Ngjarje e vërtetë: Heroi im i vogël e mundi leukeminë (1)

  • 01 March 2017 - 15:35
Ngjarje e vërtetë: Heroi im i vogël e mundi leukeminë (1)

Nuk jam prej atyre femrave që kanë nevojë për orë të tëra për t'u rregulluar. Por, atë ditë ishte një rast i veçantë. Megjithatë, nuk qëndrova shumë gjatë në dhomën time vetëm për t'u rregulluar, disi u mbulova nga ndjenjat. - Mami a je më gati? - më pyeti me padurim Gentriti, i biri im nëntëvjeçar. - Pse sot po rregullohesh kaq gjatë? Pas më pak se një ore Gentriti duhej që të bëhej synet dhe unë isha shumë e emocionuar. Ndoshta do të mendoni se secila nënë ndIhet ashtu në një situatë të tillë, por ju bindi që emocionimi im ishte shumë më i madh se i zakonshmi. Kur shkova për t'i marrë rrobat e tij për këtë rast solemn, nuk munda t'i mbaj lotët. Puna është se kam pritur për pesë vite të gjata duke u dridhur nga frika se djali im kurrë nuk do ta përjetonte atë moment. Gentriti i kishte vetëm katër vjet kur filloi që të ndjehet keq. Gjithmonë ishte i shëndetshëm dhe i gjallë, e më pas brenda vetëm disa javëve u bë apatik, humbi oreksin dhe e lodhte madje edhe përpjekja më e vogël. Në fillim nuk u shqetësova fort, sepse isha e bindur se bëhet fjalë për ndonjë grip. Pak kohë para kësaj e kisha lindur fëmijën e dytë, bijën Adelinën, dhe isha pothuajse krejtësisht e zënë duke u kujdesur për të sepse flinte shumë pak. Mendova edhe që Gentriti ndoshta është nga pak xheloz në motrën e tij të vogël dhe se në atë mënyrë po përpiqej që ta tërheqë vëmendjen time. - Ti më shumë e do Adelinën se mua - ankohej nganjëherë. Provoja që ta qetësoj dhe ta bindi se nuk ka të drejtë, duke i sqaruar që të dy i dua njëjtë, vetëm që në këtë periudhë, kur është e vogël dhe e ndjeshme, Adelina ka nevojë për më shumë kujdes sesa ai. Madje edhe kur Gentriti filloi që të zgjohet natën, duke u ankuar nga dhimbjet në eshtra, unë e lodhur nga të qarat e vazhdueshme të Adelinës, i injoroja ato probleme të tij duke i sqaruar vetes, por edhe atij, se bëhet fjalë për të ashtuquajturat dhimbje për shkak të rritjes, të cilat shpesh i mundojnë fëmijët kur rriten më shpejt. Por, një natë Gentriti më detyroi që të përballem me realitetin, dhe atë me një fjali të tij prej së cilës mu ngri gjaku në vena. - Tani kam më shumë nevojë për ty sesa Adelina. Me të vërtetë kam keq nënë - më tha me sy të përlotur. Pas kësaj vendosa që ta dërgoj te pediatri, i cili e kontrolloi me kujdes, e më pas më dha udhëzime për një varg analizash. - A dyshoni në ndonjë gjë serioze doktor? - e pyeta unë e brengosur derisa Gentriti po luante me veturën lodër të tij. - Nuk mund t'ju them asgjë konkrete deri në momentin kur t'i shoh rezultatet zonja Drenushë - më tha i qetë. Ditët e pritjes së rezultateve i kalova e përfshirë nga frika dhe ankthi. Megjithatë, ende e ngushëlloja veten duke thënë se secili fëmijë kohë pas kohe ka probleme shëndetësore, të cilat në shumicën e rasteve nuk janë shenja të sëmundjeve serioze. Pas disa ditësh më telefonoi pediatri dhe më tha që sa më parë të shkoj te ai, sepse i duhej që të bisedojë me mua. Burri im ishte në punë dhe për këtë arsye fëmijët i lashë te nëna ime dhe shkova shpejt në ambulancë. Për fat të keq, në bazë të tonit të zërit të tij e kisha të qartë që nuk guxoj të humbas kohë. - Dyshoj që biri juaj ka leukeminë - më tha mjeku pa i rënë përreth. - Fëmija duhet që sa më shpejtë të dërgohet në spital për shërim, mundësisht qysh nesër. Mos humbni kohë. E di që kjo është një goditje e rëndë zonjë, por është shumë e rëndësishme që të jeni e qetë dhe e guximshme dhe që shqetësimin tuaj të mos e kaloni te fëmija. Për shkak të tij duhet të jeni më optimiste dhe të keni besim që e tërë kjo do të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundur. Kjo do t'i ndihmojë më shumë se të gjitha terapitë. Kur dola nga ambulanca, mu duk se nuk mund të qëndroja në këmbë sepse më dridheshin shumë. Nuk munda të shkoj t'i marr fëmijët në atë gjendje dhe shkova te motra ime për të qarë. Kur u qetësova, i telefonova burrit dhe i thashë që të shkojë t'i marrë fëmijët. Atë mbrëmje i treguam Gentritit se duhet që t'i përgatisim gjërat e tij në një valixhe të vogël, sepse të nesërmen do ta dërgonim në spital. Provuam që të jemi sa më të qetë dhe t'i sqarojmë se bëhet fjalë vetëm për disa kontrollime, por ai nuk u mashtrua. - Jam shumë i sëmurë, apo jo mami?- më pyeti, duke na lënë pa fjalë me mendimin e tij të kthjellët. /Vijon/

(Kosova Sot)