ÇKA NUK ARRIN TË KUPTOJË ROBERT DE NIRO PËR MASHTRUESIN MADOFF

  • 28 May 2017 - 18:46
ÇKA NUK ARRIN TË KUPTOJË ROBERT DE NIRO PËR MASHTRUESIN MADOFF

Një yll, i cili është ngritur aq lart saqë është e pamundur të ngrihet ndokush

Është aktor i madh, nuk do fjalë, por duket se edhe i famshmi Robert De Niro ka rënë viktimë e 'ageizmit' (paragjykimit ndaj të moshuarve), sikur edhe shumë kolegë të tjerë të tij, sidomos aktoret mbi moshën 50- vjeçare. "Edhe ne, meshkujt, e ndjejmë këtë. Nuk mund të luajmë role të caktuara dhe të gjithë shikojnë kah të rinjtë, të cilët sjellin më shumë para", thotë aktori 73- vjeçar. Kjo shpjegon shumëçka. Gjatë dy dekadave të kaluara, njeriu i cili solli maçizmin dhe kërcënimin (rrezikun) në ekranin e madh gjatë viteve 1970, në filmat si "Mean Streets" dhe "Taxi Driver" dhe mori çmimin 'Oskar' për portretizimin e Jake LaMotta-s në filmin "Raging Bull", ka bërë që fansat e tij ta kruajnë kokën nga habia me rolet e tij të fundit, duke filluar nga komeditë e neveritshme "The Big Wedding" dhe "Dirty Grandpa", e deri te filmi dështak me buxhet të madh, "Last Vegas". Ai këtë e shpjegon këtë me faktin se më nuk është i ri dhe rrallëkush do të pranonte t'ia jepte rolin kryesor. 

LUAN ROLIN E TREGTARIT TË PACIPË

Por, personazhet zemërkëqij nuk është e thënë që të jenë gjithmonë të rinj, e as të rrezatojnë me rrezik dhe dhunë fizike. Në filmin "The Wizard of Lies", një film i ri i HBO-s, i cili do ta ketë premierën javën që vjen, De Niro përsëri vjen me një rol të denjë për talentin e tij, në rolin e bankierit të paskrupullt, Bernie Madoff, 79- vjeçar, i cili kishte mashtruar investitorët në vlerë prej 65 miliardë dollarësh dhe tani është duke vuajtur dënimin prej 150 vjetësh burg. De Niro shkëlqen në këtë rol, duke luajtur rolin e tregtarit të pacipë me një mungesë totale të ndërgjegjes, apo empatisë. "Ajo që ai bëri është përtej fuqisë sime të të kuptuarit", thotë ai tani. "Ekziston një defekt në të. Unë kam bërë të pamundurën që ta luaja sa më mirë këtë rol, por ende nuk e kuptoj atë". Që të dy këta janë rritur në Nju-Jork - De Niro si biri i një çifti artistësh në Grinuiç Villixh, derisa Madoff në Kuins - dhe pjesën më të madhe të jetës e kanë kaluar në qytet, por pa u takuar ndonjëherë. "Kam biseduar me disa shokë të tij, apo njerëz që e kanë njohur, ku që të gjithë më kanë thënë se ai ishte njeri shumë i dashur", thotë De Niro. Megjithatë filmi përfundon me financierin e burgosur, i cili pyet: "A mendoni se jam sociopat"? De Niro do të donte t'i evitonte etiketimet e tilla. "Nuk jam i kualifikuar", insiston ai. "Dhe, nuk arrijmë asgjë nëse atë e quajmë sociopat. Por, mendoj se ai ndoshta kishte ndier neveri për njerëzit të cilët i kishte mashtruar - ai donte të mbizotëronte ndaj tyre". Në shumë mënyra, De Niro e sheh Madoffin si version luksoz dhe të vjetër të gangsterëve, të cilët ai i luan aq mirë në filma.

PËRGATITJET PËR TA LUAJTUR ROLIN E MADOFFIT ISHIN MË PAK FIZIKE

Madoff, viktimat e të cilit përfshinin edhe emra të njohur, si Steven Spielberg, John Malkovich, Kevin Bacon dhe Zsa Zsa Gabor, e kishte filluar firmën e tij, "Bernard L. Madoff Investment Securities LLC", me 5,000 dollarë, të cilat i kishte fituar duke punuar si roje plazhi dhe instalues impiantesh për ujitje. Para se të arrestohej, ai kishte një pasuri prej 126 milionë dollarësh, një biznes me vlerë 700 milionë dollarë, si dhe disa shtëpi në pjesën luksoze të Menhetnit, si dhe disa jahte. "Por, ai gjithmonë ishte nga një planet tjetër", thotë De Niro. "Atij nuk i hante palla për investitorët, meqë, në fund të fundit, ai nuk ishte njëri nga ta". Por, De Niro, duke folur për krizën financiare globale, thotë se shumë njerëz kurrë nuk u morën në përgjegjësi për atë që kishin bërë. Me dekada të tëra para se Christian Bale dhe Matthew McConaughey ta bënin namin për shkak të transformimit të tyre fizik për filmin, De Niro kishte shtuar më shumë se 25 kile dhe ishte mësuar që të boksonte për ta luajtur sa më mirë rolin e tij në filmin "Raging Bull", humbi thuajse sasinë e njëjtë të peshës për rolin në filmin "The Last Tycoon"; kishte jetuar në Sicili për rolin e tij në filmin "The Godfather: pjesa II"; kishte mësuar t'i binte saksofonit për filmin "New York, New York" dhe kishte punuar si taksist për t'u përgatitur sa më mirë për rolin e tij në filmin "Taxi Driver". Përgatitjet për ta luajtur rolin e Madoffit ishin më pak fizike. "Kam lexuar shumë, kam folur me njerëz. Nuk kam shikuar shumë incizime me Madoffin, por e kam studiuar aq sa kam mundur, pjesën vizuale, mënyrën sesi fliste". Derisa kolegia e tij në këtë film, Michelle Pfeiffer, kaloi një kohë me gruan e tij, Ruth, që të përgatitej për këtë rol, De Niro refuzoi që të takohej direkt me Madoff-in e burgosur. Ai thotë se do të ishte mirë ta takosh gjithmonë njeriun rolin e të cilit e luan, por, më pas, shtrohet pyetja se sa të sinqertë do të jenë ata me ty? Por, De Niro ka biseduar me gazetaren e "New York Times", Diana B Henriques, në librin e së cilës bazohet filmi. Henriques, e cila kishte kaluar orë të tëra duke e intervistuar Madoffin pasi që ai ishte burgosur, në vitin 2009, e krahason De Niron me një 'thithëse elektrike' gjatë përgatitjes së tij për këtë rol. Ajo thotë se ai kishte mësuar me interesim të madh çdo gjë që ajo i kishte treguar rreth Madoffit, ku edhe ky i fundit del të ketë qenë aktor i zoti. Ai dinte në mënyrë të përkryer si t'i mashtronte investitorët. "Ai kishte arritur deri në atë shkallë, saqë njerëzit ndiheshin të nderuar kur kishin rastin që të takoheshin me të dhe t'ia jepnin paratë e veta atij. Ky është mashtruesi klasik", përfundon De Niro.

(Kosova Sot)