Harrohet Skënderbeu

  • 19 January 2017 - 08:15
Harrohet Skënderbeu

POLITIKA DHE KULTURA, HESHTJE VARRI PËR HEROIN KOMBËTAR

Gjergj Kastrioti përkujtohet zbehtë në Kosovë ,shkruan gazeta Kosova Sot.

Përvjetori i vdekjes së Skënderbeut, 17 janari, ndryshe nga herët e kaluara, këtë vit kaloi pa ndonjë aktivitet përkujtimor në Kosovë. Me pak publikime në rrjetet sociale askush nuk u kujtua të kujtojë në këtë përvjetor një nga figurat më të mëdha të të gjitha kohërave, Gjergj Kastriotin - Skënderbeun. Kjo neglizhencë nga politika dhe shkenca kosovare është kritikuar nga historianët tanë. Sipas tyre, Skënderbeu është heroi kombë- tar dhe një gjë e tillë nuk mund të zbehet, apo të harrohet. Ata kanë thënë se të gjithë ata që e lidhin Perandorinë Otomane me Turqinë e sotme mike gabojnë, pasi janë dy shtete të ndryshme. Vitet e fundit jo pak intelektualë dhe personalitete publike janë pozicionuar kundër figurës së Skënderbeut si hero kombëtar.

Skënderbeu është një ndër katër gjeneralët më të famshëm të globit

Në një prononcim për "Kosova Sot", historiani Hakif Bajrami ka thënë se injorimin që edhe këtë vit i është bërë figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut në Kosovë është një shenjë e frikës politike për bashkimin kombëtar. Ai ka thënë se Skënderbeu është legjendë jo vetëm kombëtare shqiptare, por edhe një legjendë e luftës çlirimtare me përmasa botërore."Skënderbeu është një ndër katër gjeneralët më të famshëm të të gjithë globit. Klasa politike në Kosovë, me përjashtim të presidentit, i cili kujtoi heroin në këtë përvjetor, si duket e ka harruar dhe po e harron edhe origjinën", ka thënë Bajrami, duke shtuar se heroi i shqiptarëve ishte ai që tërë qenien e tij shpirtërore, fizike dhe intelektuale, e shkriu për çlirimin dhe bashkimin e kombit në një luftë të përbashkët nën flamurin e lashtë të shqiptarëve."Skënderbeu në asnjë cep ku jetojnë shqiptarë nuk guxon të harrohet, pasi ai është hero kombëtar. Nëse jemi shqiptarë ne duhet me dinjitet ta ruajmë këtë emër, sepse është simbol i bashkimit, i së kaluarës, i së tashmes, dhe vizion i ardhmërisë", ka potencuar Bajrami.

Varri sekret i heroit

Më tej Bajrami ka thënë se edhe institucionet shkencore dhe kulturore që nuk bëjnë asgjë për përvjetorin e këtij heroi u treguan më primitive sesa politika. Ai ka thënë se heshtja e kësaj date nga këto institucione mund të ketë shumë arsye ideologjike, të mosdijes ose të një refuzimi se kinse "ne jemi Kosovë dhe Shqipëria është Shqipëri". "Kjo është një politikë vetëvrasëse, një atentat ndaj vetvetes, pasi nuk ka politikë, injorancë, forcë që ta dytësojë dhe harrojë këtë hero kombë- tar", ka thënë Bajrami. Ndërkaq në një postim në llogarinë e tij në 'Facebook', shkrimtari dhe publicisti, Gani Mehemtaj, ka postuar një fragment nga romani tij për këtë figurë madhështore, "Zhvarrimi", pikërisht pjesë kur tregohen nata e varrimit të Skënderbeut, duke e dërguar kufomën e prijësit në një vend të panjohur për ta mbrojtur nga osmanët. Duke rrëfyer natën e 17 janarit të 1468, Mehmetaj në romanin e tij shkruan se përtej kështjellës kalorësit shpejtonin të heshtur e të djersirë në terrin e natës."Pararoja u printe, i hapte rrugë kolonës më të ngadaltë që u vinte prapa. Një qerre me katër kuaj tërhiqte karrocën e mbuluar me mushama rrugës së vjetër, të rrahur nga kalorësit e këmbësorët që nga antika. Po të ngrihej mushamaja ushtarake do të shihej një arkëmort, për të cilën askush nuk dinte asgjë, por të gjithëve ua merrte mendja se kishte diçka të fshehtë, që më mirë të mos e dinin. Kolona ecte e heshtur me arkëmortin më enigmatik dhe më të pazakonshëm që u rastisi ndonjëherë. Librat e shenjtë nuk flisnin për një arkëmort që e tërhiqnin katër kuaj, ndërsa një eskortë kalorësish u printe, në terrin e natës për të gjetur një varr të fshehtë, ku do të zbrazej fshehtësia tjetër. Dy të fshehta do ta bënin misterin më të madh të shekullit e të shekujve në vijim", shkruan ndër të tjera Mehmetaj. Ndryshe, shumë shkencëtarë janë vënë në kërkim të varrit të Skënderbeut, pasi mendohet se ishte varrosur në një varr sekret për t'u ruajtur nga osmanët.

(Kosova Sot)