Retrospektivë për një realitet të përjetuar

  • 23 July 2017 - 20:08
Retrospektivë për një realitet të përjetuar

Rrëfimet "PORTRETE LETRARE", të Nazmi Rudarit, janë një lloj forme e shkrimit letrar, që alternon në mes tregimit artistik dhe realitetit përjetues. Po nëse realiteti është i vrazhdët, sigurisht nuk kemi as rrëfime artistike, sepse vrazhdësia e realitetit e ka bërë të vetën?! Në këtë pikë qëndron esenca e asaj që mund të thuhet për këtë libër. Pastaj librat autobiografik, janë një zhanër mjaft i komplikuar për t'u realizuar si duhet. Ja pse mendoj kështu?! Duhet të përdoret me teprim veta e parë njëjës "Unë". E kur veta e parë njëjës flet për vetën e tretë, dhe kur veta e parë dhe e treta flasin për profesorin K. domosdo e hamend lexuesin, veçmas kur në tërë strumbullarin e atyre zhvillimeve lidhet një person që ka emër dhe mbiemër, autor librash dhe që prej sa e sa vitesh ka bërë jetën publike në letërsinë e Kosovës, andaj jo pak nëpër këto rrëfime ndeshim një lloj shprazje dufi?! Ndërsa peripecitë e protagonistit, siç shfaqen në këtë libër, kapin një periudhë kohore për më shumë se një gjysmëshekulli, atë gjysmë shekullin më të vrazhdë, prandaj vetëm për t'i lexuar janë rrëfime torturuese, ndërsa për t'u përjetuar janë të mundimshme, bile trishtuese?! Prandaj ne mendojmë se të tjerëve u ka prirë fati, që nuk kanë qenë në lëkurën e autorit! Natyrisht kur lexojmë gjithë këto tronditje, sidomos për "Një njeri që kishte lexuar në mënyrë automatike pothuajse gjithçka që ishte botuar në shqip dhe sot bënë aq gabime sa nuk u beson as syve as veshëve të vet... ky njeri jam unë (shkruan autori), që kam shkruar qindra e qindra faqe...", faqe 49.

SEKUENCA QË E PËRVETËSOJNË PSIKIKËN INDIVIDUALE

 Ky sinqeritet e step kritikun për të kritikuar sa duhet. Por, pasi ky "unë" është vet autori, vet redaktori, vetë lektori, vet tekniku, e kështu me radhë deri në një shkallë dehjeje e bëjnë rrëfimin dhe librin më të varfër nga aspekti artistik, sidomos duhet gjykuar në disa raste mesazhi që përcillet nga realiteti i përjetuar, prandaj shikimi i syrit dhe mendjes së dytë, për sojin e këtij krijimi letrar është domosdoshmëri profesionale, megjithatë këto elemente, bashkë me ato që i thamë më lartë janë një statistikë e këtij qëndrimi, asgjë më shumë. Ne vazhdimisht kemi parë filma artistik, po ashtu ne e dimë se pranë dhe prapa filmave qëndrojnë ekipe të tëra, por meritat iu takojnë artistëve. E nëse tërë materiali i filmimit dhe incizimit jepet në mënyrë kronologjike, zgjatja e filmit do të krijonte monotoni, prandaj për shikuesin jepen vetëm ato mesazhe - sekuenca që e përvetësojnë psikikën individuale, që ka fiksuar të bukurën - artistiken. Prandaj përshtypjet e mia për këtë libër, janë mesazhe të vlerësimit letrar, për ngjarjet dhe bëmat, të cilat sikur të ishin rrëfime krejtësisht të imagjinuara, lexuesi do të ndjejë dhembje dhe sigurisht do të shprehte keqardhje, gjë që në këtë pikë rrëfimi i autorit ia ka arritur qëllimit. Por është dashur këto përjetime më shumë t'i mëveshi me petkun artistik se sa të mbulohen me ndjenjën dhe motivin përjetues. Por, Nazmi Rudari, për letërsinë shqipe nuk është emër anonim. Ai ka nisur publikimet e tija qysh në vitet e 70-ta. Ka mundësi se kemi bërë të njëjtën udhë dhe në të njëjtën kohë drejt Prishtinës, (ndoshta me të njëjtin autobus), por sikur më duket autori ka përshkruar jetën e secilit, sidomos atyre që kanë jetuar ato kohëra dhe kanë frymuar në të njëjtat koordinata gjeografike, duke shprehur fytyrën e një realiteti tragjik të këtyre "Portreteve"?! Në një rresht të këtij libri ai shkruan se "Kush i shërben atdheut njëmendësisht e ka një dhuratë të sigurt, vdes në varfëri të thellë", faqe 448. Kjo sintagmë më ka provokuar shumë, pasi edhe sot, në ditët e sotme, për kombin tonë është bërë virus kancerogjen, duke prekur secilin. Pavarësisht nga kjo, ne në mënyrë hipotetike nuk duhet t'i besojmë plotë- sisht këtij realiteti përjetues sepse nëse vdes në varfëri të thellë edhe ai që iu ka përkushtuar atdheut dhe lirisë është një tragjikë më vete, por jemi të sigurt se qenia njerëzore nuk vdes krejtësisht e varfër?! Për këtë jam i sigurt, por është krejtësisht tjetër, nëse mundet apo jo për të gjallë t'i materializon sukseset e tij.

TREGIMI HAP SIPARIN E RRËFIMIT ARTISTIK

Historia e letërsisë, artit dhe shkencës ka shembuj të shumtë, kur njerëzit e pajisur me dije e suksese kanë jetuar me ekzistencë minimale, madje kanë hequr edhe për kafshatën e gojës. Në anën tjetër edhe historia e njerëzimit ka më shumë raste ku të pasurit vdesin me varfërinë e tyre në shpirt. E kjo ndjenjë atyre iu vjen kur të kuptojnë se nuk paskan bërë gjë për atdheun dhe shoqërinë?! Ndërsa kur kjo varfëri lidhet me pengimin, sabotimin dhe dredhitë që dikush ia ka bërë lirisë së vendit, gjendja bëhet edhe më tragjike, por ne e dimë se luftëtarit edhe kur i vdes qenia fizike - flijimi i tij paraqet pasuri, prandaj luftëtari himnizohet edhe nga të gjallët e pasur të cilët do të vdesin me varfërinë e tyre shpirtërore?! Letrarët dhe artistët i mbushin bibliotekat dhe muzetë, prandaj ata janë të pasur dhe do të kujtohen vazhdimisht. Jo rrallë fati tragjik i krijuesit, artistit dhe gjenive të tjera, lidhet me atë se kulmin e suksesit e arrijnë pas vdekjes. Prandaj përkushtimi i tyre jetësor shpeshherë kalon nëpër kalivare të shumta, ndërsa autori i këtyre "PORTRETEVE REALE", duhet ta dijë se në botë vdesin me miliona njerëz pa lënë gjurmë, pa lënë një vepër letrare pas tyre, prandaj "PORTRETE REALE", është një trashëgimi kulturore e cila do të jetojë edhe pas mbylljes së kapitullit jetësor të autorit. Libri "PORTRETE REALE", nis me tregimin "TI, SHTËPIA E SHPIRTIT TIM", që është një rrëfim i konstruktuar në formë të letrës të cilën ia nis Kanerinës?! Tregimi hap siparin e rrëfimit artistik, për të vazhduar për fatin e gazetarit, i cili ka shkruar e raportuar në një sistem të ashpër politik, i cili kontrollonte vlerat dhe përgjonte tërë shoqërinë njerëzore. Rrëfimi për gazetarin përjetohet më thellë sidomos nga ai brez që pak a shumë i ka jetuar e përjetuar ato ngjarje në mënyrë reale, për të cilat tashmë rrëfen Nazmi Rudari. E këto "PORTRETE REALE", janë përshkrime të ngjarjeve të jetuara të cilat nisin në vitet e hershme. Gjithsesi janë rrëfime edhe të trishta, por dhe të lezetshme: Në njërën anë me nota lirike dhe konotacione erotike, e në anën tjetër pasqyrohet fytyra e dhunës, e atij sistemi politik. Ngjarjet kundrohen nga këndvështrimi i retrospektivës që duken si fragmente të rrë- fimit letrar, në të cilat kur është futur në funksion imagjinata janë realizuar më mirë, sepse më duket gjithmonë përvoja e shkrimit letrar duhet ta tejkalojë përjetimin real dhe emocional. Duke lexuar këto rrëfime jo pak do të ndeshim mendime të peshuara mirë, që duken si përkufizime filozofike, të cilat shprehin një metaforë reale të asaj kohe. "Prandaj nuk duhet t'ia bish punën popullit tënd ashtu që të jetë krejt njësoj, kush e sundon, ti apo pushtuesi se kjo do t'ishte humbja më e madhe...", faqe 57. Me pak modifikime ky fragment i përshtatet të tashmes së zhurmshme, sidomos vrapit për tu kapërthurur e për t'u ngjitur lart në politikë. Këso rrë- fimesh reale, kemi të shumta dhe të bollshme, ndërsa libri mbyllet me tregimin "KJO KOHË LUFTE", në të cilin fillimisht përshkruan portretin e një shoku të shkollës që ishte bërë i kamur me tregtinë, që bënte me një vend armiqësor.

(Kosova Sot)