Flokët e thinjur janë shenjë e pjekurisë, urtësisë, por edhe të faktit se duhet ta vizitoni sallonin e floktarisë

  • A.P /
  • 03 September 2020 - 15:58
Flokët e thinjur janë shenjë e pjekurisë, urtësisë, por edhe të faktit se duhet ta vizitoni sallonin e floktarisë

Nëse nuk jeni një femër e gatshme që botës t'ia tregoni flokët e thinjur, atëherë duhet që t'i kamufloni sa më mirë, deri në ngjyrosjen e ardhshme të flokëve. Natyrisht, kjo më së miri u shkon për dore biondeve të cilave u ndihmojnë flokët e ndritshëm, ndërsa për t'i fshehur më së vështiri e kanë zeshkanet dhe flokëkuqet. Por, për këtë arsye ekzistojnë mënyra të ndryshme për kamuflim, të cilat mund t'ju ndihmojë që ta shtyni ngjyrosjen e flokëve edhe deri në tri javë.

UA SHTONI VËLLIMIN

Flokët e thinjur më së shpeshti theksohen kur janë të lëshuar dhe të pajetë. Me shtim të vëllimit natyral të flokëve, qimet e thinjura thjeshtë do të reduktohen në aspektin optik. Në arritjen e vëllimit mund t'ju ndihmojnë preparate të ndryshme, ndërsa më të thjeshtat për aplikim janë shkuma, pudra minerale, si dhe llaku për flokë për vëllim. Gjithashtu, mund të ndihmojë tharja me tharëse elektrike për flokë.

SHMANGINI BISHTAT!

Flokët e parë të thinjur më së shpeshti paraqiten në zonën e zverkut dhe nga ai vend ngadalë përhapen nëpër kokë. Duke pasur parasysh se aty ka më së shumti, assesi mos i tërhiqni ose krihni flokët prapa, gjë me të cilën e ndryshoni drejtimin natyral të rritjes së qimeve. Me një gjë të tillë do të theksohen edhe më shumë thinjat.

SHAMPONI ME NGJYRË

Shamponi me ngjyrë mund të jetë efikas, por për një kohë të shkurtë, deri te larja e ardhshme.

FLOKËT DUHET TË SHKËLQEJNË

Flokët pa shkëlqim, me yndyrë dhe të papastër duket sikur i vendosin nën thjerrë flokët e thinjur. Shamponët dhe regjeneruesit e ndryshëm mund të kontribuojnë në shkëlqimin e flokëve, por ekzistojnë edhe preparate të tjera për arritje të shkëlqimit shtesë. Tharja me tharëse elektrike kontribuon gjithashtu në shkëlqimin e flokëve. Por, kujdesuni që temperatura të mos jetë shumë e lartë në mënyrë që të mos i shkatërroni flokët në afat të shkurtë.

PRERJA E DUHUR E FLOKËVE

Nëse keni flokë të thinjur, e nuk dëshironi që t'i ngjyrosni shpesh, mos i preni shumë shkurt. Me flokë të shkurtër është e pamundur që të fshihen thinjat. Balluket e drejta të dendura ose të vëna anash jo vetëm që do të bëjnë që të dukeni më e re, por do të ofrojnë edhe kamuflim shtesë të flokëve të thinjur. Prerja dhe stili i duhur mund t'ju ndihmojnë në problemin me flokë të thinjur, si dhe në kursim të parave. 


(Kosova Sot Online)