Artistët kosovarë, në geto

  • 24 March 2017 - 08:48
Artistët kosovarë, në geto

Shumë artistë detyrohen të heqin dorë nga pjesëmarrja në eventet jashtë vendit,shkruan gazeta Kosova Sot.

"Ka të tjerë që e fillojnë dhe e ndërpresin procedurën. Disave u kërkojnë aq shumë dokumente, sakaq bëjnë të ndihen të poshtëruar artistët. Ka të tjerë, të cilët nuk kërkojnë fare konkurse jashtë vendit ose aplikojnë, por nuk shkojnë fizikisht", ka thënë Rudaku në një prononcim për "Kosova Sot"
P rivimi i qytetarëve kosovarë për të lëvizur lirshëm në Evropë ka goditur më së shumti komunitetin artistik në vend. Kjo po pengon pa masë pjesëmarrjen dhe prezantimin e tyre në evente të rëndësishme ndërkombëtare. Përveç kësaj, edhe pajisja me viza po del të jetë një punë shumë e mërzitshme për ta. Plotësimi i dokumentacionit deri në dorëzim për viza dhe koha e humbur po ua zbeh tej mase dëshirën dhe mundësinë për pjesë- marrje. Ndërsa, refuzimi që po ndodh në shumë raste, po del të jetë tmerrues për ta, pasi një përpjekje të gjatë për të tentuar për marrjen e një vize. Duke u nisur nga kjo, shumë prej artistëve tanë nuk shprehin ndonjë interes për pjesëmarrje në evente ndërkombëtare, edhe pse vazhdimisht ftohen nga organizatorët. Një situatë e tillë po krijon mjaft vështirësi dhe probleme për prezantim dhe shkëmbim të përvojave të artistëve tonë me ata të huaj. Për artistët tanë fajtori kryesor për këtë 'getoizim' është politika, e cila për interesa të tyre po bllokon marrëveshjet me BE-në, të cilat do të çonin deri tek mundësia e lëvizjes së lirë edhe për qytetarët tanë, konkretisht komunitetin artistik.

Artistët ndihen të poshtëruar

Në një prononcim për "Kosova Sot", studiuesi Avni Rudaku ka thënë se mungesa e lëvizjes së lirë për qytetarët kosovarë në vendet kosovare ka goditur veçanërisht komunitetin artistik. Sipas tij, realizimi apo pjesë- marrja në aktivitete të ndryshme nga artistët tanë po del të jetë jashtëzakonisht e vështirë. Sipas tij, proceduarat që duhet ndjekur deri tek pajisja me viza është shumë e lodhshme, dhe përveç kësaj vonesa në pajisjet me viza të artistëve, po u ha atyre një pjesë të mirë të afatit të vizës. "Liberalizimi i vizave pengon dhe ka penguar vazhdimisht realizimin e aktiviteteve jashtë vendit. Ne aplikojmë në një konkurs jashtë vendit dhe shteti, i cili të ka pranuar për vlerat artistike, por kur e mendon procedurën e ftesës e vizës, e anulon përzgjedhjen e veprave të tua si artist kosovar", ka thënë Rudaku. Sipas Rudakut, ka raste kur artistët kosovarë po ashtu nuk kanë kohë të aplikojnë fare për viza, ndërsa në aspektin artistik janë artistë me arritje të veçantë ideoestetike. "Ka të tjerë që fillojnë dhe e ndërpresin procedurën: disave u kërkojnë aq shumë dokumente, sakaq bëjnë të ndihen të poshtëruar artistët. Ka të tjerë, të cilët nuk kërkojnë fare konkurse jashtë vendit ose aplikojnë, por nuk shkojnë fizikisht!", ka thënë Rudaku në një prononcim për "Kosova Sot".

Fajtore politika

Edhe aktori Selatin Ademi ka pohuar se mungesa lëvizjes së lirë po del të jetë një pengesë shumë e madhe për artistët kosovarë për të lëvizur jashtë vendit. Ndërsa shumë herë, sipas tij, ata detyrohen të heqin dorë për shkak të mosdhënies së vizave apo edhe kohës së shkurtër të afatit të tyre. Aktori Ademi ka thënë se mosrealizimi i vizave në masë të madhe po pengon artistët kosovarë, pasi siç ka thënë ai më tej, nuk po arrin që të dalë jashtë territorit të Kosovës për ta shprehur intelektualin dhe diturinë e tij. Ademi ka drejtuar kritika ndaj atyre që pengojë marrëveshjet e vendit me BE-në për lëvizjen e lirë, siç ka thënë ai, gjithë kjo po ndodh për një kryeneçësi të disa personave për interesa të veta, që e kanë bllokuar këtë proces. "Kjo është diskriminim për një gjeneratë të artë që po u humbet mundësia për prezantim jashtë vendit, pasi aq shumë kemi talentë, si: regjisorë, aktorë, piktorë, skenografë etj., që po e bllokojnë me vetëdije perspektivën evropiane. Për mua, ky bllokim i vizave është i barabartë sikur të sëmurit ia anulon me shku te mjeku", ka thënë aktori Ademi. Kurse krijuesi Dan Ibrahimi ka thënë se pamundësia për të lëvizur lirshëm pengon promovimin e vlerave artistike në rrethe ndërkombëtare, por ka thënë se nuk pajtohet se e pengon krijimtarinë artistike. "Artistët e vërtetë krijojnë, sepse janë artistë dhe vlerat artistike nuk rriten as zvogëlohen nga vizat", ka pohuar ai.

(Kosova Sot)