Përveç Ulpianës, harrohen qytetet e tjera antike

  • 22 October 2016 - 08:33
Përveç Ulpianës, harrohen qytetet e tjera antike

Me pak përjashtime, Kosova rrezikon të humbë plotësisht dëshmitë e një vendbanimi të hershëm, madje edhe prehistorik. Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, ruajtja e trashëgimisë po del mjaft sfiduese dhe, sipas tyre, institucionet shtetërore duhet të bëjnë më shumë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Ndërkaq, drejtuesit e institucioneve që kujdesën për trashëgiminë thonë se po bëhet gjithçka për shpëtimin trashëgimisë kosovare. Në një prononcim për “Kosova Sot”, Enver Rexha, drejtor i Institutit të Arkeologjisë së Kosovës, ka thënë se Instituti që ai drejton po bën punë të mirë në  konservimin dhe ruajtjen e lokaliteteve-qyteteve të vjetra të Kosovës.

Është eksploruar 70 për qind e territorit

Sipas Rexhës, për gjithë këtë trashëgimi kërkohet përkrahje financiare dhe kuadër profesional, derisa që të dyja këto i ka me pakicë Instituti. Pavarësisht kësaj, Rexha ka thënë se tashmë është eksploruar mbi 70 për qind e territorit të Kosovës dhe duke pasur evidencat përkatëse, Instituti do të ndërhyjë për shpëtimin e atyre pjesëve të qyteteve të vjetra apo lokaliteteve që mund të zbulohen. Ai ka përmendur punën që është duke u bërë në Ulpianë. “E kemi për obligim që këto struktura kulturore t’i ruajmë, si në Prizren në Kala, në Vushtrri, në Pejë etj. Por, do të punohet edhe për Prishtinën, e cila edhe pse është një nga qytetet e vjetra, ende nuk e kemi ndonjë shtresë (hapësirë) të ruajtur”, ka thënë Rexha, duke shtuar se situata urbanistike, me të cilat po përballen qytete e vjetra në Kosovës, jep pak shpresa për  ruajtjen e pjesës së vjetër. Ai ka thënë se Instituti do të bëjë çmos që të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet.

Në anë tjetër, për njohës të fushës, institucionet duhet të bëjnë më shumë për të ruajtur dëshmitë historike të qyteteve të vjetra ë vend. Ylber Vokshi ka thënë për “Kosova Sot”, se me përjashtime shumë të vogla është imponuar teza se qytetet tona kryesore janë formuar vetëm në kohën e perandorisë osmane para 600 vjetësh, çka aspak nuk përkon me të vërtetën, derisa as sot nuk po punohet sa duhet për ta argumentuar të kundërtën. “Me prapavija ogurzeze të tjerët, duke harruar me qëllim ekzistencën pellazgo-iliro-shqiptare që nga parahistoria, e identifikuar ndër të tjerash edhe me gradinat si përmendore apo mbetje të lokaliteteve të dikurshme, të cilat janë ndërtuar zakonisht në pjesët e larta të kodrinave, si në Sukën e Cërmjanit - Hereqit të Gjakovës, ku vërehen edhe themelet e shtëpive katrore, çka tregon se këto hapësira kanë qenë të populluara nga dardanët. Nëntoka e qyteteve të sotme në Kosovë është e mbuluar, e humbur e pahulumtuar, nuk befasojnë gërmadhat e të kaluarës që shfaqen në shumë raste të gërmimeve për ndërtime të reja. Ka pasur ekspedita të ndryshme të arkeologëve që i kanë hulumtuar këto pasuri të çmueshme historike në të kaluarën, por çuditërisht është e pajustifikueshme se sa pak rëndësi u kushtohet këtyre hulumtimeve në vitet e pasluftës së fundit”, ka thënë eksperti Vokshi, duke shtuar se ligjërisht kërkohet që të definohet bërthama e qyteteve tona dhe të kenë trajtim të veçantë zonat historike të tyre, të konservohen, restaurohen, rinovohen apo rindërtohen. Sipas Vokshit, pos qytetit të Prizrenit, Gjakovës e pjesërisht edhe Vushtrrisë, është punuar pak në qytetet e tjera. “Shumë pak është punuar në këtë aspekt dhe ka pasur intervenime të dëmshme me rrënime, djegie të objekteve, si në rastin e Prizrenit kohët e fundit. Është për çdo kritikë se si është trajtuar deri më tani zona historike e kryeqytetit Prishtinës, pasi ende nuk është përkufizuar ajo zonë së paku me zgjidhje urbanistike, Plan rregullues të hollësishëm”, ka pohuar Vokshi, duke shtuar se trajtimi i tillë i papërgjegjshëm i zonave të vjetra të qyteteve tona natyrisht po ndikon negativisht në shkatërrimin e tyre, në të njëjtën kohë po ndikon në zhdukjen e identitetit urban të krijuar me shekuj.

Duhen shumë më shumë investime në ekspedita arkeologësh!

Ndërkaq, Argjend Hasani, analist dhe krijues, ka thënë se autoritetet shkencore të kësaj fushe kanë dëshirë dhe vullnet për të intensifikuar kërkimet për gjetjet në lokalitetet antike në Kosovë, por ka mungesë të interesimit nga ana e MKRS-së dhe institucioneve gjegjëse, të cilat si zakonisht arsyetohen me mungesën e mjeteve financiare.

 “Prandaj, zhdukja e vlerave antike, si pasojë e neglizhencës dhe njohjes së vlerave të këtij lëmi, varfëron dhe dëmton rëndë konstatimet për autoktoninë dhe lidhëshmërinë vertikale ndër shekuj pellazgo-iliro-dardane dhe shqiptare, kundrejt armiqve tanë, të cilët vazhdimisht për qëllime të interesave fashiste nacionale mohojnë autoktoninë tonë të lashtë në këto troje”, ka thënë Hasani. Kurse, analisti Avni Rudaku e sheh si shumë shqetësues faktin se shumica e qyteteve të Kosovës kanë humbur profilin e tyre të vjetërsisë. Sipas tij, shumica e qyteteve kanë humbur qendrat e tyre të vjetra, lagjet mesjetare apo të mëvonshme. “Me përjashtim të Prizrenit, dhe aty-këtu çarshitë e Gjakovës japin ndjenjën e vjetërsisë. Në disa qyteza si Novobërda me kala, apo edhe vende të tjera, nuk janë të rregulluara për frekuentim të kohës së lirë, argëtimit, ecjes, relaksimit, ku qytetarët do të ndjeheshin sikur po ecnin nëpër kohë të largëta. Identiteti mesjetar, por edhe më i mëvonshëm, po i humbet qyteteve tona që nga paslufta”, ka thënë Rudaku, duke shtuar se degradime shihen kudo si pasojë e neglizhencës institucionale, e cila po i shëmton edhe zonat më të vjetra të disa qyteteve si Prizreni, Gjakova, e mos të flasim për Prishtinën, siç ka thënë ai, që as nuk është si duhet në kuptimin modern arkitektonik dhe urban, e lëre më në kuptimin e vjetërsisë. “Asgjë nuk ka mbetur nga Gjilani, Prishtina, Peja, Mitrovica, etj., në kuptimin e ruajtjes së tradicionales, mesjetares dhe të mëvonshmes. Të gjitha u dëmtuan nga neglizhenca, privatizimi, tjetërsimi pronësor për qendra afariste banesore, gurëthyesit, parkingje, e kështu me radhë. Zonat e vjetra po zhduken, por edhe ekspeditat janë thuajse minimale“, ka thënë Rudaku, duke shtuar se po zhduken zonat e vjetra të qyteteve thuajse të të gjithave në Kosovë, por nuk qëndrojmë mirë as me zonat kërkimore arkeologjike. 

(Kosova Sot)