"Ende ndihem çuditshëm afër njerëzve të famshëm"

  • 23 February 2017 - 16:46

KËNGËTARJA E FAMSHME EMELI SANDE FLET PËR JETËN DHE KËNGËT E SAJ

Nga mosha tetëvjeçare ka filluar të shkruajë këngët e veta

Emeli Sandé donte të bëhej një "Spice Girl" kur të rritej. "Ato ma vodhën fëmijërinë", bën shaka ajo
"Si vajza bënim lojëra 'Spice Girl'. Unë gjithmonë bëhesha Mel B, meqë ishim në Skoci dhe unë isha fëmija i vetëm i zi". Këngëtarja, e cila përdorë zërin e saj të fuqishëm për këngët emocionale që janë përzierje e ungjillit, hip hopit dhe muzikës "soul", ka një pamje mahnitëse në skenë, me stilin e saj të veçantë të flokëve dhe me fustanet e disenjatorëve. Por, personalisht, ajo është rrëfim tjetër. Ajo është e buzëqeshur dhe flet shumë, me flokët mezi të lidhura. Ajo është e rezervuar, por edhe miqësore në të njëjtën kohë. "Ende kam shumë turp kur flas me njerëzit", insiston ajo. "Më pëlqen që të jem e pavarur. Më pëlqen që të bëj muzikë dhe ta performojë atë. Kjo është e tëra". Sandé ka lindur në Sunderland, në vitin 1987, nga i ati Zambias dhe nëna angleze, të cilët u takuan derisa ishin duke studiuar. Emri i saj i vërtetë është Adele Emily Sandé. Ajo e ndërroi emrin në vitin 2008, për të mos u përzier me Adelen tjetër. Përgjatë tërë fëmijërisë së saj, Sandé vetëm kishte kënduar. "Nuk kisha ndonjë referencë ndaj kulturës së zezakëve, ndoshta për këtë shkak muzika kishte rëndësi të madhe për mua". 

Sandé është doktoresha që u bë yll i muzikës pop

Nga mosha tetëvjeçare ka filluar të shkruajë këngët e veta. "Mendoja se krijimi i një bendi të vajzave dhe bërja e këngëve pop do të ishte argëtuese". Por, thellë- thellë, thotë ajo, ajo mendonte se nuk e kishte atë që i nevojitej për një jetë të një vajze "Spice". "Isha një fëmijë shumë serioz". Në moshën 17-vjeçare, ajo refuzoi një marrëveshje muzikore me "Telstar", meqë në vend të kësaj vendosi që ta studionte mjekësinë në Universitetin e Glasgout. Kështu, Sandé është doktoresha që u bë yll i muzikës pop, me gjasë e vetmja këngëtare dhe kantautore e këtij kalibri, që ka diplomë nga mjekësia."Mendoja se mund të jetoja në Glasgou, duke u marrë me psikiatri, apo neurologji, dhe ta bëja një jetë të lumtur, të bëja ca fëmijë dhe të merresha me muzikë si hobi. Dhe, ende besoj në këtë opsion. Ende mund ta paramendoj veten duke u marrë me shkencë. Por, kjo do të nënkuptonte ndrydhjen e pasionit tim të madh ndaj muzikës". Pas një periudhe të shkrimeve dhe këndimit, karriera e Sandé-s eksplodoi në vitin 2012. Albumi i saj debutues, "Our Version of Events", qëndroi në vendin e parë për dhjetë javë, për t'u bërë më pas albumi më i shitur i vitit në Britani. Ajo performoi si në ceremoninë hapëse, po ashtu edhe atë mbyllëse të olimpiadës së Londrës. Mori dy shpërblime "Brit" në vitin 2012, si dhe një tjetër në vitin 2013. 

Ajo nuk dëshiron që të flasë për ndarjen

Por, fama dhe fati e patën koston e vet, sikur që ndodh shpesh. Sapo karriera e saj arriti sferat më të larta, Sande u nda nga burri, biologu i detit, Adam Gouragine, me të cilin ishte martuar në vitin 2012 dhe me të cilin kishte qenë në lidhje që nga mosha 17- vjeçare. Ajo nuk dëshiron që të flasë për këtë. Kur pyetet rreth jetës së saj të dashurisë, ajo thotë: "Është OK. Jeta e dashurisë për momentin është dashuria për muzikën. Çdo gjë tjetër është thjesht, ajo që është". m"Fakti që e kam një karrierë, më bën të lumtur", insiston Sandé, përkundër të gjithave. "Mu desh pak kohë që të përshtatesha. Më dukej sikur çdo gjë ishte duke ndodhur në të njëjtën kohë, sikur një kurs ndeshjesh. Mësimi më i madh që kam marrë në jetë, është se nuk mund t'i përshpejtosh gjërat, sikur që nuk mund t'iu ikësh atyre. Duhet të mos ngutesh dhe, në fakt, të ballafaqohesh me jetën. Nuk mundesh vetëm të shkruash këngë për jetën". 
 

(Kosova Sot)