Shotë Galica, në letërsinë shqiptare

  • 15 July 2017 - 08:28
Shotë Galica, në letërsinë shqiptare

NË 90-VJETORIN E VDEKJES SË HEROINËS SHOTË GALICA

Krahas luftës me armë, Shota e çmonte edhe luftën me penë. Ajo thoshte: "Shtylla e kombit është shkolla në gjuhën e nanës". Shoqërohej shumë me Igballe Prishtinën dhe librat që ua sillte Hasani nga mërgimi i shpërndanin në popull. Edhe vetë sa ishe në "Zonën Neutrale të Junikut" e kishte mësuar shkrim-leximin nga mësuesi patriot Nimon Ferizi

Historia jonë është përplot data dhe ngjarje, në të cilat, krahas burrave, morën pjesë edhe gratë shqiptare. Ato me forcën dhe fuqinë e vet, kur kërkohej mbrojtja e atdheut, nuk i përfillnin zakonet e vjetra dhe kanunet e mykura, por dilnin maleve, përkrah vëllait, burrit apo djalit dhe luftonin për lirinë dhe pavarësinë e vendit. Pjesëmarrja e tyre në beteja tregon se luftërat tona ishin të drejta dhe çlirimtare. Këtë e vërteton edhe thënia e Sami Frashërit: "Në cilën anë të luftës sheh se gratë kanë rrokur armët, mos dysho në të drejtën që ka ajo anë, sepse gruaja nuk i kap armët pa qenë gjendja e padurueshme". Në mesin e gjithë atyre grave e vajzave shqiptare, që bën emër në histori, qëndron si një kurorë lavdie NUSJA E MALEVE, Heroina e Popullit, amazonja shqiptare, Qerime Halil Radisheva, e skalitur në faqet e historisë me emrin SHOTË GALICA (1895-1927). Shota u lind më 1895 në Radishevën heroike. Vajzën topolake, te vetmen motër midis gjashtë vëllezërve, e pagëzuan Qerime, por nga dashuria e thërrisnin SHOTË. Ky emër përkëdhelës dalëngadalë do ta zëvendë- sojë emrin e saj të vërtetë dhe do të mbetet i shkruar me shkronja të arta në altarin e pavdekësisë. Më 1912, Azemi e Shota fejohen. Mirëpo koha rrodhi ndryshe. Trimi po vuante në burgjet e Serbisë, ndërsa vasha po e përgatiste pajën e nusërisë. Dhe, një ditë u thyen dyert e burgjeve, u vranë rojat, u kapiten malet dhe, sakaq, Trimi u gjend në Radishevë. Ishte fundi i vitit 1915. Shota, shpejt e shpejt, u bë gati, lidhi gërshetat, e vuri plisin e bardhë në kokë dhe e futi nagantin në brez. Trimi dhe Vasha, hipur mbi kuaj e të përcjellë nga bashkëluftë- tarët vajtën në Galicë e prej andej në male. Dalja e Shotës në mal, e veshur si burrë, kishte rëndësi të dyfishtë: e luftonte armikun, që ua kishte marrë lirinë dhe, në anën tjetër, i luftonte zakonet prapanike, të cilat femrën shqiptare e kishin robëruar dyfish. 

FRANCEZËT E PAGËZUAN SI "ZHAN D'ARKA SHQIPTARE"

Krahas luftës me armë, Shota e çmonte edhe luftën me penë. Ajo thoshte: "Shtylla e kombit është shkolla në gjuhën e nanës". Shoqërohej shumë me Igballe Prishtinën dhe librat që ua sillte Hasani nga mërgimi i shpërndanin në popull. Edhe vetë sa ishe në "Zonën Neutrale të Junikut" e kishte mësuar shkrim-leximin nga mësuesi patriot Nimon Ferizi. Shotë Galica nuk iu nda burrit deri në vdekje. Pas varrosjes së tij në thellësinë e shpellës "Çuku që kërcet" (73 m), Çetën do ta kryesoj Shota, e cila zhvilloi edhe disa beteja fitimtare. Pas betejës së fundit në Llaushë, në vjeshtën e vitit 1926, ku edhe plagoset rëndë, ajo me disa fëmijë të shokëve të vrarë, niset për në Shqipëri. Në fillim u vendos në Shullaz e më vonë në Derven të Fushë-Krujës, në një shtëpi përdhese. Plaga e rëndë, mërzia për Kosovën e robëruar e të lënë në mjerim, dhembja për jetimët kosovarë, që po hiqnin të zitë e ullirit e dobësuan shumë. Gishtat e dorës së djathtë ia prenë mjekët se iu kishin ngrirë nëpër male duke e mbajtur pushkën. Mezi e siguronte kafshatën e bukës për vete dhe për jetimët që i rriste. Nga skamja u detyrua ta shes edhe pasurinë e fundit që e kishte, kalin e Azemit, allçin. Më 10 korrik 1927, në moshën 32-vjeçare, në gjendje të mjerueshme, i mbyll sytë njëherë e përgjithmonë heroina shqiptare Shotë Galica. Varrimi i saj në Fushë- Krujë, nuk u bë në heshtje, siç dëshironte qeveria e Ahmet Zogut. Në përcjelljen e saj të fundit erdhën shumë njerëz nga rrethe të ndryshme. Në vitin 1962, Shteti Shqiptar ia ngriti lapidarin në Fushë-Krujë duke e nderuar edhe me titullin e lartë HEROINË E POPULLIT. As në Kosovën martire kujtimi për këtë heroinë nuk u shua kurrë. Por, edhe sot e kësaj dite, urimi më i dashur që u bëhet vajzave kosovare është t'u thuash "U BËFSH SI SHOTË GALICA!" Francezët e pagëzuan "Zhan d'Arka shqiptare" që më 1920 kur e panë foton e saj në fonotekën e Kel Marubit në Shkodër.

                       * * *

Heroina Shotë Galica mbetet simbol i qëndresës së femrës shqiptare për të gjitha kohët. Ajo, me trimërinë e saj, frymëzoi dhe cyti të gjitha mendjet krijuese. Kështu, për të u thurën këngë, u skalitën lapidarë, u hartuan poezi, u shkruan tregime, romane e drama. Meqë tema është e gjerë dhe, fillimisht më takonte t'i them ca fjalë për jetën dhe veprimtarinë e saj luftarake, punimi më doli i gjatë, por, me qëllim që t'u lë hapësirë referuesve të tjerë, do të lexoj shkurt. Si përherë, përmendoren e parë dhe më të bukurën ia bëri krijuesi popullor me vargjet e tij brilante. "Ajo pasqyrohet këtu, ndër të tjera, me vlera kulminante të së bukures dhe të së moralshmes kombëtare historike" .

Kënga thotë: 

N'Drenicë lindi nji trimëreshë, E ka lind nana me armë ngjeshë, N'kapuç t'bardhë e n'tirq të zi Boll e bukur me pa me sy.

Që ditën kur ajo bashkohet me Azemin, lidhje kjo që simbolizon unitetin dhe bashkimin kombëtar të të dy gjinive në luftë për çlirim kombëtar, krijuesi popullor e cilëson si bashkim të dy luanëve, duke e quajtur Nuse të luftës, emër ky që do ta përcjellë deri në amshim.

FIGURA E SHOTËS ZË VEND TË RËNDËSISHËM EDHE NË PROZËN TONË TREGIMTARE

Edhe poetët e poeteshat tona ia kushtuan vargjet më të bukura kësaj heroine. Në to, Shotë Galica, del luftëtare e paepur, që here- herë ua kalonte edhe burrave. Pena e tyre nuk është lodhur shumë për bukurinë e saj fizike, por më tepër për atë shpirtërore, luftarake e kombëtare. "Fytyra e gruas zbehet dhe zhbëhet para portretit të bashkëluftëtares"- konstaton Sala Ahmeti. Kjo figurë madhore e kombit zë vend të rëndësishëm edhe në prozën tonë tregimtare e romaneske. Kësaj radhe jemi ndalur të dy tregimet e Shefqet Tiganit: "Plisat e bardhë" dhe "Pushkët e Galicës" dhe të tregimi "Nusja e Maleve dhe Trimi" të Adem Gashit. Nga ky i fundit shkëpusim përshëndetjet e plakut galicas kur i thotë: "Mirë së na erdhe, o Nusja e Trimit, por ne do të të thërrasim NUSJA E MALEVE, se ti qenke burrë e shkuar burrit. Këto male do ta ruajnë hijeshinë tënde, se ti ua fale nusërinë atyre". Në to, edhe pse me temë historike, nuk dominon faktografia historike, por artistikja dhe përgjithësimi i ngjarjeve reale të kohës. Duhet cekur se të tregimi "Pushkët e Galicës" na del edhe një heroinë tjetër, Sherife Galica, nëna e Azem Galicës, e cila, kur rrethohet në kullë vetëm me Shotën luftojnë dhe qëndrojnë derisa u shkojnë në ndihmë galicasit. Ndërkaq, në botën romaneske jam fokusuar tek romanet: "Shota dhe Azem Galica" të Ajet Haxhiut, "Prijësja e komitëve" të Sylejman Krasniqit, "Shote Galica" të Mehmet Kajtazit dhe "Nusja e Maleve" të Riza Greiçevcit. Me përjashtim të veprës së parë, ku dominon faktografia historike, në tri të fundit, Shota është si strumbullar rreth të cilës krijohen subjekte, tablo e karaktere që pasqyrojnë artistikisht atë periudhë të artë historike.

(Kosova Sot)