Editoriali: Rikthimi në pikën zero

  • 06 September 2018 - 17:03
Editoriali: Rikthimi në pikën zero

Vetëm liderët e kompromentuar, të korruptuar e të shantazhuar, mund ta vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të shtetit të tyre. Vetëm politikanë të kalibrit të Hashim Thaçit&CO mund të hapin tema që të kthejnë disa vjet pas dhe nxisin tensione të panevojshme. Po të kishte ky vend burrështetas, ndryshe do të ishte situata. Por, kur të udhëheqin të padijshmit dhe interesxhinjtë, atëherë nuk mund të presësh rezultate të tjera. Është e kotë që të shpresojmë se me garniturën e njëjtë politike në pushtet mund të vijmë te një përfundim i pranueshëm. Presidenti i Republikës ka hyrë në pazare të ndyra me fqinjin që na e konteston pavarësinë dhe këtë e ka bërë pa pasur asnjë garanci se do të vijë njohja dhe ulësja në OKB. Askush nuk e beson më "shakanë" me Luginën, që gjoja Serbia mund të na e japë, pa marrë asgjë në këmbim. Rrena i ka këmbët e shkurtra, prandaj edhe mashtrimet e Presidentit nuk pinë më ujë. Opinioni publik është i bombarduar me planin destruktiv presidencial, për rihapjen e temës së kufijve me Serbinë, ende pa formalizuar njohjen e pavarë- sisë nga ky shtet. Është lehtësisht e kuptueshme se sa të pabarabarta janë negociatat ku nuk ka njohje të ndërsjellë, por ka vasalitet, servilizëm, nënshtrim dhe kompromise në kurriz të Kosovës. Këtë e ka bërë rregullisht Thaçi, ndërsa ndërkombëtarët kuptohet se nuk kanë arsye që të na mbrojnë gjithnjë. Çfarë mund të thonë Gjermania, Britania e Madhe, Franca, SHBA etj., kur vetë kreu i Republikës këmbëngul në pazare territoriale?! Përderisa politika kosovare mbetet e përçarë dhe e shantazhuar, edhe zgjidhjet si ekipi qeveritar për dialog apo alternativa të tjera mashtruese janë krejt të padobishme. Për sa kohë nuk ka unitet nacional në politikën kosovare, as dialogu nuk do të ketë sukses. Rezultati i vetëm nga dialogimi krye më vete i Presidentit mund të jetë tensionimi i vendit, prandaj ai duhet ndalur.

(Kosova Sot)