Emra që (s)'harrohen

  • 18 April 2017 - 08:26
Emra që (s)'harrohen

Kosova ka shumë figura të njohura, që do të promovonin kulturën dhe shtetin tonë të ri në botë.

"Nëse nuk i takon një force politike, nuk ke buxhet e as promovime, sepse asnjë zyrtar nuk e konsideron Qeverinë si pronë të shtetit, por pronë personale, ku buxhetin e harxhojnë, sipas dëshirave te tyre", ka pohuar Rexhepi,raporton Gazeta Kosova Sot,

Ministria e Kulturës, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme e kanë për detyrë dhe janë të obliguara për promovimin e kulturës sonë në botë. Mu për këtë arsye janë edhe ambasadat e shteteve me zyrtarë e atashe kulturorë, përmes të cilëve zhvillimet kulturore të një vendi bëhen të njohura për vendet e tjera. Në një prononcim për "Kosova Sot", mjeshtri i fotografisë, Fahredin Spahija, ka thënë se institucionet vetëm një herë të vetme kishte tentim serioz, që arti pamor i Kosovës të shpalosej jashtë kufijve të saj në një mënyrë më serioze. Sipas tij, në vitin 2007 kuratori britanik James Walmsley pas një hulumtimi njëvjeçar, duke vizituar atelie të shumta artistike dhe duke takuar pjesën më të madhe të artistëve pamorë të Kosovës krijoi një listë të ngushtë prej nëntë artistëve, përmes artit të të cilëve ai krijoi një koncept të prezantimit të artit bashkëkohor të Kosovës në qytetin Manchester të Britanisë së Madhe. "Ekspozita nën emërtimin "Fragile State-Art from Kosova" e hapur në "Stockport Gallery" të Manchesterit e konceptuar me artin e artistëve: Xhevdet Xhafa, Agim Salihu, Rudina Xhaferi, Ismet Jonuzi, Fahredin Spahija, Arian Berisha, Eshref Qahili, Zake Prelvukaj dhe Adem Rusinovci mëtonte që publikut britanik t'i shpalosej artit bashkëkohor kosovar dhe tendencat e zhvillimit të tij në shtetin më të ri evropian", ka thënë Spahija, duke shtuar se ekspozita asokohe kishte jehonë të konsiderueshme në opinionin britanik dhe u pasqyrua veç përmes BBC-së, gazetave lokale të Manchesterit, si dhe në faqet e gazetës prestigjioze "The Guardian", ku ndër të tjera thuhej se shteti i brishtë është: zemra dhe shpirti i një Kosove kolektive, është frika dhe shpresa për të ardhmen, e shikuar përmes syve indi vidualë. 

Përzgjedhja joadekuate

Spahija ka thënë se është krejtësisht e pakuptimtë të kthehemi prapa dhe të evidentojmë mundësitë e lëshuara nga institucionet përgjegjëse për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës kosovare jashtë kufijve të saj, sepse çdoherë ka mundësi të përmirësohen gjërat. "Ajo çka do të duhej të bënte Ministria e Kulturës e Kosovës për afirmimin e artit pamor në Evropë dhe më gjerë është - angazhimi i një kuratori kredibil të huaj, i cili në mënyrë krejt të paanshme do të hulumtonte artin aktual, që krijohet në vendin tone dhe në saje të atij hulumtimi të krijonte një ide apo koncept për prezantimin e artit bashkëkohor kosovar, në botë", ka thënë më tej Spahija. Më tej, Spahija ka thënë se Bienali i Venedikut ka qenë po ashtu, një mundësi e mirë për ta prezantuar artin bashkëkohor të Kosovës porse ka mbizotëruar qasja e gabuar e atyre, që kanë vendosur rreth këtij përfaqësimi. "Duke zgjedhur në tri edicionet e fundit të tij vetëm nga një artist (Petrit Halilaj 2013, Flaka Haliti 2015, Sislej Xhafa 2017) në vend se në çdo edicion të këtij Bienali të rëndësishëm botëror të bëhej përzgjedhja e 4-5 artistëve, që krijojnë e jetojnë në Kosovë, në mënyrë që t'u jepej rasti për ta ekspozuar artin e tyre individual, por të konceptuar nga kuratori si një tërësi që do t'i përshtatej konceptit të përgjithshëm të Bienalit", ka pohuar Saphija. 

Politika dominon mbi kulturën

Kurse shkrimtarja Behare Rexhepi, njohëse e diplomacisë kulturore, ka thënë se Ministria e Kulturës, Ministria e Integrimeve, si dhe Ministria e Punëve të Jashtme, e kanë për detyrë kombëtare dhe për promovimin e veprave kulturore në botë, dhe mu për këtë arsyeje janë edhe ambasadat e shteteve me zyrtarë e atashe kulturorë, përmes të cilëve zhvillimet kulturore të një vendi bëhen të njohura për vendet e tjera. Rexhepi ka thënë se Ministria e Kulturës ka edhe zyrtarë për diplomaci kulturore, po pa ndikim vendimmarrës. "Që dy vite konkurrohet për promovimin e një romani të botuar në Francë, e institucionet tona heshtin, e injorojnë dhe nuk mbështesin këtë promovim. Buxhetin e destinuar për diplomaci kulturore e shpërndajnë në gjëra të panevojshme dhe aspak nuk i shërbejnë përmirësimit të imazhit të Kosovës", ka thënë ajo. Sipas Rexhepit, romani "L'embuscade" (Prita) nga Reshat Sahitaj, është romani i vetëm i botuar në Francë nga një shtëpi botuese serioze e institucionet tona refuzojnë ta promovojnë këtë vepër letrare të vlerësuar nga kritikë të njohur francezë e anglezë. "Nëse nuk i takon një force politike, nuk ke buxhet e as promovime, sepse asnjë zyrtar nuk e konsideron Qeverinë si pronë e shtetit, por pronë personale, ku buxhetin e harxhojnë sipas dëshirave të tyre", ka pohuar ajo. Edhe shkrimtari Fahredin Shehu ka thënë për "Kosova Sot" se nevoja për promovim është shumë e madhe. Ndërsa ka thënë se nuk është vetëm Ministria e Kulturës, që duhet ta marrë gjithë barrën për promovim të personaliteteve kosovare të kulturës. "Duhet edhe Ministria e Punëve të Jashtme, madje kjo më shumë se e para. Edhe pse MKRS-ja ka divizionin e promovimit, mendoj se nevoja për promovim është shumë e madhe. Kam parasysh se nevojitet edhe infrastruktura dhe investimet kapitale, por gjithnjë kujtoj se kultura në arenën ndërkombëtare mbetet veprimtari individuale me mbështetje të paktë. Ky është një problem i vjetër dhe duhet mendësi e re për të ndryshuar situata", ka thënë Shehu

(Kosova Sot)