Një libër rugove

  • 19 February 2017 - 09:16
Një libër rugove

SHKRUAN: SMAJL SMAKA

Me rastin e botimit të përmbledhjes më të re me poezi të Çun Lajçit "Përftim n'andrra t 'thyeme

Çun Lajçi, pos si aktor, gjithnjë e më shumë po dëshmohet edhe si poet i një ndjeshmërie e perceptimi të hollë dhe i një artikulimi të admirueshëm poetik, që janë veçori të mjaftueshme ta rendisin atë në radhën e krijuesve të mirëfilltë të artit letrar. Bota poetike e Çunit mbështetet kryesisht në gjeografinë e Malësisë, më konkretisht të Rugovës kreshnike, si një hartë e saj gjeografike me gurrat e cemta, shenat, përroskat, lumenjtë, shkrepat, gjollat, ograjat,brigjet, lakoret, grykat, gropat, lugjet, kreshtat, pllajat, shpellat, rrënjët, fierin, pishat, çetinat, hartinat, tabanët, kullat, shtrungat, rudinat, tufat, barinjtë, njerëzit e saj, fyejt, retë, qiellin, fajkonjtë, por edhe e anës së ashpër të saj - dimrit të cemtë, breshrit, dëborës, fërfëllizës, stuhisë, shtrëngatës, akullit, ulërimës së ujqërve.

POEZI ME MOTIVE FËMIJËRIE E DJALOSHARE TË AUTORIT

Poeti është i joshur, i mahnitur dhe i frymëzuar me Rugovën, siç thotë: "E bukur je Rugovë / e dhimbshme deri në palcë ", ose "Rugovë, e mbi kryet tim bukuria jote e qielli". "Unë s'iki nga trungu…e flas me gjuhën e rrajës". "Rugovën shpend me dy krena n'luleballë e kena" Në një poezi të këtij libri thuhet: " Më thanë laj faqet n "gurrën e Dashit/N' daç më pa/Asht ujë i përziem, me gjak". Disa poezi të kësaj përmbledhjeje janë me motive fëmijërie e djaloshare të autorit, si një biografi e tij: "ecë kam maleve, e tan jetën la jam prrojeve " … "e katrriseshim thepave si cjepnit"

AFËRSIA ME KËNGËT FOLKLORIKE

Çuni, pra, edhe në poezi do të mbetet me këmbëngulësi, me mburrje e krenari të theksuar rugovas tipik. Poezi, me motive e shpirt Rugove. Libër i Rugovës, do ta quaja. Poeti është frymëzuar nga pamjet e mrekullueshme, nga peizazhet panoramike rugovase, si dhe nga eposi lahutar kreshnik e nga këngët folklorike për të bëmat e figurave madhore të Rugovës e më gjerë në mbrojtjen e pragut të shtëpisë e të çdo pëllëmbe të Atdheut, të palcës e të substratit kombë- tar, në roje të kufirit e të atdheut, deri në vetëflijim, gjatë tërë historisë deri te dëshmorët e luftës së fundit. Vlen për t'i veçuar vargjet nga poezia kushtuar dëshmorëve të Rugovës, të luftës së fundit: Ju shoh, flas me juve e ju më ikni shikimit/Plagët, gjak kullue, s'më leni t'ua lidhë / Kohë s'kemi, më thoni, e kohën e kemi barot/Po u dogj ajo, flakë i del atdheut,/ Rugovën shpend me dy krena n ' lulëball e kemi/ Krahët ia falim e pak na duket jeta! Çun Lajçi si poet dëshmohet si njohës i mirë i lirikës popullore, i folklorit, duke qenë një si vazhdues i linjës poetike të Fishtës, Camajt, Shkrelit, i frymëzuar nga ajo gurrë e pashtershme poetike, duke i përdorur me mjeshtëri e më vend fjalët, figurat poetike, por duke mbetur gjithnjë i vetvetishëm.

NUK MUNGOJNË POEZITË PËRKUSHTUESE

Në tërësi në vete përbëjnë shqetësimet e poetit për rrudhjen, për tkurrjen e hartës së Vendit, frika nga humbja e pjesëve, e gjymtyrëve të Atdheut me vendime politike të krerëve të vendit. "Tokë me falë s'kemi"E s' do t'i humbim tokat tona" "M"a sjellë bukën, hutën e qefinin". ."Me mbrri /Në majën e Prehtë, N' Murgash me mbrri / Diku Moknave nji vorr me kërkue / A mbrrij nuk di, / Por m'u nisë Smajlovicës / Shallin e Sakut më kërkue". Po e veçoj edhe një strofë nga poezia "N' Çakorr nisni më kja" : "Alia me Jakupin tue pritë Kadri Bajrin/bajrak kufini ishin ba / Hej / Nëse shkoni n"Guci/ thanë,/ N"Çakorr ndaluni nismi me kja" Janë për t'u veçuar edhe poezitë përkushtuese, të cilat ua kushton heronjve e personaliteteve të këtyre anëve e më gjerë që nga Jakup Ferri, Sak Faslia, Jashar Haxha, Zhukë Haxhia, Ker Sadria, Azem Bejta, Demë Ali Pozhari, Ndue Perlleshi, për të vazhduar me figura si presidentin dr. Ibrahim Rugova, Azem Shkreli, Ismail Kadare, Bajram Kelmendi, Ali Podrimja, Mirko Gashi… Çuni ua ka marrë dorën shkruarjes së poezive të këtilla përkushtuese. Këto poezi dalin të sinqerta dhe të realizuara poetikisht. Disa poezi janë me motive jete mërgimtarësh tonë, si "Varri n"Atdhe" : "Të gjata i patëm rrugët / E pafund udhëtimet / Ne shqiptarët me duar n' gjepa". Po e mbylli këtë vështrim me vargun e Çunit kushtuar dëshmorit, por edhe të gjithë dëshmorëve "Lirisë iu bëmë farë".

(Kosova Sot)