nga Qeveria kosovare nuk ka informacione për përmbajtjen e tij. Asnjë shqiptar nuk ka qenë i përfshirë në hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm për fatin e Asociacionit dhe për më keq, asnjë nga krerët e institucioneve tona nuk kanë as informatën më të vogël për statutin, që do të prezantohet në Bruksel. Ky lëshim nuk mund të jetë i rastësishëm, por me siguri është pjesë e prapaskenave që i ka bërë presidenti aktual i Kosovës gjatë negociatave të tij të dëmshme me Vuçiqin. Asociacioni, apo siç njihet ndryshe 'Zajednica', përbën një shkelje të hapur të sistemit kushtetues e ligjor, sepse përfaqëson një nivel të tretë pushteti. Asociacioni është dizajnuar në atë mënyrë, që pakicës serbe në Kosovë t'ia mundësojë një autonomi në pushtetin ekzekutiv dhe gjyqësor. Neglizhenca dhe indiferenca qeveritare, me të cilën po përcillet puna rreth statutit të Asociacionit, paralajmëron një fazë të rrezikshme për stabilitetin e vendit. Kësaj situate po i kontribuon negativisht edhe vetë kreu i Republikës së Kosovës, me konferencat e tij të panevojshme dhe me deklarimet për korrigjime kufijsh etj. Me Kushtetutë, serbët gëzojnë të drejta që asnjë vend evropian nuk ua ka garantuar pakicave etnike. Është e çuditshme se me çfarë zelli disa liderë, që janë sot në pushtet, po e duartrokasin një synim të rrezikshëm të Serbisë që përmes Asociacionit të nxisë një bosnjëzim të Kosovës. Koha do të tregojë se këtë e bëjnë vetëm politikanët e shantazhuar që shpresojnë se, duke shitur interesat nacionale, mund t'i shpëtojnë burgut për krimet e tyre. 

 

(Kosova Sot)

20 orë e 34 minuta më parë
19/10/18