Institucionet në gjumë për shënimin e 139-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

  • 10 June 2017 - 09:10
Institucionet në gjumë për shënimin e 139-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

NGJARJA MË E RËNDËSISHME KOMBËTARE PA ASNJË AKTIVITET

Kuvendi i Lidhjes i nisi punimet më 10 qershor 1978, e deri më 17 qershor, në Medresenë e Prizrenit, ku morën pjesë rreth 110 delegatë. Në fillim shef i Lidhjes u zgjodh Iliaz Pashë Dibra- Qoku e më vonë Ymer Prizreni. Lidhja formoi strukturat e saj politike dhe ushtarake dhe dërgoi një delegacion për në Evropë për të shpalosur qëndrimet e saj edhe para Fuqive të Mëdha
Qetësisht dhe me pak bujë pritet të kalojë edhe 139-vjetori i Themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, njërës nga ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve. Asnjë nga institutet apo institucionet shkencore dhe kulturore nuk kanë planifikuar ndonjë aktivitet për këtë përvjetor. Historikisht, Lidhja erdhi si nevojë për të shpëtuar substancën kombëtare dhe hapësirën gjeografike shqiptare. Por, mbi të gjitha shënon dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme të zgjimit kombë- tar të shqiptarëve pas gati 500 vjet venitje. Por, edhe një nga tubimet apo mbledhjet më me peshë që bënë bashkë autoritetet shqiptare të asaj kohë për një kauzë kombëtare. 

FAJTORI TË KËRKOHET TE VETVETJA

Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës, duke potencuar rëndësinë historike dhe kombëtare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka thënë se ngjarjet e asaj kohe dhe mosrealizimi i synimeve të Lidhjes duhet të merren si mësim. Ndërsa ka thënë se askush më shumë se vetë shqiptarët nuk janë "fajtorë" për gjithë zhvillimet që përcollën Lidhjen. " Besoj se mësimi më i mirë që mund të nxjerrim nga pësimi i LP-së është rëndësia e të pasurit shtet dhe kujtesë kolektive të shkruar. Sepse, popujt që kanë kujtesë kolektive të shkruar edhe me rast të humbjes së lirisë, mbijetojnë duke besuar dhe duke punuar për të nesërmen. Ndërsa, nuk ka më mirë se sa fajtori të kërkohet te vetvetja", ka thënë historiani Krasniqi. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarët e Institutit të Historisë lidhur me ndonjë aktivit që mund të ketë IH-ja për shënimin e 139- vjetorit të Lidhjes. 

FORMIMI I LËVIZJES POLITIKE

Ndërsa, duke folur për rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenin dhe shkaqet e dështimit të saj, historiani Shpend Avdiu, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se në Traktatin i Shën Stefanit ndërmjet Perandorisë Osmane dhe asaj Ruse, Perandoria Osmane pothuajse pjesën më të madhe të territoreve në Ballkan po i humbiste dhe një pjesë madhe tyre ishin territore shqiptare. Ai ka thënë se këto veprime i kishin shtyrë shqiptarët që të formonin një lëvizje politike dhe ushtarake për mbrojtjen e territoreve të tyre. "Rëndësia e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ishte; Lëvizja dhe organizimi i parë kombëtar dhe unifikues i shqiptarëve. Rëndësia e dytë ishte kërkesa ndaj Portës të krijohej një vilajet autonom shqiptar. Sukses tjetër i Lidhjes ishte në rrafshin ushtarak, pasi ajo e stopoi Malin e Zi që mos të pushtonte disa territore shqiptare. Në ato rrethana, në të cilat është zhvilluar Lidhja, nuk mund ta konsiderojmë të dështuar", ka thënë ai. Ndërsa, ka shtuar më tej se fajtorë për mosrealizimin e interesave politike dhe kombëtare të shqiptarëve nuk ka, pasi të gjitha zhvillimet politike dhe ushtarake të Fuqive të Mëdha, duke përfshirë këtu dhe Perandorinë Osmane, ka interesa politike dhe gjeopolitike dhe jo fajtorë. "Kosova si pasojë e luftës ruso-osmane (1877-1878) dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit, humbi territoret verilindore dhe lindore të Sanxhakut të Nishit me kazatë e Prokuples, Kurshumlisë, Leskovcit. Kosova, po ashtu humbi pjesë të territoreve të kazasë së Prishtinës dhe Vranjës", ka potencuar historiani Avdiu, aktualisht hulumtues i pavarur në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

(Kosova Sot)