Këshilla për thjeshtimin e rutinës suaj të aplikimit të grimit

  • A.P /
  • 24 August 2020 - 15:42
Këshilla për thjeshtimin e rutinës suaj të aplikimit të grimit

Shumica e femrave shpenzojnë shumë kohë, duke u përgatitur për të dalë, qoftë nëse duhet të shkojnë në punë apo në ndonjë aheng. E, kjo gjë -koha që e kalojnë duke u marrë me rutinën e grimit -shpeshherë di të jetë e bezdisshme. Për t'ju ndihmuar që ta shkurtoni kohën që e kaloni, duke u marrë me grimin, nëpërmjet thjeshtimit të rutinës së bukurisë, më poshtë jua kemi sjellë disa këshilla të rëndësishme, që duhet t'i ndiqni .

NJË PRODUKT, DY OSE MË SHUMË SHËRBIME

Në vend se të përdorni edhe bazë grimi, edhe kremin tuaj të zakonshëm, përdorni zbutës, pasi që një produkt i tillë edhe jua zbut lëkurën, po edhe krijon përshtypjen që keni përdorur edhe bazë grimi. 'Eyeliner'-ët në formë të lëngët mund të përdoren edhe si 'eyeliner', edhe si hijezues të syve, andaj përdorimi i këtyre produkteve mund t'ju kursejë kohë në mëngjes

SA MË THJESHT, AQ MË BUKUR

Përderisa nuk dëshironi që të bini në sytë e të gjithëve, atëherë është e pakuptimtë të shpenzoni më shumë se pesëmbëdhjetë minuta, duke aplikuar grimin tuaj. Kjo kohë ju mjafton ta aplikoni sasinë e mjaftueshme të grimit. Mos harroni që sa më pak grim të aplikoni, aq më natyrale dukeni, e sa më natyrale që jeni, aq më tërheqëse do të jeni në sytë e të tjerëve.

NDAJINI PRODUKTET E GRIMIT

Është e rëndësishme që të keni dy lloje të produkteve të grimit - një për përditshmëri dhe një tjetër për raste speciale. Në këtë mënyrë ju fare lehtë mund ta gjeni dukjen tuaj të dëshiruar dhe si rrjedhojë do ta keni më të lehtë edhe qasjen në produktet e grimit, që do t'ju nevojiten për ta arritur atë dukje. RUAJENI 'EYELINER'-IN PËR RASTE TË VEÇANTA Aplikimi i 'eyeliner'-it është një proces që kërkon shumë kohë, andaj anashkalimi i aplikimit të 'eyeliner'-it është një gjë që ju kursen shumë kohë. Andaj, shmangeni aplikimin e 'eyeliner'-it sa herë që të keni mundësi e për të bërë që sytë tuaj të mos duken të lodhur, aplikoni maskarë edhe në qepallat e poshtme sikurse edhe në qepallat e epërme.

LARGONI PRODUKTET DHE PAJISJET QË NUK I PËRDORNI

Nëse keni ndonjë pajisje grimi, të cilën nuk e keni përdorur për muaj të tërë, ose ndoshta edhe vite, atëherë largoni ato pajisje nga çanta juaj e grimit. Gjithsesi, mos shpenzoni para për të blerë produkte e pajisje që nuk i përdorni, pasi që më vonë do të përfundoni duke shpenzuar kohë, duke kërkuar produktin më të përshtatshëm, në mesin e shumë produkteve e pajisjeve që nuk i përdorni.

PËRFITONI NGA BRONZUESI

Përdorimi i bronzuesit ju ndihmon që ta krijoni përshtypjen e fytyrës më të ngrehur, pa pasur nevojë që të përdorni produkte të tjera të grimit. Bronzuesi është e rëndësishme të aplikohet në mollëza të faqeve, përgjatë ballit dhe në të dyja anët e fytyrës suaj. Kjo, jo vetëm se ju ndihmon që t'i nxirrni në pah format e definuara të fytyrës, mirëpo edhe jua shkurton kohën e nevojshme për aplikimin e pjesës tjetër të grimit.

STILI I THJESHTË I SYVE 'SMOKEY'

Efekti i syve 'smokey' është një lloj grimi shumë i komplikuar, aplikimin e të cilit e kanë të vështirë edhe profesionistët më të mëdhenj. Mirëpo, për ta aplikuar një formë të tillë të grimit të syve, nuk keni nevojë të jeni profesioniste. E tëra që duhet të bëni është që pasi ta keni aplikuar 'eyeliner'-in, ta aplikoni një sasi të vogël të hijezuesit të syve në formë kremi në kapakët e syve, e më pas me ndihmën e gishtit shpërndajeni në gjithë kapakun e syve.

(Kosova Sot Online)