Udhëtoni në kohë duke u ulur në parqet arkeologjike!

  • 27 May 2017 - 15:50
Udhëtoni në kohë duke u ulur në parqet arkeologjike!

Shkruan: AVNI RUDAKU

ME SHKAS VIZITËN NË PARKUN ARKEOLOGJIK TË ULPIANËS NË GRAÇANICË

Është mëkat që ky park të mos mbushet rregullisht me vizitorë

Sigurisht se në Kosovë, por edhe në disa vende fqinje, nuk ka lokalitet aq të ruajtur arkeologjik, me struktura aq të mëdha e gjera fizike, sikur Ulpiana në komunën e Graçanicës

A rkeologjia si shkencë, si aktivitet njerëzor, por edhe produktet e saj të kulturës materiale, gjithmonë na kanë tërhequr. Madje, deri më tash, me siguri të plotë mund të themi nuk mbetet rrugë më reale e udhëtimit nëpër kohë sesa përmes parqeve arkeologjike që na ofron arkeologjia me gërmimet, sondat, radarët, magnetometrat, hartat, sistemin e informacionit gjeografik (GIS), etj. Ka teori që në të ardhmen e afërt apo të largët, mund të bëhen krejtësisht reale udhëtimet në kohë pa arkeologji të tipit të sotëm, sikur nuk çuditemi sot me celularët e të folurit në distanca aq të mëdha, që gjyshet tona thoshin me habi të madhe: "Allah-Allah, prej këtuhit me pa njerin e gjallë në kuti e me fol me to"! Mirëpo, makina e udhëtimit në kohë, e vetme e provuar dhe e zbatuar sot, deri në realizimin e teorive të Ajnshtajnit, Hauking-ut, etj., do të jetë arkeologjia, e cila nëpërmjet ndjekjes së gjurmëve të mbetura të strukturave fizike, objekteve arkitektonike, varreve, objekteve të kulteve, mozaikëve të ndryshëm sikur mozaiku shumëngjyrësh në fshatin Dresnik të Klinës, etj., do të na japin ndjenjën sikur po rikthehemi në kohëra të vjetra dymijëvjeçare e më tepër apo më pak. Në Kosovë ka nevojë të investohet shumë më shumë në arkeologji, qoftë financiarisht, qoftë në cilësinë e kuadrove të reja, qoftë në specializimin e metodave të hulumtimeve të reja bashkëkohore, qoftë në nxitjen e bashkëpunimeve me institutet e ndryshme evropiane e më gjerë, për të identifikuar harta të reja, por edhe në zonat e përkufizuara arkeologjike, e të cilat janë të mbuluara me produkte bujqësore si misri. Nuk është se kanë munguar bashkëpunimet me arkeologë të huaj e institute, pasi që janë krijuar tashmë edhe këto urat e lidhjes, komunikimit e ndërveprimit, por ka nevojë edhe më shumë të gjinden rrugë të reja të ndriçimit të lokacioneve reja arkeologjike dhe thellimit të kërkimeve te lokacionet tashmë të gjetura. Kemi parë në disa vende se ka gjasa të mëdha të thesareve të rëndësishme arkeologjike, por janë fusha të mbushura me grurë, ose edhe ndërtime objektesh të reja të cilat janë bërë në toka me potenciale arkeologjike. Ka disa pjesë të komunës së Vitisë, që na ka rënë të shkonim dhe të shihnim në plot ara, se si ishin me gurë të çuditshëm, e që nëse do të investohej në arkeologji, të mbështetur edhe nga dijet e gjeofizikës e metodave të reja bashkëkohore, të dilnin produkte të ngjashme si mozaiku i Dresnikut, apo ndonjë tumë e vjetër. Në anën tjetër, ka edhe shumë lokacione arkeologjike të identifikuara tashmë, por që janë mbuluar nga bari, kallamboqi, etj. Ka edhe lokacione të tjera arkeologjike në disa fshatra të komunës së Gjilanit, Vitisë, Ferizajt, Vushtrrisë, Gjakovës, Prizrenit, rajonit të Drenicës, etj., të cilat kanë nevojë për funksionalizim të hapësirave për parqe arkeologjike, sikur u themelua me të drejtë parku arkeologjik i Ulpianës.

PARKU I MADH 

Sigurisht se në Kosovë, por edhe në disa vende fqinje, nuk ka lokalitet aq të ruajtur arkeologjik, me struktura aq të mëdha e gjera fizike, sikur Ulpiana në komunën e Graçanicës. Ndër veprimet e rralla e të ndritshme të kësaj qeverie në fushën e kulturës, ka qenë krijimi i parkut arkeologjik të Ulpianës dhe miratimi i rregullores për themelimin dhe administrimin e Parkut Arkeologjik "Municipium Ulpiana - Justiniana Secunda". Me paragrafin 1 të nenit 2 të rregullores, parku ka statusin e përhershëm, numrin unik të asetit, ndërsa me paragrafin 2, thuhet se shtrihet në komunën e Graçanicës, me perimetër 161.10 Ha dhe zonë rrethuese 96.23 Ha. Më tej tregohet se do të jetë nën përkujdesjen direkte të MKRS-së, etj. Ndonëse nuk është e çuditshme asgjë në Kosovë me keqqeverisje, habia mbetet se si një lokalitet arkeologjik aq i rëndësishëm si Ulpiana, bëhet me status të përhershëm dhe shndërrohet aq vonë në park arkeologjik. Sidoqoftë, u bë! Gjatë vizitës që i bëmë së fundi këtij parku, ishte i rregulluar dhe i mirëmbajtur mjaft mirë. Sapo u afruam në sportel për informacion fillestar, zyrtari në gjuhën serbe, na priti me mirësjellje, duke na ofruar fletushkat a fllajerat me tekste shpjeguese në gjuhën shqipe, mbi historinë e parkut arkeologjik dhe rëndësinë e saj si kulturë materiale. Menduam se ishte bërë tashmë me bileta, por jo, pa to! Edhe me bileta, nuk do të ishte keq! Ia vlen të shpenzojmë edhe për aktivitete kulturore, sikur është të udhëtuarit nëpër kohë, e veçanërisht në Ulpianë, në shekullin II të periudhës së sundimit romak. Ndonëse, aq varfëri, papunësi e paga të ulëta, e nuk janë aq të vizituara nga vizitorët këto hapësira as me hyrje falas, sakaq njeriut nuk i shkon mendja kurrë të thotë se duhet të bësh diçka me bileta në këtë vend! Sidoqoftë, është mëkat të mos mbushet rregullisht me vizitorë, me gjithë kujdesin për të mos shkelur rregullat brenda parkut e tejkaluar kufijtë e shiritat e vendosur, një park i tillë dhe po ashtu pa shpenzime as të hyrjes!

KRIJIMI I PARQEVE TË REJA ARKEOLOGJIKE EDHE NGA KOMUNAT

Në databazën e trashëgimisë kulturore arkeologjike, figurojnë disa lokacione arkeologjike: Fortesa parahistorike e Bellaçecit (Fushë -Kosovë), Fortifikata/Kalaja "Hisari i Kastërcit" në Suharekë, Gjurmët e vilës romake në Pestovë dhe Kalaja e Dubocit (Vushtrri), Gjyteti i Madh dhe Gjyteti i Vogël në Vuçak (Drenas), Kalaja e antikitetit të vonë në Topanicë (Dardanë), e tjerë e tjerë. Në databazën e trashëgimisë arkeologjike, disa janë nën referimin dhe emërtimin e klasës lokalitet arkeologjik, e të tjera kryesisht të klasës monument. Ato që janë të klasës lokalitet arkeologjik, të cilat nuk janë të ruajtura si struktura të mëdha fizike sikur kompleksi arkeologjik i Ulpianës në Graçanicë, nuk do të thotë se nesër të mos arrijnë edhe struktura më të gjera fizike, sikur të bëhen investime në kërkime të këtyre arealeve, por qoftë edhe krejt pranë tyre. Edhe në hapësirat e rrethuara të parkut arkeologjik të Ulpianës, pamë se përtej tyre, ishin bërë disa zona shiriti të cilat mund të jenë nesër pjesët e përbashkëta të këtij parku. Pranë parkut ka shumë fusha të mbjella me grurë e produkte të tjera bujqësore dhe ndoshta mund të ketë diçka përtej tyre. Sidoqoftë, ashtu sikur është bërë parku arkeologjik i Ulpianës, mund të bëhet parku arkeologjik në fshatin Llashticë të komunës së Gjilanit, në Bardhin e madh te Fortesa e Bellaçecit në Fushë- Kosovë, në Suharekë te Fortesa "Hisari i Kastërcit", ashtu në Nerodimen e Ulët të Ferizajt, te lokaliteti arkeologjik Municipium DD (Dardanorum) në Leposaviq, në Pejë, Besianë, etj. Duke bërë parqet arkeologjike, si p.sh., me rëndësi të madhe në nekropolin e tumulave të Rogovës në rrugën Gjakovë-Prizren, ne arrijmë t'i ruajmë këto hapësira në mënyrë më të sigurt nga shkatërrimi i tyre, plaçkitja e gurëve, e tjerë e tjerë, por edhe për funksionin më të dobishëm që shfrytë- zohet në shumë vende të zhvilluara, për të tërhequr turizmin lokal e ndërkombë- tar. Parqet e tilla jo vetëm bëhen mënyra të udhëtimit nëpër kohë për vizitorët, por ne mësohemi të bashkëjetojmë me të vjetrën. Parqet arkeologjike e rrisin vetëdijesimin për kulturën materiale te popullata që nga vegjëlia, pasi prindërit që ulen në një stol të parkut për të pushuar, duke bërë fotografi, marrin një shkas shtesë për t'u ngacmuar nga pyetjet e fëmijëve të tyre: "Babi a nani, ça osht qekjo?!". Parqet arkeologjike janë të këndshme edhe për të medituar mbi popujt e civilizimet e hershme, por edhe mund të shërbejnë për transformimin e njeriut nga brenda, meqë njeriu ka nevojë herë pas herë t'i rikthehet udhëve të gjeneratave e të gjeneratave për ta ndërruar krejtësisht mënyrën e jetesës dhe për ta shkrepur në përfytyrimin kreativ se si do të jetë edhe kjo mënyrë e jonë bashkëkohore e të jetuarit, një skedë arkeologjike për gjeneratat e mëvonshme pas nesh! Komunat bashkë me MKRS-në, mund të bëjnë miniparqet arkeologjike aty ku janë vënë në korniza këto lokalitet dhe monumente arkeologjike. 

NDRYSHIMI I MENTALITETIT KULTUROR MBI PARQET ARKEOLOGJIKE

Gjithnjë e më shumë flitet për edukimin qytetar rreth trashëgimisë kulturore, por jo edhe për edukimin e vetë zyrtarëve që merren me trashëgimi kulturore, në institucionet kulturore lokale dhe qendrore. Edukimi është një proces që duhet të përfshijë përjetësisht secilin prej nesh, por edhe tek ata e ato që merren me trashëgimi kulturore dhe ndonëse paguhen nga taksapaguesit kosovarë, nuk janë kultivuar aq shijet e përgjegjësitë arkeologjike, nuk kanë kreativitet kulturor, nuk janë përpjekur për të kontribuar edhe më shumë në këto fusha, si bie fjala, të qenit e disa lokaliteteve arkeologjike, sikur të ishin shtëpi të braktisura ku disa grupe adoleshentësh, pinë duhan, droga të lehta, bërtasin me zë, etj. Janë disa lokalitete arkeologjike të cilat nuk njihen as nga vetë fshati ku është lokacioni, sepse drejtoria për kulturë bashkë me drejtorinë e arsimit, nuk kanë bërë bashkëpunim më intensiv për të njohur të paktën trashëgiminë kulturore lokale, duke nxitur vizita, aktivitete kulturore pranë tumave, e tjerë e tjerë. Po e marrim një kala në qytetin tonë të cilin e frekuentojmë shumë shpesh. Aty mbushet me thera e bari deri në gjunjë e nuk ka njeriu as kah të ecën për të qëndruar sipër kodrës, atje lart në kalanë e Pogragjës, e mos të flasim për disa tuma ilire në një fshat, ku banorët nuk e dinin kur i pyesnit, as ku janë dhe kah cilat fusha i bien, ndonëse figurojnë në databazat kulturogjike. Prandaj, drejtoria për kulturë, rini dhe sport dhe ajo e arsimit, në secilën komunë ku ka trashëgimi kulturore arkeologjike, mund të bëjnë bashkëpunime, projekte, vizita dhe ide, por edhe të investojnë në krijimin e miniparqeve arkeologjike, ku janë ravijëzuar këto areale edhe nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport. Sot e kemi parkun arkeologjik të Ulpianës, por nesër mund të kemi edhe shumë miniparqe arkeologjike, për të mos parë kallamboqin në disa lokalitete arkeologjike. Kuptohet, nëse nuk vdesim urie, meqë motivet biologjike për shumicën dërmuese të njerëzve konsiderohen si më primare para atyre arkeologjike! Madje ka të tillë që edhe sot menduakan se çfarë rëndësie do të kishte fiksimi në gërmime arkeologjike në secilën sipërfaqe të tokës e nëntokës, ku do të mund të dëmtohej sipërfaqja bujqësore, shtëpitë e banimit, kompensimi gjigant financiar për tokat e subjekteve private etj. Ka edhe disa lokalitete arkeologjike, të cilat për momentin, kanë një strukturë fizike minimale të ruajtur, ndërsa krejt pranë gjinden shtëpi të reja. Në rast se do të bëheshin parqe arkeologjike edhe në këto struktura fizike arkeologjike, të ruajtura deri më sot, do të duhej të shkonim gati se në oborr të shtëpive private, nëse nuk ka mjete financiare për kompensimin financiar për këto hapësira tashmë private, qofshin vendbanime, toka për bujqësi e bagëti, etj. Ndërsa sa i përket edukimit të qytetarëve për lokacionet arkeologjike, do të ishte e sugjerueshme që prindërit t'i befasojnë fëmijët e tyre edhe me vizita në sajtet arkeologjike, e jo vetëm në markete, restorante e palestra futbolli. Duhet t'i mësojmë fëmijët tanë të 'udhëtojnë në kohë' përmes arkeologjisë, duke qenë ngasja vetëm ulje në ulëset e parqeve arkeologjike, vrojtimi, relaksimi, bisedat për këto qytete, tuma e civilizime të shkuara, duke i vizituar ato, qoftë me rastin e ditëlindjes së të birit e të bijës, qoftë për ndonjë ditë pushimi javor e mujor, në mënyrë që të iket prej idesë se duhet të shkojmë vetëm në restorante!

(Kosova Sot)