Mashtruesit që na udhëheqin - Editoriali - Kosova Sot
Mashtruesit që na udhëheqin

Mashtruesit që na udhëheqin

Një analizë e shoqërisë civile nxori në pah se nga 900 premtime të kryetarëve aktualë të komunave të Kosovës, vetëm 95 prej tyre janë përmbushur. Me këtë trend, deri në fund të mandatit, është e qartë se shumica e zotimeve elektorale do të mbesin në letër, ndërsa qytetarët që besuan në to, me gisht në gojë. Kjo nuk është as hera e parë e as e fundit, që votuesit mashtrohen nga politikanët. Rëndom, një dukuri e tillë ndodh në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare. Partitë premtojnë shumë, por bëjnë fare pak. Kur vijnë në pushtet, premtimet harrohen, ndërsa në plan të parë është zhvatja e organizuar e buxhetit dhe resurseve publike. Pa harruar shantazhin ndaj bizneseve, që ndodh, sidomos në kryeqytet, komunën që udhëhiqet nga një klan tipik mafioz në shërbim të oligarkëve. Ndryshe nuk shpjegohet mashtrimi partiak i kryetarit të Prishtinës, që fitoi nën logon e një subjekti tjetër, ndërsa sot udhëheq partinë e tij, një satelit i pushtetit dhe mafisë politike e biznesore. Monitorimi i realizimit të premtimeve të kryetarëve të komunave duhet t'u shërbejë qytetarëve si një sinjal konkret se si nëpërkëmbet vota e tyre, vullneti për ndryshim, besimi në një qeverisje të pastër dhe efikase. Është vështirë të gjesh qoftë edhe një model të vetëm, për ta marrë si shembull në të gjitha komunat, sidomos ato të mëdhatë, që kanë buxhet më të madh e resurse më të shumta. Politikanët si në nivelin lokal, por edhe atë qendror, mbeten tipikë mashtrues të popullit të lodhur nga regjimi gati dy dekada i partive të njëjta dhe liderëve që kanë lëshuar rrënjë në pushtet. Ngjashëm me kryetarët e komunave kanë mashtruar edhe liderët në pushtetin ekzekutiv. A ju kujtohen qindra mijëra vende të reja pune? A ju kujtohen fondet miliardëshe? A ju kujtohet rroga mesatare njëmijë euro? E plot e plot të tjera. Por, çka kanë bërë pushtetarët? Së parti, ia kanë trefishuar rrogën vetes, pastaj kanë vazhduar traditën e keqe…Zhvatje, zhvatje, zhvatje! Mos u besoni më atyre!

(Kosova Sot)

11 orë e 1 minuta më parë
24/10/18