Historia e UÇK-së të arkivohet në një muze të veçantë

  • 21 April 2017 - 10:12
Historia e UÇK-së të arkivohet në një muze të veçantë

S hteti i Kosovës duhet të themelojë një muze të veçantë për të pasqyruar luftën dhe historikun e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Hapësirat e Muzeut të Kosovës janë mjaft të rrudhura dhe nuk krijojnë mundësi për një ekspozitë të përhershme për historikun e UÇK-së, edhe pse ekspozita për luftën e fundit nuk do të mungojë edhe në të ardhmen. Pavarësisht se aktualisht, përveç kompleksit të Jasharëve në Prekaz ka edhe shumë pika që pasqyrojë historikun e UÇK-së, nuk mjaftojnë për të thënë dhe pasqyruar të vërtetën rreth dhe për UÇK-në. Andaj, sipas studiuesve dhe njohësve të zhvillimeve kulturore në vend, shteti i Kosovës duhet të themelojë një Muze të Veçantë, që do t' i kushtohet UÇKsë. Edhe këtë, sipas tyre, sa më shpejt,shkruan gazeta Kosova Sot

Heshtja e MKRS-së

Përderisa zyrtarë të Ministrisë së Kulturës nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës rreth idesë për një muze të tillë, personalitete kosovare që ishin edhe vetë pjesë e luftës janë shprehur pro idesë për një muze të UÇK-së. Në një prononcim për "Kosova Sot", studiuesi dhe krijuesi Naim Kelmendi, që edhe vetë ishte pjesëmarrës në luftë, ka thënë se vetë ideja për një muze të luftës së UÇK-së është shumë me interes për luftën e UÇK-së dhe historinë e lavdishme të kësaj lufte për lirim nga okupatori serb. "Unë them se një muze i veçantë për luftën e UÇK-së do të ishte me interes jo vetëm për të vërtetën e kësaj lufte, por do të ishte me interes veçanërisht edhe për mbamendjen historike të brezave dhe të ardhmes sonë, por pse jo me interes të veçantë edhe për opinionin e jashtëm, duke e pasur këtë muze si pikë referimi për njohjen dhe vlerësimin e kësaj lufte", ka thënë Kelmendi. Ai ka shtuar se një muze i tillë sigurisht se për historinë e luftës së UÇK-së për çlirim dhe pavarësim do të kishte shumanshmërisht efekte dhe rëndësi jo vetëm kulturore e etnografike, por edhe historike për kujtesën tonë kolektive.

Nevojitet edhe një obelisk për UÇK-në

Edhe krijuesi dhe studiuesi Dan Ibrahimi ka pohuar nevojën dhe domosdoshmërinë për një muze të tillë. Sipas tij, jo vetëm një muze, por edhe një obelisk për UÇK-në. Ai ka thënë se na duhet largimi i ndarjeve, siç ka thënë ai, patetike të krahinave, shtëpive, familjeve, pasi këto i kanë kushtuar vendit dhe luftës së UÇK-së. "Kështu po i bie se edhe Kosova, edhe liria, sikur janë bërë prona të pasardhësve të trekatër dëshmorëve dhe tre-katër komandantëve shumë të kamur çuditërisht pas luftës. Si ushtar i UÇK-së uroj që të bëhet i mundur vlerësimi i njëjtë i të gjithë të rënëve, sepse të gjithë e kishin gjakun të kuq fare. Uroj që po u bë ky muze, të mos dominohet nga tre katër ose pesë komandantë, që i duan këngët për së gjalli si Tito e Enveri", ka thënë Ibrahimi.

Koordinim për muzeun

Në anën tjetër, drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, duke kujtuar hapësirat e rrudhura të muzeut, ka thënë se kati i epërm i ndërtesës së këtij muzeu do të ketë një platformë, ku do të prezantohem tema të ndryshme të historisë më të re të Kosovës dhe lufta dhe historiku i UÇK-së do të ketë vëmendje të veçantë. Sipas tij, nuk do të ketë aneks të veçantë për ekspozitë të përhershme për UÇKnë. "Nuk bëhet fjalë për aneks, por bëhet fjalë për pjesë të rëndësishme të hapësirës ekspozuese. Gjithsesi që këto hapësira do të kenë edhe tema tjera", ka thënë Boshtarakaj, duke shtuar se MKRS-ja ka formuar një grup të pavarur, i cili do ta zhvillojë një koncept të asaj se si duhet organizuar apo riorganizuar hapësira ekspozuese në muze. "Duhet thënë se sado që është e prezantuar lufta e UÇK-së në Muzeun e Kosovës në asnjë mënyrë nuk do të ketë mundësi të mbulojë këtë periudhë të rëndësishme të historisë së vendit dhe themelimi i muzeve të specializuar sikurse ta zëmë Muzeu i ushtrisë, sot FSK apo nesër Ushtria e Kosovës. Brenda këtij muzeu do të flitet për historinë e vet, pasi themelet e veta i ka dhe i gjen tek UÇK-ja", ka pohuar ndër të tjerash drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, duke shtuar se duhet një mobilizim i përgjithshëm për ta bërë sa më të prezantueshëm historikun dhe sakrificën e UÇK-së.  

(Kosova Sot)