Hakmarrja, si shpëtim nga dhuna dhe persekutimi

  • 19 February 2017 - 17:39
Hakmarrja, si shpëtim nga dhuna dhe persekutimi

"AROMË FEMRE", NJË DRAMË JO VETËM FAMILJARE

Bashkëshortja e vuajtur mban përgjues policie si dëshmi për futjen e burrit prapa grilave

SHKRUAN: OSMAN GORANC

Autorja Ibadete Abazi, në dramën "Aromë femre", gjatë gjithë kohës lexuesin apo shikuesin e mban peng, ngase nuk i lejon personazhet të shkojnë deri në fund të tregimeve të tyre!
Nga këndvështrimi fillestar, duket se kjo dramë, "Aromë femre", si ide qendrore ka luftën e fshehtë të dy personazheve femra, Lori dhe Dori, për dominim, ndjenjën e pareshtur për t'u treguar të qytetëruara dhe të lumtura me punën dhe jetën e tyre. Mirëpo, brenda vetes këto ngërthejnë edhe shumë tema të tjera; luftën për të qenë vetvetja, tradhtinë, mjerimin dhe nënshtrimin e një pjese të madhe popullsisë ndaj politikave aktuale të autoriteteve të kohës, dhembjen dhe zbrazëtinë e thellë shpirtërore nga e kaluara e tyre, dhe krejt në fund zbulimin e një të vërtete të tmerrshme; që të dyja, janë bashkëshorte të një burri "perfid", të pamoral, i cili me gënjeshtra dhe akrobacione hajnie - tenderomanie kishte arritur pothuajse majën e lidershipit të vendit.

TRI TREGIME TË SHKRIRA NË NJË

Në dramën "Aromë femre", autorja Ibadete Abazi, me një mjeshtri lineare na servon tri tregime të shkrira në një, sipas thënies së njohur të Friedrich Nietzshes. "Ai që ka për çka të jetojë mund të durojë pothuaj çfarëdo". E para ka të bëj me egon e femrës dhe të nënës me emrin Dori, të ngulfatur me heshtjen dikur të ndrydhur nga ndjenja e turpit, diferencimit familjar e shoqëror, por shumë të njohur e të përfolur, pa veprime konkrete të institucioneve, për golgotën dhe dhembjen e pashëruar e grave dhe e vajzave të dhunuara gjatë luftës të lëna në mëshirën e kohës!... E dyta ngërthen servilizmin dhe patriotizmin e rremë, burokracinë dhe apetitet e pangopshme për poste e para të pista, të një mashkulli që personifikohet me Donin, i cili karrierën e vet e ndërton në dëm të gruas të cilën e kishin dhunuar para syve të tij!... Tregimi i tretë ka të bëjë me Lorin, një bukuroshe e trazuar, e cila me një mendjelehtësi të pakontrolluar, por pa qenë dijeni, kishte filluar ta ndërtojë jetën, familjen luksin dhe dashurinë mbi fatkeqësinë e Dorit, gjithnjë duke qenë peng i heshtur i xhelozisë, mashtrimeve, gënjeshtrave dhe i forcës mashkullore të bashkëshortit aventurier.
KA GJITHÇKA, POR NUK KA NGROHTËSI DHE REHATI SHPIRTËRORE
Kjo dramë e merr brumin në një ngjarje tragjike të përjetuar shumë kohë më parë nga krye personazhet e saj, Dori dhe Lori që takohen rastësisht në rrethana tërësisht të ndryshme. Gjithçka nis me instalimin e kabllos për TV nga ana e Dorit, e cila në fillim prezantohet si teknike për instalimin dhe montimin e kabllove, në shtëpinë tejet luksoze të Donit, që njihej si njëri i fuqishëm i politikës ditore. Punën e saj, shtrirjen e kabllove, e përcjellë zonja e shtëpisë Lori, bashkëshortja e dytë e Donit, e cila shumë lehtë futet në kurthin e pyetjeve me shkas të teknikes së kabllove Dorit, dhe nis tregimin e vet për bashkëshortin, për vajzën që e ka me të, për dashurinë që nuk e ndjen dot dhe për luksin të standardeve evropiane në Kosovën e pasluftës, ku shumë familje ëndërrojnë një luks të tillë. Ajo e pranon se ka gjithçka, por nuk ka ngrohtësi dhe rehati shpirtërore!... "dhe, ti mendon që kam jetë fantastike? Që bëj jetë elitare! Të dukem zonjë e rëndë... Jo! Krejt kjo që sheh është fasadë! Ai vjen i dehur në shtëpi. Ai është i dhunshëm. Ai shkon me tjera në sy të mi. Dhe me e renda është që ndjenjën femërore e përjetoj kur burrit tim i dështon të flejë me tjera rrugëve. Kur tjetra si shkon në hotel, ai kthehet si hamshor tek unë. Dhe, shpesh me dhunon"... Edhe Dori e pranon se jetonte me një barrë të rëndë nga e kaluara e afërt. Ajo i shpalos momentet e dhunimit të egër nga paramilitarët, ikjen e bashkëshortit të saj të maskuar me veshje femrash. Tregon për ndjenjën e fajësisë, e cila e ndjek edhe pas periudhës së luftës, kur detyrohet të nënshkruajë dokumente false për përfitime materiale, për çka edhe bën burg në kohëzgjatje prej 10 vitesh për të bëmat e bashkëshortit, duke e lënë në duart e tija edhe vajzën që e kishte lindur pak vite më parë. Dhe, gjatë këtij tregimi zonja e shtëpisë, Lori, niset të mendojë se ardhja e saj si teknike në këtë shtëpi nuk ishte rastësi. 

PËRGJIMET 

Autorja Ibadete Abazi, në dramën "Aromë femre", gjatë gjithë kohës lexuesin apo shikuesin i mban peng, ngase nuk i lejon personazhet të shkojnë deri në fund të tregimeve të tyre! Pothuajse gjithë kohën, autorja në dramë në kuadër të trajtimit të pasojës ndërton karakterin e personazheve, të cilët pulsojnë me një fuqi ndoshta të padukshme, por të kuptueshme të ndjenjës njerëzore. Andaj si Dori ashtu edhe i Lori duken se mbajnë një peshë të rëndë të vuajtjeve të iniciuara nga i njëjti person, Dori. Ato edhe kanë dhembje të mëdha, dhembje shpirtërore më shumë. Ky është në fakt lajtmotivi themelor i ndërtimit të këtij teksti dramaturgjik duke ndjekur një vijë lineare të ndodhive, që në momente të caktuara kemi edhe tensionim të situatave. Kurse kah fundi kemi një shpërthim të fuqishëm të Donit, i cili me gjithë krenarinë mashkullore dhe bindjen se është i paprekshëm, Dorit dhe Lorit i pranon gënjeshtrat, falsifikimet, zhvatjet e tenderëve, etj. si dhe faktin se e flijoi bashkëshorten, e cila i bëri 10 vjet burg për të. Dhe, krejt në fund, autorja e zhvesh Dorin nga roli i saj si teknike e kabllove, në rolin e bashkëshortes së vuajtur që mban përgjues policie si dëshmi për futjen e Donit prapa grilave!... Në dramën "Aromë femre", të Ibadete Abazit, tërë kohën ka akumulim ndjenjash, personazhet kanë aq shumë për t'i thënë njëri-tjetrit dhe kjo pa dyshim gjithë lojës i jep konotacione shumë reale jetësore. Kjo e bën edhe më të veçantë dramën, e cila mbjell farën esenciale tek syri kritik dhe tek ai teatror. Për këtë jemi bindur nga pritja e ngrohtë dhe duartrokitjet e gjata të publikut në sallë, si gjatë premierës të kësaj drame që u dha në Teatrin 'Dodona' më 16 dhjetor 2016, ashtu edhe gjatë reprizave. Kujtojmë që shfaqja është realizuar nga producenti Avni Abazi në bashkëpunim më Teatrin 'Dodona', me regji të Elhame Kutllovcit dhe interpretim të Vlora Merovcit, Besarta Fejza dhe Avni Abazi. Për të gjithë adhuruesit e teatrit, shfaqja do të jepet reprizë në Teatrin 'Dodona' me rastin e festës së 8 Marsit, në ora 19:30.  
 

(Kosova Sot)