Artistët pamorë duan panair të pikturës

  • 20 June 2017 - 08:28
Artistët pamorë duan panair të pikturës

Organizimi i një aktiviteti disaditor për prezantim të artit pamor në vend do të ishte një shans i mirë për të gjithë krijuesit pamorë në vend. Pamundësia e artistëve pamorë për të prezantuar punën e tyre para publikut, por edhe gjetja e vështirë e blerësve për krimet e tyre tashmë kërkon edhe alternativa për promovim sa më të madh. Dhe, një nga to është edhe një aktivitet, ekspozitë, bienale, apo lloj panairi, i cili do të ishte një mundësi më shumë për promovim të artit pamor në vend. Kështu kanë thënë, në një prononcim për "Kosova Sot", krijues dhe studiues të arteve pamore. Sipas tyre, për një organizim të tillë si shembull mund të merret organizimi i Panairit të librit në Prishtinës. Ndërsa, një ndihmesë për këtë mund të japin shoqata që mbledhin artistët pamorë në vend, por edhe komunat, veçmas ato të mëdha.

Të ecet përpara edhe në fushën e artit 

Piktori Agron Mulliqi, iniciatori i idesë për mbajtjen e një aktiviteti që do të mblidhte për disa ditë artistët pamorë, të cilët do të ekspozonin punën e tyre për publikun, ka thënë se tashmë ne si vend që pretendojmë trendët evropianë duhet të ecim përpara edhe në fushën e artit. Ai ka thënë se arti sot në vend ka shumë nevojë për prezantim dhe kontakte të fuqishme me publikun. Andaj, sipas Mulliqit, në përgjithësi arti pamor në Kosovë ka nevojë për një organizm sikur bienale, ekspozitë kolektive, organizim tjetër të përmasave të mëdha, ngjashëm me Panairin e librit që u mbyll, ditë më parë, ku publiku do të mund të njihte dhe do të shijonte artin pamor të krijuesve tanë. "Një aktivitet i tillë mendoj se do të duhej të ndihmohej edhe nga komunat kosovare, ku artistët nga komuna përkatëse të kishin një stendë, ku do të prezantohej puna e artistëve, shoqatave po edhe artistëve individualisht. Kjo besoj se do të ndihmojë shumë artin pamor në vend", ka pohuar Mulliqi, duke shtuar se ky aktivitet do të ishte tradicional dhe të organizohej të paktën çdo dy vjet në vend. Ai ka thënë se për të bërë të mundur organizimin e një aktiviteti të tillë një ndihmë do të mund të jepnin edhe shoqatat, që mbledhin artistë pamorë, të cilët edhe do të mund të përzgjidhnin artistë, që do të ishin pjesë e këtij aktiviteti, me këtë edhe do të kishin një pasqyrë rreth krijimtarisë pamore në vend. "Pse jo edhe komunat kosovare, të cilat do të ndihmonin artistët e tyre të kishin stendat e tyre, për të ngritur më lart vlerat artistike të komunave të tyre. Do të shihnim nivelin e pikturës së sotme në Kosovë, mbi të gjitha do të ishte një mundësi që artit t'i krijonin të hyra, duke shitur veprat e tyre", ka thënë Mulliqi.

Përfitimet nga shitja 

Një ide e tillë është mbështetur edhe nga studiuesit dhe kritikët e artit pamor. Bislim Aliu, krijuesi dhe studiuesi pamor, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se është më se e nevojshme që të ketë këso organizimesh të ndryshme të arteve pamore në vend, pasi, siç ka thënë ai, sikur po anashkalohen artet pamore në vend. Ai ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të mos bëhet një ekspozitë, aktivitet apo diç tjetër, ku do të merrnin pjesë artistët tanë me nam. "Ta zëmë, sikurse Panairi i librit, që ishte pak më parë. Të merret si model një organizim, ku do të merrnin pjesë artistët tanë më të mirë pamorë dhe ajo të jetë tradicionale, ku do t'u mundësohej artistëve tanë prezantimi i punës së tyre dhe kontakti i drejtpërdrejtë me artdashësin, pse jo edhe një mundësi e mirë për shitje të krijimeve të tyre", ka thënë krijuesi Aliu. Edhe kritiku pamor Ilir Muharremi ka pohuar se artistët duhet të gjejnë mundësi sa më të mira dhe që të ofrohen me audiencën. Pse jo edhe një aktivitet disaditor, sikurse janë panairet, bienalet, apo ekspozitat kolektive. "Vështirë është në Kosovë të ketë blerës nga publiku, sepse publiku aspak nuk është edukuar me art. Duhet propagandë dhe marketing i madh për të bërë në dobi të artit dhe artistëve. Arti dhe propaganda shkojnë bashkë", ka thënë Muharremi, kritik dhe studiuesi i artit pamor. 

(Kosova Sot)