Institucionet e lënë në harresë ansamblin"Shota"

  • 24 January 2017 - 09:11
Institucionet e lënë në harresë ansamblin

Grajçevci: Duhet amendamentim urgjent i Ligjit të Ansamblit 

Kthimi i dinjitetit të punëtorëve të Ansamblit, rregullimi çështjes së gradimit, stazhi i benificuar, sigurimet shëndetësore, janë shumë prej prioriteteve dhe kërkesave që dalin si nevojë për funksionin normal të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve "SHOTA". Përveç kësaj, duhet dhe amendamentimi i ligjit për 'SHOTËN' dhe nxjerrja e dy akteve të rëndësishme nënligjore për sistematizimin e vendeve të punës dhe rregulloren financiare. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" drejtues të sindikalistëve dhe drejtues të Ansamblit. Në një prononcim për "Kosova Sot", Besnik Grajçevci, valltar në ansambël dhe kryetar i Shoqatës Sindikale të Pavarur të AKKV 'SHOTË', tha se shoqata që ai drejton gjatë vitit 2016 ka bërë përpjekje për njoftimin e organeve përgjegjëse të MKRS-së për shqetësimet e artistëve lidhur me formën e gradimit dhe pagat e padinjitetshme. Ai ka thënë se në takim që përfaqësuesit e SHSPKKV së "SHOTËS" kanë pasur në 2016 me ministrin Shala dhe këshilltarët e tij, kanë kërkuar që të ndërmerren hapa konkretë në realizimin e shumë prej kërkesave të tyre, duke marrë edhe premtime nga ministria se në fillim të 2017-s do të fillojnë punën për trajtimin e shqetësimeve të ngritura nga sindikalistët e "Shotës"., shkruan gazeta Kosova Sot

Kërkohen paga të dinjitetshme

Grajçevci ka bëtë të ditur se duhet një nivelizim në mes të institucioneve vartëse të MKRS-së, duke marrë për bazë rrogën bazë, pra fillestare, kur punëtorët pranohen në punë, e cila rangohet në kategoria III. Po ashtu, sipas tij, duhet të jenë edhe dy kategoritë e tjera të njëjta paralel mes institucioneve II dhe I. "Shteti duhet të trajtojë këtë kategori punëtorësh, ku dihet se institucionet e nivelit shtetëror të Republikës së Kosovës që janë nën ombrellën MKRS-së janë pasqyra më e lartë e kulturës dhe një standard drejt rrugës për BE-në", ka thënë Grajçevci, duke shtuar se jo vetëm për punëtorët e 'SHOTËS', por edhe për institucionet e tjera kombëtare duhet që përmes një vendimi urgjent të rregullohet statusi profesional dhe pensional, i pagave, i cili nuk është i rregulluar, por funksionon sipas Rregullores Nr. 05/2011 për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të artit skenik dhe trashëgimisë kulturore. Ai ka thënë se institucionet përgjegjëse shtetërore duhet që përmes veprimeve konkrete të krijojnë kushte shumë profesionale, në radhët të parë pagave të dinjitetshme përmes nivelizimit me profesionet përkatës, kushteve dhe përvoja artistike. Për të realizuar këtë duhet të rregullohet koeficienti i pagave dhe kategorizimi, që sipas Grajçevcit, duhet të jetë, për kategorinë e për punëtorët deri në 5 vjet përvojë pune rroga bazë duhet të jetë e barabartë me koeficientin e pagës në arsimin e mesëm, jo më pak se 550 deri 600 euro, Kategoria II, ku hyjnë punëtorët nga 5 deri në 10 vjet përvojë punë të kenë rrogë 750 -850, ndërsa në Kategorinë e parë, ku duhet të hyjnë punëtorë me përgjegjësi drejtues, si përgjegjësit skenikë, trupa rezidente, udhehëqësia artistike dhe të parët e institucionit /korife apo doajen, duhet të kenë një rrogë nga 1100 deri 1300 euro. "Obligimet e tjera që duhet të rregullohen me dinjitet janë edhe pensionimi i benificuar për valltarët dhe instrumentistët frymorë, sigurimi shëndetësor, shujta, shpenzimet e punëtorëve që udhëtojnë më larg se 30 km dhe shtesat për fëmijë", ka pohuar kryesindikalisti i "SHOTËS", Besnik Grajçevci, duke besuar se institucionet do të punojnë në kthimin e dinjitetit të artistit kosovar dhe garantuar funksionin normal të "SHOTËS"

Ndarje joreale e buxhetit

Edhe drejtori i "SHOTËS", Shefqet Gjocaj, ka thënë se sistemimi i vendeve të punës dhe çështjet financiare janë prioritete të Ansamblit, që garantojnë funksionim normal. Gjocaj si nevojë urgjente ose prioritetet kryesore të Ansamblit "Shota", për funksionim normal, ka përmendur nevojën e amendamentimit urgjent të Ligjit të Ansamblit, i cili, sipas tij, ka shumë mangësi dhe nxjerrja e dy akteve të rëndësishme nënligjore, Rregullores për sistematizimin e vendeve të punës dhe rregulloren financiare. "Krijimi i Arkivit të Ansamblit mbetet prioriteti ynë që nga viti 2014, kur e kemi marrë mandatin, por që nuk është realizuar, sepse nuk janë ndarë mjete për investime/blerje kapitale për Ansamblin dhe kompletimi i Trupës Artistike, në radhë të parë Orkestrës, pastaj krijimi i Korit të Ansamblit dhe grupit të valleve", ka potencuar për "Kosova Sot" drejtori Gjocaj. Sipas tij, këtu hyn edhe ndarja më reale e buxhetit, pasi që kuota e deritashme ka qenë e pamjaftueshme që Ansambli ta zhvillojë aktivitetin e tij, sidomos janë dashur që të limitojë pjesëmarrjen në festivale prestigjioze ndërkombëtare, që organizohen jashtë Evropës, si pasojë e kostos së madhe, u shpreh ai.

(Kosova Sot)