
Trashëgimia shpirtërore, e rrezikuar nga neglizhenca

Pasuria shpirtërore e shqiptarëve, ku një pjesë e mirë ende kultivohet në Kosovë, e trashëguar shekuj me radhë, vazhdon të ketë një trajtim periferik nga institucionet shtetërore. Shembulli më i mirë është lista e përkohshme e trashëgimisë nën mbrojte të shtetit. Nga gjithë ajo pasuri e madhe që është trashëguar vetëm tri njësi janë futur nën mbrojtje, përjashto "Eposin e Kreshnikëve", përgatitur nga dr. Zymer Neziri, dhe që është futur nën mbrojtje, shkruan gazeta Kosova Sot.
Njohës të kësaj fushë kanë thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", se institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë për trashëgiminë shpirtërore shqiptare. Sipas tyre, në zhvillimet e mëdha teknologjike dhe të globalizimit asgjë nuk është më e rrezikuar se trashëgimia shpirtërore.
Një ditë vlerat kulturore mund të zhduken
Në një prononcim për "Kosova Sot", etnologu Bashkim Lajçi, shefi i Degës së Etnologjisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se shqiptarët, siç dihet, nga e kaluara trashëguan një trashëgimi të pasur shpirtërore, si: format e shprehjes kulturore të traditave ose të zakoneve popullore, besimet, të gjuhës, gojëdhënat, festat, vallet, muzika, k?ngët, lojërat popullore, ritet dhe shprehjet artistike etj. Sipas tij, edhe përkundër rëndësisë që ka kjo trashëgimi, institucionet tona nuk kanë bërë sa duhet në mbrojtje të saj. "Kur këtë e themi mendojmë në radhë të parë në mosndarjen e mjeteve të mjaftueshme, për hulumtim, studim dhe promovim të kësaj trashëgimie, veçmas në mossigurimin e kuadrit përkatës për mbrojtjen dhe promovimin e saj, pastaj edhe mosangazhimin e duhur në popullarizimin dhe përcjelljen e kësaj trashëgime tek gjeneratat e reja, sidomos kur kemi të bëjmë me lojërat popullore, me vallet popullore, me artizanatet e ndryshme etj", ka thënë Lajçi, duke shtuar se mbrojtja e trashëgimisë popullore në përgjithësi dhe asaj shpirtërore në veçanti, qoftë në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, është një detyrë e ngutshme e institucioneve tona. Ngase ka thënë më tutje etnologu Lajçi, nëse vazhdohet edhe më tej me këtë neglizhencë dhe me këtë mosinteresim, një ditë nuk do t'i kemi këto vlera, do të zhduken sikurse u zhduken edhe shumë të tjera gjatë kohës!
Pak mbrojtje e promovim
Edhe studiuesi Avni Rudaku ka thënë për "Kosova Sot" se trashëgimia kosovare kulturore, në veçanti ajo shpirtërore, shumë pak mbrohet dhe promovohet."Trashëgimia materiale e shpirtërore, qoftë edhe në fushën e muzikologjisë dhe etnologjisë, shumë pak promovohet, shumë pak regjistrohet, shumë pak informohet dhe edukohet rreth tyre. Vazhdojmë të çalojmë në shumë fusha bazike ekonomike dhe nuk pres të ketë ndonjë ndryshim të kursit në trashëgimi kulturore!", ka thënë ai, duke potencuar se trashëgimia jonë kulturore kundruall popullit dhe territorit të vogël është mjaft e pasur. Kjo trashëgimi, sipas tij, është e pasur edhe si trashëgimi natyrore, edhe si trashëgimi kulturore. Andaj, ka thënë Rudaku, duhet më shumë promovim nga shkollat, sesa vetëm nga ndonjë faqe zyrtare e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Po sipas tij, në shumë qytete, kurrë shkollat nuk organizojnë vizita të nxënësve për trashëgiminë kulturore lokale dhe natyrisht se kur nuk e njohin atë që i rrethon, si mund ta njohin atë trashëgimi jashtë qytetit apo komunës së tyre."Sa për përkujdesje, është e tmerrshme, madje vrastare. Vetëm merrni shembullin e trashëgimisë në Prizren, e cila u bë shkas të krijojë tragjedi në mbyten e vajzës trevjeçare! Trashëgimia jonë është e ndarë etnikisht", ka pohuar Rudaku, duke shtuar se në përgjithësi edhe vetë myslimanët tanë ngurrojnë të vizitojnë kishën e një bashkëkombësi të tyre katolik, e lëre më të vizitojnë ndonjë kishë ortodokse të frekuentuar nga serbët! Por, ka vazhduar më tej ai, as serbët nuk i vizitojnë xhamitë!
(Kosova Sot)