Sahat-Kulla me orën e vdekur

  • 26 October 2016 - 08:23
Sahat-Kulla me orën e vdekur

Dan Ibrahimi: Dëshmia më e mirë e qytetarisë prishtinase.

"Se sa jemi kujdesur për këtë objekt tregon vjedhja spektakulare në vitin 2001 e mekanizmit të orës dhe kambanës, një relikt i vjetër, e si zëvendësim në vitin 2002 e kanë instaluar një orë digjitale, duke mos e konsideruar si humbje të madhe ndryshimin funksional-historik", është shprehur eksperti Ylber Vokshi.

S ahat-Kulla e Prishtinës hyn në radhën e monumenteve më të rëndësishme që i ka trashëguar kryeqyteti shekuj me radhë. E ndodhur në pjesën që tashmë konsiderohet historike të kryeqytetit, në një zonë mjaft të frekuentuar, SahatKulla përfaqëson qytetarin shekullor. Çdokush që kalon për herë të parë në rrugën që nga qendra të çon për në Gërmi mrekullohet nga Sahat-Kulla e Prishtinës. Por, fatkeqësisht, autoritetet institucionale shtetërore të trashëgimisë dhe kulturës, të cilat për vite me radhë vazhdojnë ta sabotojnë këtë objekt, duke e lënë jashtë fokusit institucional. Edhe pse në një gjendje relativisht të mirë, ky monument i mbrojtur vazhdon të heshtë për dekada me radhë, pavarë- sisht disa iniciativave të zbehta për ta vënë në funksion mekanizmin e sajorëmatësin. Një gjendje e tillë do ta ndjekë edhe për një kohë të gjatë këtë monument. Zyrtarë të MKRS-së nuk kanë folur për të, ndërsa njohësit e zhvillimeve kulturore në vend kanë thënë se shteti duhet të vërë në funksion këtë objekt. Shkrimtari dhe studiuesi kryeqytetas, Dan Ibrahimi, ka thënë për "Kosova Sot" se SahatKulla dikur kishte rëndësi të veçantë për qytetin, sepse tregonte orën. Sipas tij, ky objekt ka rëndësi edhe arkitektonike për mënyrën se si është ndërtuar dhe plotëson harmonikisht ambientin përreth. Ibrahimi ka thënë se Sahat-Kulla mjerisht është lënë pas dore dhe në mëshirën e kohës."Të gjitha qytetet që kanë pasur sahat-kullat i kanë ruajtur ato, madje i kanë funksionalizuar. Lumturisht Sahat-Kulla e Prishtinës ka mbijetuar dhe akoma qëndron mirë. Ajo është dëshmia më e mirë e qytetarisë prishtinase, prandaj meriton kujdes, madje dhe funksionalizim, pavarësisht se sot njerëzit orët i kanë në duar, në celular, në kompjuter etj.", ka thënë ai.

 

Vokshi: Mjetet për restaurim nuk dihet se si janë shpenzuar Ylber Vokshi, ekspert i trashëgimisë monumentale, ka thënë për "Kosova Sot" se Sahat-Kulla ekzistuese, në kudër të zonës historike të Prishtinës, si pjesë integrale e bërthamës së qytetit të vjetër, është ndërtuar nga fundi i shekullit XIX."Në afërsi të vendit ku ka ekzistuar Sahat- Kulla e vjetër sot qëndron ky objekt, që ende mund të kryente funksionin e dikurshëm po të kishte kujdesin dhe mirëmbajtjen e duhur nga institucionet përgjegjëse të kulturës, të nivelit qendror dhe lokal. Me konstruktin dhe lartësinë 26 metra, përveç si tregues i kohës, ka shërbyer edhe si pikë orientuese apo dominonte në qytetin e vjetër", ka thënë ai, duke shtuar se për vlerat e saja, kryesisht historike dhe urbane, është nën mbrojtje shtetërore që nga viti 1967. Vokshi ka rikujtuar se pas lufte për riaftësimin dhe renovimin saj ka pasur disa donacione të huaja dhe vendore, por, siç ka thënë ai, ato zakonisht kanë dështuar, me shpenzimin e madh të mjeteve materiale, të cilat nuk dihet se si janë shpenzuar."Se sa jemi kujdesur për këtë objekt tregon vjedhja spektakulare në vitin 2001 e mekanizmit të orës dhe kambanës, një relikt i vjetër, e si zëvendësim në vitin 2002 kanë instaluar një orë digjitale, duke mos e konsideruar si humbje të madhe ndryshimin funksional-historik, i cili direkt ndikon në identitetin urban të Prishtinës së vjetër", ka pohuar eksperti Vokshi.

 

Historiku Sahat-Kulla e Prishtinës është monument i mbrojtur nga shteti dhe pjesë e Databazës së trashëgimisë kulturore të Kosovës. Në ueb-faqen e kësaj databaze jepen të dhëna për monumentin dhe, sipas shënimeve, SahatKulla është ndërtuar nga fundi i shek. XIX, në afërsi të vendit ku ka ekzistuar Sahat-Kulla e përparme. Mekanizmi i orës ka funksionuar deri në vitet '70, ndërsa deri në vitin 2001 nuk ka funksionuar, po në këtë vit janë vjedhur mekanizmi i orës dhe kambana, ndërsa nga viti 2002 mekanizmi i orës është zëvendësuar me orë digjitale. Në këtë sahat-kullë gjendej kambana e vjetër, të cilën turqit gjatë luftërave të tyre në Moldavi dhe Vllahi e morën si plaçkë lufte dhe si të tillë e sollën në Vushtrri dhe e vunë në sahat-kullë. Sipas urdhrit të Jashar Pashës, kambana është sjellë nga Vushtrria në Prishtinë. Në sipërfaqen e kambanës gjendej mbishkrimi rumun nga viti 1764 i vojvodës, Jan Moldovanit, që në përkthim do të thotë "Kjo kambanë është punuar për vojvodën, Jan Moldovanin, në vitin 1764", shkronjat janë të mëdha me gjatësi 2cm dhe shtrihen përreth tërë sipërfaqes së kambanës. Kambana është dekoruar me numër të madh të ornamenteve të ngjashme me gjethet e ahut. Edhe pse ka kaluar rrugë të gjatë dhe shpesh ka ndërruar vendet dhe selitë ishte në gjendje të mirë dhe nuk kishte dëmtime të mëdha. 

(Kosova Sot)