S'kemi mjaftueshëm kinema për t'i shitur!

  • 26 March 2017 - 08:32
S'kemi mjaftueshëm kinema për t'i shitur!

Shkruan: Avni Rudaku

NË MBROJTJE TË KINOTEATRIT "JUSUF GËRVALLA" NË PEJË

Komuna e Pejës duket avokate e kinoteatrit, ndërsa nuk ndjek format ligjore për ta mbrojtur atë
Mbrojtja e kinoteatrit në Pejë është mbrojtje edhe për ruajtjen nga asgjësimi kinematografik në Kosovë nga privatizimi si dinozaur dhe me plot dyshime për mënyrën se si është bërë nga fillimi e deri më tash

Kinemaja në Gjilan është përfshirë në procesin e privatizimit në qendër të qytetit - bash mbi objektin e Teatrit të Qytetit - dhe tashmë është në përfundim e sipër, ndërtimi i ri afarist-banesor mbi themelet e saj. Komuniteti i artistëve dhe shoqëria civile thuajse nuk kanë ekzistuar në Gjilan për ta mbrojtur nga ndërrimi i destinimit nga investitori, me ndonjë zë kritik të shkapërderdhur nëpër tavolina kafenesh, rrjetesh sociale dhe asgjë më tepër. Ka pasur disa përpjekje të vogla të ndonjë individi të cilin edhe e njoh personalisht, por asgjë nuk është bërë në realitet si veprim i organizuar. Në krahasim me organizatorët, OJQ-të dhe të tjerët në Pejë e Prizren, në Gjilan ka dështuar aktivizmi qytetar dhe i artdashësve për të ruajtur kinemanë nga shndërrimi i truallit dhe objektit të saj në objekt privat banimi shumëkatësh. Ndoshta për dallim nga Gjilani, Peja dhe Prizreni kanë pasur administruesit e saj, OJQ-të dhe organizatorët e filmit të animuar "Anibar" dhe "Dokufest", të cilët të nisur edhe nga dëshira për të pasur hapësirat e tyre për festivalet e përvitshme që bëjnë, por edhe pasionin për film e teatër, kanë bërë që të jenë shumë më aktivë në mbrojtjen nga AKPja. Prandaj, sa e rëndësishme duket edhe administrimi i objekteve kulturore në procesin e privatizimit, duke iu dhënë OJQ-ve kulturore, në mënyrë që duke qenë aktive dhe me aktivitete, do të jenë më të organizuara, më të zëshme dhe më të artikuluara për të mbrojtur këto objekte nga privatizimi, likuidimi, shitja, ndërrimi i veprimtarisë etj. Edhe kino "Lumëbardhi" në Prizren, edhe kinoteatri "Jusuf Gërvalla" në Pejë, edhe kinema në qytetin e Gjilanit, etj., kanë mundur ta kenë fatin e njëjtë, po të mos kishte, presione, peticione, lajme mediatike, organizatorë festivalesh që administronin këto objekte dhe hapësira, sepse Gjilani nuk kishte një festival të tillë nga OJQ, sikur "Dokufest" apo "Anibar". "Flaka e Janarit" që mbahet përvitshëm në Gjilan, edhe pse e ka në menynë e saj më të re "Flaka film", filmat e metrazhit të shkurtër shfaqen në teatër, e jo në kinemanë e shkatërruar e të privatizuar! Po të ishte "Flaka e janarit" e organizuar jo nga komuna, por nga një OJQ gjilanase, jam më se i bindur se do të kishte më shumë peticione dhe zëra mbrojtës të kinemasë së qytetit nga privatizimi dhe sot do ta kishim kinemanë funksionale! Unë kisha besuar edhe më shumë në Rrjetin e Organizatave Joqeveritare, sikur ta kishin një platformë të përgjithshme në krejt Kosovën, duke mbrojtur secilën kinema të qytetit, e jo vetëm kinemanë e Pejës apo të Prizrenit, pa lënë anash edhe fajësimin për kinemanë e Gjilanit, më së shumti edhe vetë komunën dhe artdashësit gjilanas pasivë.

HIPOKRIZIA E DISA NEOLIBERALËVE JOQEVERITARË

Logjika e njëjtë e mbrojtjes së kinoteatrit në Pejë apo Prizren do të kapte edhe Kosova Filmin, ish-qendrat kulturore, ish-objektet e Entit të Teksteve dhe Mjeteve Mësimore, etj., apo jo?! Prandaj, për çfarë i kritikoj sjelljet e disa neoliberalëve joqeveritarë në to është fakti se janë të rreptë për tregun e lirë dhe privatizimin e secilit institucion e ndërmarrje (neoliberalë të sertë), qoftë edhe për Kosova Film-in, ndërsa kur janë në pyetje kinematë e qyteteve, thonë se janë publike dhe të qyteteve përkatëse (na bëhen herë socialdemokratë, herë të majtë radikalë, herë komunistë, herë anarko-sindikalistë)! Kjo që po them është për të kritikuar edhe vetë sjelljet e disa OJQ-ve dhe bartësve të tyre, të cilët të akuzojnë për komunizëm në rast se kërkoni ta mbroni edhe Kosova Film-in, ndërsa po të njëjtit dalin dhe e mbrojnë kinoteatrin e Pejës, duke thënë se është objekt publik dhe i takon qytetit!!! Pse njëri ish objekt kulturor i takon qytetit, e tjetri jo Kosovës?! Po ashtu, duhet të jemi të qartë në terminologji, kur flitet për privatizim, likuidim, spinof-special, etj., pasi që likuidimi nënkupton shitjen, shpërndarjen e të hyrave dhe ndërprerjen e ekzistimit të ndërmarrjes, për dallim nga format e tjera që tregojnë se edhe pse investitori e ka blerë, ai nuk guxon ta ndërron veprimtarinë e ndërmarrjes, ndërsa në Kosovë, ka dyshime se ka pasur shkelje në shumicën e proceseve, qoftë në privatizim, spinof-special, likuidim a shitje, e mos të flasim edhe për çmimin e vënë qesharak!

Image

KINOTEATRI "JUSUF GËRVALLA"

Objekti për kinema e teatër "Jusuf Gërvalla" në Pejë është shfrytëzuar për kohë të gjatë nga drejtuesit dhe organizatorët e festivalit të filmit të animuar "Anibar" dhe është thënë se komuna e Pejës është zotuar se do ta lë në administrim të saj edhe për 15 vjetët e ardhshme. Ka pasur herë pas herë edhe filma të tjera artistikë që shfaqen në këtë objekt, duke e bërë më tërheqëse jetën kulturore në qytet. Ky objekt është thënë se po likuidohet, ndërsa është po ashtu në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme, sikur edhe mund ta gjeni në faqen zyrtare të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Kinoteatri i Pejës daton nga viti 1960 në këtë listë (ndonëse organizatorët thonë se është ndërtuar në vitet e '50-ta), ka numrin rendor 467 dhe numrin në databazë 000362. Këtë argument e kanë vënë edhe drejtuesit e OJQ-vë në deklaratën e tyre të përbashkët "Kinemaja është e qytetit", ku përveç të tjerash përmenden edhe argumentet e tjera ligjore, kadastrale, historike, kulturore, urbane, etj., të cilat do t'i përmbledhim shkurtimisht e disa t'i parafrazojmë si në vijim: të qenit pronësi kadastrale e Komunës së Pejës, me numrin njësisë kadastrale P- 71611071-02398-1; me plan zhvillimor urban dhe komunal 2006-2025 të miratuar në vitin 2007 në Kuvendin Komunal; ndikimi i kësaj kinemaje për krijimin e traditës dhe identitetit kulturorartistik të qytetit, vendi i festivaleve, shënjues kulturor-referencial i qytetit (p.sh., nëse dikush e pyet mikun ku është, nuk thotë jam te furra, por jam te "Kino-teatri" dhe saktësisht dihet se ku është!), transformimi i objektit në hapësirë kulturore të vetëqëndrueshme dhe multifunksionale, mbështetja që gëzojnë nga qytetarët dhe OJQ-të e tjera kulturore nga e tërë Kosova etj. Po ashtu, është duke u nënshkruar peticioni nga mijëra qytetarë dhe po ashtu kjo do të duhej të ishte me rëndësi për komunën e Pejës dhe AKP-në! Ka pasur edhe solidarizim onllajn me hashtagët e vënë në mbrojtjen e kino-teatrit të Pejës!

AKP-JA DHE KOMUNA E PEJËS

Komuna e Pejës duket avokate e kinoteatrit, ndërsa nuk ndjek format ligjore për ta mbrojtur atë. Me Ligjin për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të komunës, komuna e Pejës do të mund t'ia paraqiste kërkesën Drejtorit Menaxhues të AKP-së për këmbimin e pronës dhe pastaj drejtori detyrohej ta paraqiste kërkesën në Bord. Neni 12 i këtij ligji, flet në mënyrë të qartë kur një objekt është interes publik, e që në këtë rast, kinoteatri i Pejës është me siguri të plotë objekt me interes publik: "E drejta e Komunës në kthimin e një pjesë të tokës të menaxhuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit". Ja çfarë thonë ky nen me paragrafët e tij:"1. Komunat kanë të drejtë për interes publik, kthimin e pronës së paluajtshme që përfshinë tokat e ish-Ndërmarrjeve Shoqërore të cilat janë në territorin e Komunës dhe tani administrohen dhe menaxhohen nga AKP-ja. 8 2. Komunat duhet të hartojnë listën e parcelave të tokave, prona këto të ish-Ndërmarrjeve Shoqërore tani të menaxhuara nga AKPja, që Komunat kërkojnë t`i rikthejnë për interes publik. 3. Lista e pronave të cilat i hartojnë komunat sipas paragrafit 2. të këtij neni i dërgohet Qeverisë së Republikës së Kosovës, me qëllim të tërheqjes nga procesi i privatizimit dhe kthimit të tyre në pronësi të komunës me qellim të realizimit të interesit publik…"

AKP-JA DHE QENDRA KINEMATOGRAFIKE E KOSOVËS

Kur ishte bërë Ligji për Kinematografinë në vitin 2004, ishte përpiluar një nen shumë i rëndësishëm, i cili do të ishte argument shtesë për ta ruajtur kinoteatrin "Jusuf Gërvalla" në Pejë, të cilin nuk e kanë përmendur as organizatat joqeveritare në deklaratën e tyre të përbashkët. Neni 8 i këtij ligji, në faqen 3, precizon: "Kinemave në pronësi shoqërore ose publike, të privatizuara apo të dhëna me qira personave fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj, nuk mund t'u ndryshohet qëllimi i veprimtarisë pa pëlqimin e QKK." Kjo do të thotë se AKP nuk mund ta hedhë në likuidim, shitje apo variante të tjera të privatizimit, në rast se nuk merr pëlqimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës. Asnjë dëshmi nuk është publikuar se AKP ka bashkëpunuar apo ka marrë pëlqimin e QKK-së, qoftë në privatizimin e kinemasë së qytetit në Gjilan, qoftë në vendimin e fundit të AKP-së për ta hequr qafe edhe kinoteatrin në Pejë. Po ashtu, edhe QKK ka dështuar që të ndihmojë kinematë e qyteteve kryesore të vendit, për t'i asistuar ato në procesin e ruajtjes së këtyre objekteve. QKK as nuk bëhet aktive dhe interaktive me komunat, drejtoritë për kulturë, rini dhe sport, organizatat joqeveritare, MKRS-në etj., për të mbështetur krijimin e rrjetit të kinemave në vend dhe për t'i mbrojtur nga privatizimi. QKK me përjashtim të disa fondeve që i ndanë për projektet kinematografike, ka dështuar të merret më shumë me jetën kinematografike në vend, të nxit diskutime cilësore me komunitetin e kineastëve dhe artdashësve rreth Kosova Film-it, produksioneve filmike, përpilimin e ligjit të ri mbi kinematografinë në mënyrë më profesionale, më të përshtatshme për rrethanat kulturore-ekonomike dhe historike të Kosovës, etj. 

MË MIRË FALAS KINOTEATRI ME OJQ-NË SHFRYTËZUESE, SESA SHITJE PËR NDONJË SUBJEKT PRIVAT

Kosova nuk ka kinema sikur ka me bollëk pompa benzine, kafeteri, butiqe, etj., prandaj kinematë duhet të mbështeten në forma të ndryshme. Aq më shumë kur një komunë që e definon vetveten qytet, të mos ketë edhe një kinema të vetme. Po si t'i thuhet qytet, një qytetit pa kinema, pa teatër?! Kosova ka filluar të ketë ndonjë kinema komerciale 3D e 6D në qendrat tregtare, apo edhe kinemaja më e njohur në vend "Cineplexx", ku mund të shkojnë shikuesit nga anembanë Kosovës, për të shijuar filmin me praninë e të tjerëve, por shumica e qyteteve tona kanë jetë shumë të varfër kulturore, qoftë me shfaqje teatrore, apo filma në kinema. Në këtë kontekst, më mirë që ish objektet që janë shfrytëzuar dikur për kinema, qendra kulturore, ish objektet për "Entin e Teksteve dhe Mjeteve Mësimore", etj., të shfrytëzohen për aktivitete kulturore, qoftë edhe duke ia dhënë nën menaxhim e shfrytëzim falas edhe një OJQ-je kulturore për disa vjet, por për të mos dalë probleme ligjore në të ardhmen për pronësi, të ketë kontratë të qartë, e jo të krijohet iluzioni i pronësisë nga individët vetëm se drejtojnë një festival kulturor! Mund të ketë në të ardhmen implikime ligjore dhe konflikte sociale-pronësore, nëse nuk definohet qartë menaxhimi, kushtet, kohëzgjatja, etj. Nëse krahasojmë gjendjen e objektit të kinemasë në Gjilan, më mirë të ketë një OJQ që e administron falas kinoteatrin në Pejë, sepse e shpëton atë nga tjetërsimi, sikur ndodhi në Gjilan, ku në themelet e ish kinemasë, është ndërtuar objekti i madh banesor dhe ndonjë artist shpreson se kur të përmbyllet krejt ndërtimi, ndoshta katin e parë do ta jap investitori privat si kompensim për kinemanë, por deri më sot, kemi ndërrim të destinimit. Prandaj, në këtë kuptim, më mirë të jetë një OJQ që e shfrytëzon kinoteatrin "Jusuf Gërvalla", qoftë edhe falas, sesa të shitet për qindra mijëra euro. Sepse edhe sikur të shisnim e me ato mjete financiare të ndërtonim kinema të re luksoze, lokacioni si i tillë, është me rëndësi të posaçme në qytet. Edhe sikur të shitej objekti i tillë, ato para shkojnë në fondin e akumuluar të privatizimit, që është thënë se rrinë në bankat jashtë Kosovës dhe një prej qëllimeve thuhet se është ndarja e këtyre parave me Serbinë, prandaj të gjitha shiten dhe paratë grumbullohen jashtë vendit për të mos u shfrytëzuar për asgjë tjetër. Po ashtu, një dyshim tjetër qarkullon në kokat e njerëzve se politikanët e caktuar i shfrytëzojnë ato para me banka të caktuara jashtë vendit dhe në vend të kthimit në investime brenda, paratë mbeten jashtë për qëllime krejtësisht të panjohura. 

(Kosova Sot)