"Nënë Tereza", simbol i unitetit kombëtar

  • 23 April 2017 - 08:44

Shkruan: Florim Zeqa

NË DYVJETORIN E THEMELIMIT

Hykolli: Nuk jemi shoqatë që vrapojmë pas privilegjeve të pushtetit, por jemi shoqatë humanitare
Shtrirja e gjerë gjeografike e shoqatës "Nënë Tereza", hapja dhe përafrimi ndaj vlerave kombëtare, sinqeriteti dhe bujaria paraqesin çelësin e sukseseve të kësaj shoqate

Shoqata atdhetare "Nënë Tereza" nga Concordia Sagittaria (VE-Itali), në Teson (lokalitet në Concordia Sagittaria) shënoi këto ditë dyvjetorin e themelimit të saj me një program të pasur kulturor dhe sportiv, organizuar në mënyrë brilante nga kryesia e shoqatës. Manifestimi filloi në orët e para të pasdites me aktivitete sportive, për të vazhduar më pas me një program të pasur kulturor. Aktiviteti filloi me fjalën hyrëse të kryetari Rizah Hykolli, i cili fillimisht përshëndeti të pranishmit duke i falënderuar për pjesëmarrje në këtë aktivitet, për të shtuar më pas: "Sukseset e shoqatës tonë janë rezultat i një pune të përbashkët të të gjithë anëtarëve të shoqatës, e cila aktivitetin e zhvillon në baza vullnetare, e mbështetur nga donacione të mërgimtarëve dhe sponsori gjeneral "Fratelli KOLGECI S.N.C"...Nuk jemi shoqatë që vrapojmë pas privilegjeve të pushtetit, pas aferave dhe skandaleve, por jemi shoqatë humanitare, prandaj ndjehem tepër mirë kur shoh familjet shqiptare të bashkuara njëra me tjetrën si një familje e vetme në një shtëpi të madhe shqiptare".

MUZIKË, NËN TINGUJT E BUKUR TË GJUHËS SHQIPE

Më pas, kryetari Hykolli i ftoi për nga një fjalë rasti,Selman Hasën, kryetar i shoqatës "Bijtë e shqipes" nga Prata në Pordenone dhe publicistin dhe gazetarin Florim Zeqa. Program artistik filloi nën tingujt e ëmbël të muzikës shqipe, udhëhequr nga këngëtari i mirënjohur në diasporën shqiptare, i madhi Gjin Shani. Surprizë e këndshme për të pranishmit në këtë aktivitet ishte paraqitja e grupit hip-hop "ALGLOBOS", e dy të rinjve Bledi e Klodi, të cilët elektrizuan masën në sallë, duke krijuar një rreth të gjerë vallëzimi nga të gjitha moshat. Shoqata "Nënë Tereza", kësaj radhe, për të pranishmit kishte përgatitur një drekë të begatë me ushqime të shijshme tradicionale shqiptare. Pas përfundimit të drekës, u vazhdua deri në orët e vona të mbrëmjes me vallëzim të përbashkët në sallë, nën tingujt e bukur të muzikës shqipe dhe zërin e ëmbël të këngëtarit Gjin Shani. Shoqata atdhetare "Nënë Tereza" është një konglomerat i gjerë vlerash, duke filluar nga intelektualë të profileve të ndryshme, si: shkrimtarë, gazetarë, poetë, afaristë, studentë të dalluar në universitetet më prestigjioze italiane, aktivistë dhe veprimtarë të devotshëm të çështjes kombëtare,...e deri te një grupi i sportistëve të dalluar dhe grupi i shkëlqyer artistik, në përbërjen e të cilit ka këngëtarë, valltarë dhe rapsodë të dalluar. Shoqata "Nënë Tereza" udhëhiqet nga veprimtari i shquar i çështjes kombëtare, zoti Rizah Hykolli dhe një staf i mrekullueshëm aktivistësh të dalluar, si: Shemsi Gashi, Shqiponja Mukaj, Ruhi Ramadani, Besnik Elshani, etj. Shoqata "Nënë Tereza" në radhët e veta ka edhe afaristin e suksesshëm shqiptar në Itali, zotin Lirim Kolgeci, i cili me sukses e drejton firmën "Fratelli KOLGECI S.N.C".

DASHURIA NDAJ ATDHEUT

Vlen për të theksuar, se Lirim Kolgeci me firmën e tij janë sponsor gjeneral i të gjitha aktiviteteve të shoqatës "Nënë Tereza". Shtrirja e gjerë gjeografike e shoqatës "Nënë Tereza", hapja dhe përafrimi ndaj vlerave kombëtare, sinqeriteti dhe bujaria paraqesin çelësin e sukseseve të kësaj shoqate. Për dallim nga shoqatat e tjera, "Nënë Tereza" është e fokusuar në zhvillimin e aktiviteteve humanitare, respektimin e vlerave kombëtare dhe njerëzore. Jo vetëm kaq, shoqata "Nënë Tereza" është duke u përkujdesur edhe për ruajtjen dhe trashëgiminë e traditës, gjuhës dhe kulturës shqipe te brezat e rinj, posaçërisht te fëmijët e lindur dhe rritur në Itali. Me një fjalë, "Nënë Tereza" është shembulli më i mirë si mbahet dhe udhëhiqet një shoqatë në mënyrë të ndershme, apo siç e thoshte Shën Tereza: "Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha, por të gjithë së bashku mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe". Nuk është i rastësishëm fakti se, sa herë që organizon aktivitete shoqata "Nënë Tereza", bashkatdhetarëve u kthehet buzëqeshja dhe kënaqësia shpirtërore, u shtohet dashuria ndaj atdheut dhe vlerave kombëtare në përgjithësi. Kështu ndodhi edhe në kremtimin e dyvjetorit të themelimit të shoqatës, ku të pranishmit ndiheshin të relaksuar si në shtëpinë e tyre, duke dhënë kështu shembullin më të mirë të unitetit kombë- tar të shqiptarëve në Diasporë. "Kaluam një pasdite shumë të bukur, urojmë që në të ardhmen festat e tilla të jenë më të shpeshta, kjo është me interes dhe me shumë vlerë për të gjithë ne, e në veçanti për fëmijët tanë...", u shpreh njëri nga pjesëmarrësit në këtë aktivitet kulturor. Krejt në fund vlen për të theksuar, se prezentë në këtë aktivitet ishin bashkatdhetarët nga zona Portogruaro, Trevizo, Pordenone dhe Trieste, si dhe aktivistë të dalluar në Diasporë, si: Hamit Kurti, Sokol Gjokaj dhe Skënder Bytyqi.

(Kosova Sot)