Komunat kosovare dështojnë me kulturën

  • 27 June 2017 - 09:30
Komunat kosovare dështojnë me kulturën

Komunat organizojnë aktivitete kulturore sa për sy e faqe

Zhvillimet kulturore nëpër komunat kosovare lënë shumë për të dëshiruar. Me pak përjashtime pothuajse shumica e komunave kosovare nuk arrijnë të kenë aktivitete kulturore, që do t'u përgjigjeshin kërkesave të komunitetit të komunave. Arsyet për këtë janë nga më të ndryshmet, që nga neglizhenca e pushtetit qendror për të shpërndarë si duhet buxhetin për komuna, neglizhenca nga vetë komuna, mungesa e fondeve, menaxhimi jo i duhur, e arsye të tjera. Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, ngecjet kulturore vijnë po nga arsyet e përmendura më lart, duke mos lënë anash edhe mospërmbushjen e përgjegjësive të nivelit qendror ndaj atij lokal, kur është në pyetje kultura apo mbështetja për aktivitete kulturore. 

Mungojnë fondet

Në një prononcim për "Kosova Sot" krijuesi dhe studiuesi Xheladin Çitaku ka thënë se zhvillimet kulturore nëpër komuna nuk qëndrojnë në nivelin e duhur dhe në nevojën e komunitetit për konsumimin e vlerave kulturore. Kjo ndodh, ka thënë ai, për arsye të llojllojshme, por arsye fondamentale është mungesa e fondeve, dedikuar aktiviteteve kulturore, dhe se nivelet komunale janë të privuara nga mundësia e posedimit të fondeve adekuate, të cilat përcaktojnë çdo aktivitet të jetës shoqërore. "Pastaj, strukturimi aktual i institucioneve kulturore në komuna nuk i përgjigjet nivelit dhe kërkesave të kohës, kapjes së trendit të përgjithshëm të zhvillimeve kulturore dhe menaxhimit të resurseve ekzistuese. Mbështetjet verbale-deklarative nuk përmbushin dot nevojat kulturore", ka pohuar ai

Nuk kanë profesionistë

Kurse Avni Rudaku, studiues dhe njohës i zhvillimeve socio-kulturore, ka pohuar për "Kosova Sot" se komunat kanë dështuar kulturalisht për disa arsye: ndajnë shumë pak buxhet, nuk kanë profesionistë në krye të drejtorive, nuk kanë motivim për punë, nuk ka zhvillim ekonomik në komuna dhe aty ku nuk ka zhvillime ekonomike, nuk ka aq zhvillime kulturore. Përveç kësaj, sipas Rudakut, nuk ka bashkëpunime ndërkomunale kulturore, nuk ka iniciativa nga humbja e besimit në institucione dhe thithje fondesh, komunat s'kanë vizitorë, s'kanë ndërveprime të mëdha kulturore, s'ka nxitje sponsorimi sikur do të duhej nga bizneset, e jo të sponsorojnë vetëm ndonjë koncert të rrallë, mediet nuk kanë gazetarë për kulturë në vendet komunale, nuk ka OJQ aktive kulturore, etj.

Aktivitetet janë të dobëta dhe pa kurrfarë kriteri

Kurse Ismet Tahiraj, krijues dhe studiues, ka thënë për "Kosova Sot" se komunat organizojnë aktivitete kulturore sa për sy e faqe. Përveç kësaj, ka thënë ai, ato aktivitete janë aq të dobëta pa kurrfarë kriteri pa asnjë njohje të stilit organizativ. Ndërsa ka thënë se të tilla organizime janë një lloj mbulese, për të fshehur thatësinë që ka kapluar komunat, kur janë në pyetje aktivitetet dhe zhvillimet kulturore. Përderisa ka potencuar se potenciali artistik nuk mungon po duhet vënë në veprim. "Nuk punon në to asnjë njeri profesionist apo së paku ata që me vite kanë bartur mbi supet e tyre amatorizmin. Këto organizime bëhen një herë në vit, si: viti i ri, për data çlirimi, apo përvjetor tjetër", ka thënë ai. Kurse krijuesi Dan Ibrahimi, për gjendjen aktuale të kulturës nëpër komuna kosovare, një pjesë të madhe të fajit ia hedh nivelit qendror të qeverisjes. Bile, ka thënë Ibrahimi, ndonëse shumë pak, përsëri me ato buxhetet e vogla, komunat kanë bërë dhe bëjnë ca më shumë se ministria përkatëse. Po, sipas tij, projektet kulturore të nivelit kombëtar komunat edhe po të duan, edhe po të dinë nuk mund të zhvillojnë, sepse duhen mjetet përkatëse. "Prandaj, them që ngecjet madje edhe rëniet në projektet kulturore të vlershme janë produkt i politikave të qeverisë dhe ministrisë përkatëse, pastaj i komunave. Është e turpshme nëse shtypi i një libri më shumë ndihmohet nga komuna se Ministria e Kulturës në aspektin financiar", ka thënë Ibrahimi për "Kosova Sot". 

(Kosova Sot)