Një kombinim i një komedie të seksit dhe të zhanrit aksion

  • 26 March 2017 - 20:32
Një kombinim i një komedie të seksit dhe të zhanrit aksion

Dy personazhet po ashtu grinden mes vete se a është Ponch homofob, apo jo.

Dax Shepard ka bërë regjinë, ka shkruar skenarin dhe luan njërin ndër rolet kryesore në këtë përshtatje të gjymtë të një serie të njohur televiziv.

Seria TV "CHIPS" (1977-1983) nuk ishte tërësisht klasike, por ama rrezatonte me një ekselencë, krahasuar me këtë variant të ekranit të madh, i cili me të metat e veta, meriton vendin në të njëjtin grup me filmat, si "Car 54, Where Are You?" dhe "Starsky & Hutch". Një kombinim foshnjor i një komedie të seksit dhe të zhanrit aksion, filmi "CHIPS" vetëm sa do t'ia dalë që t'i dëbojë fansat e serisë origjinale, por edhe shikuesit e rinj, të cilët do ta pyesin veten pse në një komedi me policë, ka aq shumë panik ndaj homoseksualëve. Faji lirisht mund t'i hedhet Dax Shepardit, i cili shkroi skenarin dhe bëri regjinë e këtij filmi, si dhe i cili paraqitet në njërin prej roleve kryesore të filmit, përkrah aktorit tjetër, Michael Pena. Ata luajnë rolet e Jon Baker, respektivisht të Frank "Ponch" Poncherello, policëve patrullues të Kalifornisë, që në seri luheshin nga Larry Wilcox dhe Erik Estrada. Në versionin filmik, Jon është ish-yll i ngasjes së motoçikletës, i cili tani ka shumë probleme mjekësore dhe ka një martesë të dështuar, ku ish-gruaja e tij është Kristen Bell, gruaja e Shepardit në jetën reale. Duke dashur që ta kthente atë me çdo kusht, ai bashkohet me CHP, duke u bërë më i vjetri nga ta. Ponch, emri i vërtetë i të cilit është Castillo, është agjent i FBI-së nga Majami, i cili është në detyrë sekrete, si partner i Jonit, për ta hetuar një vjedhje milionëshe, e cila duket të ketë qenë "dallavere e brendshme" (inside job)

SHEPARD MENDON SE PJESËT INTIME TË NJERIUT MUND TË JENË BURIM I HUMORIT Pjesa më e madhe e skenave të këtij filmi, të cilat mundohen që të na bëjnë të qeshemi, kanë të bëjnë me personalitetet kundërshtuese të këtyre dy personazheve kryesore, ku Jon është tipi i ndjeshëm, i cili gjithmonë e kalon kohën duke eksploruar ndjenjat e veta dhe ato të të tjerëve, derisa Ponch është i obsesionuar pas seksit, i cili sapo sheh një femër me rroba të ngushta, sikur paralizohet në vend. Këta dy njerëz nervozojnë njëri-tjetrin në fillim, por pas disa episodeve relativisht të rrezikshme, ata lidhen midis veti. Në ndërkohë, Ponchit i duhet që të merret me shefin e tij në FBI (Isiah Whitlock Jr.), i cili, sikur një zyrtar i vërtetë policie, nuk bën asgjë, përpos që e shprehë zemërimin. Ponchit i duhet që të merret edhe me një ishpartner (Adam Brody), i cili është i mërzitshëm, por edhe i rrezikshëm. Për arsyet të cilat më së miri i di psikiatri i tij, Shepard mendon se pjesët intime të njeriut mund të jenë burim i humorit. Më shumë se një skenë na paraqet tmerrin e Ponchit nga mendimi që të vijë në kontakt me 'haletin' e partnerit të tij, gjë që edhe ndodhë në një skenë qesharake, ku atij i duhet që ta bartë Jonin lakuriq, të pafuqishëm, deri në banjë. Kjo ia jep njërën prej shumë mundësive Shepardit që ta paraqesë trupin e tij plot muskuj edhe pse në këtë film ka edhe gjinj femrash, aq sa për t'i kënaqur shikuesit heteroseksualë të këtij filmi. Dy personazhet po ashtu grinden mes vete se a është Ponch homofob, apo jo. 

AKTORËT NË ASNJË MOMENT NUK NA MAHNITIN ME AKTRIMIN E TYRE Dashuria e Shepardit ndaj motoçikletave është evidente në çdo skenë. Por, përkundër të gjitha përpjekjeve në këtë drejtim, asnjëra nga skenat e ndjekjeve me motoçikleta nuk janë kushedi sa të mira. Duke tentuar me çdo kusht që të na lejë një përshtypje të mirë, filmi përfshin edhe episode të tilla të çuditshme, sikur ai ku Jon dhe Ponch diskutojnë rreth asaj se a është "ngrënia e prapanicës" një praktikë e rëndomtë seksuale, apo jo. Shepard e ka vështirë që të përfitojë nga talenti i tij për humor, derisa Pena në pjesën më të madhe të filmit duket në siklet, qoftë kur është duke ngarë motoçikletën, apo edhe kur pretendon të jetë dikush të cilit femrat nuk mund t'i bëjnë ballë. Aktorët në asnjë moment nuk na mahnitin me aktrimin e tyre. Në mesin e aktorëve dytësorë, të cilët po ashtu dështojnë që ta arrijnë maksimumin, është edhe Vincent D'Onofrio, i cili assesi nuk ia del që personazhin e tij ta bëjë interesant.

(Kosova Sot)