Ceken e njihni si mjeshtre të gatimit, por profesioni i saj është krejt dicka tjetër

  • 21 March 2016 - 14:16
Ceken e njihni si mjeshtre të gatimit, por profesioni i saj është krejt dicka tjetër

Fikrije Ukelli-Ceka, kuzhinierja e njohur,  qysh moti ka filluar të interesohet për gatimet. Fillimisht duke mbledhur receta të ndryshme nga familjare, mike e kolege e gjithashtu duke marrë të reja gjatë udhëtimeve të shumta me bashkëshortin. E sot është autore e dy librave “1000 receta”, dhe “Receta me gatime tradicionale”, e shkruar me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Në një intervistë për Kolona.al, ajo ka folur për pasionin që ka për artin e gatimit. E veç kësaj, Ceka, këtë nofkë që ia la ‘bakshish’ e bija kur ishte e vogël, ka rrëfyer për familjen, pasionet, udhëtimet e shpeshta jashtë shtetit dhe zotësinë e saj në qëndisje.

Ceka, si dhe kur filluat mbledhjen e recetave?

Recetat kam filluar t’i mbledhë dhe t’i gatuaj që nga viti 1960, që kur jam martuar dhe përpos obligimeve të tjera, ka qenë shumë i rëndësishëm edhe gatimi për familjen. Nga nëna dhe gjyshja kanë qenë recetat e mia të para të regjistruara në kokë, e pastaj edhe të shkruara.Meqë gatimi më ka interesuar, unë kam filluar të mbledh receta nga familjarët, koleget e punës, revista të ndryshme, por edhe nga udhëtimet e shumta me bashkëshortin tim., raporton kolona.al

Si ndodhi që ju të filloni me këtë art të gatimit?

Arti më ka tërhequr çdoherë. Atë jam përpjekur ta shpreh në ambientin përreth, meqë gatimin e kam preferuar që nga fëmijëria, unë atë art jam përpjekur ta shprehë edhe në gatim.

Çka do të thotë për ju gatimi, i zakonshëm apo pasion që nuk ju lodhë asnjëherë?

Çdo gatim me përkushtim nuk është i lehtë, kështu që duhet pajtuar se gatimi nuk është thjesht një humbje kohe në kuzhinë, por një obligim i këndshëm kur dihet fakti se ai bëhet për familjarët, por edhe mysafirët. Gatimin e çfarëdo lloji e preferoj, meqë e kam pasion, atë e kam bërë dhe e bëjë me dëshirë.

Sa receta i keni gjithsej dhe nga ju vjen inspirimi?

Unë kam mbledhur me mijëra receta për gjysmë shekulli, e interesimi për to egziston edhe sot, por kuptohet për ato të mirëfillta. Edhe sot, nëse diçka që ha dhe më pëlqen, e marr recetën dhe e gatuaj. Recetat sikur nuk kanë fund, edhe pse në kohën kur unë kam mbledhur receta, nuk ka egzistuar interneti së paku te ne. Prandaj edhe çdo recetë që e kam marrë, ka qenë e gatuar dhe sprovuar sa e sa herë. Zakonisht ato që i kam gatuar dhe më kanë pëlqyer, i kam veçuar, e ato që i kam gatuar dy tri herë dhe nuk kanë pas sukses, i kam hedhur.

Jeni autore e dy librave me receta, sa pëlqehen nga familjet shqiptare, kosovare, dhe a ka depërtuar edhe më tej kufijve ky libër?

Meqë gatimi është pjesë identifikuese e një populli, unë kam dashur që të jap kontributin tim në këtë fushë, e cila për shkaqe socio-ekonomike dhe politike, sikur është lënë anash së paku publikisht. Kam botuar dy libra gatimi, receta këto jo vetëm që i kam shkruar, por të gjitha 1220 receta sa janë në këta dy libra edhe i kam gatuar, fotografuar, për ta realizuar botimin e tyre. Librin “1000 RECETA PËR ÇDO FAMILJE” e kam realizuar për 5-6 vite. Në Kosovë ka qenë libri i parë i kësaj fushe me receta të ilustruara. Ka pas sukses dhe si i tillë është ribotuar tri herë. Katër vite rresht ka qenë ndër librat më të kërkuar dhe shitur. Këtë libër përpos që e kanë shumë familje kosovare, ai ka dalë edhe jashtë vendit, sepse është pëlqyer dhe kërkuar nga bashkatdhetarët tanë në diasporë. Shpeshherë është blerë edhe si dhuratë. Librin “RECETA ME GATIME TRADICIONALE” e kam shkruar me rastin e 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe gjatë promovimit është ngritë dolli me 100 gota kokteji “Gëzuar Shqipëri”, të përgatitur nga unë, koktej ky që përgaditet nga pranvera deri në festat e fundvitit. E unë me kënaqësi e kam servuar për këtë rast. Ndiej kënaqësi që kam dhënë një kontribut në këtë fushë për një rast kaq madhorë.

Sa mendoni se është e pasur kuzhina kosovare?

Kuzhina kosovare dhe mbarë shqiptare është e pasur, ka vlera ushqyese dhe është e shijshme njëkohësisht. Gatime nga treva të ndryshme të Kosovës pasurojnë atë me specialitete të ndryshme, prandaj në menynë tonë mendoj se dominon kuzhina tradicionale qoftë me brumëra siç janë pitet e ndryshme ose me zarzavate siqë janë tavat dhe gjellërat e llojllojshme. Nuk mungojnë edhe ato tipike autoktone siç është flija, krelana me duça, përpeqi, pitja me mazë, mazë e pjekur, mazë e zier me miell misri, bukë formash dhe drithërash të ndryshëm. Kuzhina kosovare është e ndikuar edhe nga kuzhina orientale. Sundimi otoman ka lënë gjurmë në kuzhinën kosovare duke sjell një varg gatimesh orientale arabo-persiane. Meqë gatuhen me shekuj, ato edhe i quajmë tradicionale.

Arti i gatimit a kërkon që ushqimi të jetë vetëm i shijshëm apo edhe i hijshëm?

Arti i gatimit duhet të jetë në radhë të parë i shëndetshëm, i shijshëm, e meqë më parë e shijojmë me sy, mendoj se edhe servimi bukur i një pjate ose tavoline, është shumë i rëndësishëm.

A mund të na tregoni cilën recetë e përgatisni me më shumë dashuri dhe cilën e pëlqeni ju?

Me shumë dëshirë gatuaj për familjen e sidomos për nipat e mbesat. Shijet e tyre mund të them janë të ndryshme, prandaj edhe pa përtesë i gatuaj specialitetet nga mishi, brumi ose ëmbëlsirat e deserte të ndryshme. Mua personalisht më pëlqen peshku i çfarëdo llojit si dhe gatimi i mishit të qingjit. Gatimet tradicionale më pëlqejnë. Do ta veçoja një specialitet që është traditë e familjes sonë, sarmat me mish të bardh bibe, e pjesët tjera të mishit të skuqura në furrë mbi sarma. Saherë e gatuaj sikur e ndiej aromën e këndshme të fëmijërisë, kur nëna ime e gatuante me përkushtim këtë specialitet, por edhe shumë të tjera.

Çka sugjeroni që të hamë për mëngjes, drekë dhe darkë, dhe sa mendoni se kosovarët i kushtojnë rëndësi kësaj?

Konsumimi i rregullt i shujtave është shumë i rëndësishëm për një shëndet të mirë. Mëngjesi i pashmangshëm me prodhime qumështi të kufizuara, dreka në kohë të caktuar dhe komplete, pa përjashtuar supën, gjellën gjysëm porcioni dhe sallatën, darka shumë e lehtë ose e zëvendësuar me sallatë ose qumësht me mjaltë. Zamrat me pemë llojesh të ndryshme. Embëlsirat të zëvendësohen me sallatë pemësh. Të ndihet shija e çdo ushqimi, duke e përtypur ate deri 30 herë për t’ia ndier shijen, por edhe të jetë më i lehtë për lukth. Shujta kryesore të jetë kënaqësi e tubimit të familjes rreth tryezës, e jo vetëm si obligim për tu ngopur. Përkundër kushteve të vështira socio-ekonomike, kosovarët janë ushqyer me prodhime vendore (deri vonë) të cilat janë sinonim i një ushqimi të shëndetshëm, me shije autentike, si dhe me prodhime qumështi të kultivuara në shtëpi, e që në kohë rekorde kanë përfunduar në kuzhinat e atyre që i kanë prodhuar dhe konsumatorëve njëkohësisht.

A e keni trashëguar këtë art dhe a mendoni se edhe fëmijët e juaj e kanë për qejfi apo edhe do ta trashëgojnë?

Meqë nëna ime ka qenë një kuzhinjere e mrekullueshme, kurse babai një nutricist i lindur dhe nga fëmijëria jam rritur në atë frymë të gatimit të mirë dhe një edukate që si, e çfarë të konsumojmë, ka ndikuar tek unë që këtë ta trashëgoj nga prindërit kryesisht. Motiv shtesë për mua që përpos profesionit tim si gjuhëtare të kam pasion gatimin, ka qenë edhe bashkëshorti im, i cili përpos që e pëlqente gatimin tim dhe më jepte vullnet që çdoherë të sjellë diçka të re në meny,konsideronte se llojllojshmëria e gatimit dhe një paletë ngjyrërash në pjatë, sjell shëndet dhe kënaqësi. Pasion gatimin e ka edhe vajza ime me profesion mjeke, por që këtë art e ka trashëguar,e mund të them edhe ma tejkalon.

Deri kur mendoni se do të dilni në programe për receta siç jeni edhe tash, dhe deri kur do të punoni për libër tjetër?

Si themeluese dhe konsulente emisionit të parë të gatimit në Kosovë në TV 21 “Diçka po zihet” më vjen mirë për kontributin që kam dhënë dhe jap në këtë fushë dhe ndihem mirë kur dëgjoj komentet se kam bërë kthesë në kuzhinën kosovare. Mbase do të vazhdoj, sepse recetat në librat e mi nuk kanë të mbaruar, e unë kryesisht gatuaj nga ato, por edhe sjellë ndonjë risi. Përpos intervistave të shumta në Televizionet kosovare, kam pasur intervistë lidhur me dy librat e gatimit edhe në Televizionin KLAN të Shqipërisë. Madje edhe ekipi i TV KLAN ka qenë në shtëpinë time në krye me të nderuarën Rudina Magjistari,ku i kam realizuar tri gatime.

Cilën pjatë nuk e doni ju?

Edhe pse janë të shijshme, nuk preferoj gatimin e konzervuar dhe nuk e përdor ushqimin e thatë të tipit fast-food.

Çfarë do të ju thoni femrave, në veçanti të rejave që për të mbajtur linjën e trupit nuk hanë me rregull?

Ushqimi i shëndetshëm ekziston. Organizmi i njeriut ka nevojë për llojllojshmëri ushqimi për të siguruar energjinë e nevojshme për kryerjen e punëve mendore dhe fizike, mirëpo ai duhet të jetë i rregullt, do të thoja gjysëm pjate për një shëndet të mirë dhe fizik të bukur. Jam kundër dietave të çfarëdo lloji sepse një numër shumë i kufizuar i artikujve, nuk mund t’i përmbajnë të gjithë përbërësit e nevojshëm për një ushqim normal dhe të shëndetshëm.

A mendoni se duhet shmangur brumërat sepse tek ne kosovarët hahen shumë?

Brumërat edhepse janë të shijshme, sidomos të gatuara me mazë, mendoj se duhet më rrallë të konsumohen, sot kur mundësitë për një ushqim të shëndetshëm janë të shumta.

Të kthehemi tek ana tjetër, pse ju quajnë Ceka?

Me nofkën Ceka më ka thirrë për herë të parë vajza ime para 50 vitesh. Meqë të rriturve ajo ju dukej simpatike, kanë vazhduar e gjithë familja të më thërrasin Ceka, përkundër përpjekjes sime që ajo të më thërras nanë, ka vazhduar të më thërrasë Ceka.

Si është zonja Fikrije, jashtë asaj pjesës së gatimit, recetave, librit?

E shijoj bukurinë e mëngjesit, zgjohem herët. Kafën e mëngjesit zakonisht e pi me djalin. Agjenda ime ka qenë mjaft e ngarkuar, sepse të shkruhen dy libra gatimi, nuk ka qenë e lehtë, por meqë e kam bërë me dashuri, unë jam përpjekur që kohën disi ta koordinoj. Sot kam më tepër kohë të lirë dhe mbase vetëm për raste, por kam dëshirë të bëjë vizita farefisit të bashkëshortit tim, ose farefisit tim, por edhe të pres vizita gjithashtu. Kujdesem për kopshtin e shtëpisë dhe atë përkushtim, e konsideroj edhe si aktivitet fizik. Pafundësisht kënaqem në kopshtin e shtëpisë sonë.

Sa i kushtoni kohë familjes, nipërve?

Familja për mua ka qenë dhe është primare. Bashkëshorti im, për të cilin vërtetë është vështirë të përmbledhësh me pak fjalë virtytet, cilësitë, personalitetin e ndritshëm të shokut tim të jetës, babait dhe gjyshit Prof. Dr Hajredin Ukellit. Jemi krenarë dhe shumë të nderuar që patëm fatin ta ndajmë jetën me njeriun që i dha shumë familjes së ngushtë e të gjërë, krahas angazhimeve të shumta që kishte për të kontribuar sa më shumë në lëmin e mjeksisë kosovare. Na mungon pa fund,por çdoherë është prezent në mesin tonë…Kam një vajzë dhe dy djem. Të tre të martuar dhe kanë nga dy fëmijë. I uroj dhe bekoj për çdo ditë për kujdesin që kanë për mua.Në mesin e familjes, çdoherë jam ndier dhe ndihem shumë e bekuar. Shpeshherë i thërras të gjithë në drekë, apo darkë, e përkundër dinamikës, e koordinojmë kohën që të jemi sa më shumë veta bashkë. Nipat, mbesat i dua shumë dhe më donë. Përkundër obligimeve që kanë, më vizitojnë pa reshtur. Me kënaqësinë më të madhe gatuaj specialitetet që ata i preferojnë dhe kënaqem kur janë të gjithë prezent dhe i shoh me qfarë oreksi hanë dhe e komentojnë gatimin që ua servoj.

 Si e kaloni kohën e lirë?

Përpos familjes e farefisit edhe takimi me shoqet, kolegët më bënë të ndjehem mirë dhe e plotësuar. Takohemi shpesh dhe udhëtojmë brenda dhe jashtë vendit, e kjo më freskon dhe më jep energji për të vazhduar punën edhe në moshën që kam sot. Një mendje të shëndosh dhe shpirt të çiltër që kam, ndikon në shëndet dhe fizik të mirë, por edhe ecja që bëj së paku 40 minuta në ditë, ndikon në mua pozitivisht gjithashtu.

 

Sa shikoni filma?

Filma shikoj por jo aq shumë..

Po libra, sa lexoni?

Libra lexoj sa herë që kam kohë të lirë, sëpaku i kam aty nëpër duar ose te koka e shtratit (qeshet).

Cili është hobi juaj?

Hobi im është puna e dorës, rrobaqepësia, thurje e dantelave dhe fustaneve, qëndisje e llojit të ndryshëm, punimi me gjilpërë i dantelave, faculetave etj. Si adoleshente, duke i ndihmuar gjyshës në tezgjah, kam realizuar edhe motive të ndryshme në thurjen e pëlhurës. Si e re kam qenë një artizane e vërtetë. Meqë kam pas prirje, kam pas dëshirë ta mësoj çdo lloj punë dore dhe pastaj ta punoj atë me mjeshtri. Kam disa mirënjohje për punë dore të punuara në mënyrë dhe bukuri të veçant. 

(Kosova Sot)