Shkarkojini të gjithë qeveritarët e akuzuar

  • 23 October 2018 - 17:04
Shkarkojini të gjithë qeveritarët e akuzuar

 Zëvendësministrat janë me dhjetëra, nuk kanë ndonjë kompetencë dhe me një fjalë nuk i pyet kush për asgjë. Si rrjedhojë, duket se kjo kategori zyrtarësh në Qeveri është e parëndësishme, prandaj në ndonjë rast kur zihen në afera korruptive, siç i ka ndodhur një anëtari të partisë së kryeministrit Haradinaj, mund të shkarkohen nëse e kërkojnë rrethanat. Shkarkimi i një qeveritari të dyshuar për aktivitet kriminal është veprim që duhet përshëndetur, por si shpjegohet që ky standard vlen në ndonjë rast shumë të rrallë, siç ishte shembulli i zëvendësministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Musa Cenës?! Kryeministri mund të ketë ushtruar autoritetin e tij më tepër partiak, edhe pse në rastin e dy anëtarëve të tjerë të subjektit që i përket, AAK-së, ai është dëshmuar i pazoti të zbatojë standardin e njëjtë, pra që në Qeveri të mos mbajë ministra e zëvendësministra me aktakuza apo të dyshuar për krime të ndryshme. Dy figurat e AAK-së, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe ai i FSKsë, Rrustem Berisha, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ndërsa zv.kryeministri e ministër i Diasporës, Dardan Gashi, si dhe kolegu i tij, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, akuzohen për posedim të paautorizuar të armëve. Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësish, Besim Beqaj, akuzohet për shkelje të statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës Kosovës. Ndërkaq, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, është akuzuar për konflikt interesi. Që të gjithë këta gjashtë ministra kanë vazhduar punën në Qeverinë e Kosovës, pa u prekur, kurse kryeministri e ka bërë "kokë turku" njërin nga shumë zv.ministrat, plot prej të cilëve nuk ua di as emrin. Kjo tregon se ministrat e "fortë" janë të paprekshëm, kurse ata qeveritarët e "dobët" mund të shkarkohen në çdo moment. Ky është edhe një tregues se sa e kapur është kjo Qeveri, sa kriminale është mënyra se si po udhëhiqet Kosova nga koalicioni i mafio-oligarkëve që vazhdojnë të sundojnë Republikën.

 

(Kosova Sot)