Ministri i ri i Kulturës, PARA SFIDAVE TË SHUMTA

  • 11 September 2017 - 10:27
Ministri i ri i Kulturës, PARA SFIDAVE TË SHUMTA

Ministri i ri i Kulturës nuk do ta ketë edhe aq lehët në krye të këtij dikasteri, i cili vazhdimisht lihet në fund të prioriteteve të çdo qeveria që ka kaluar deri tash. Pavarësisht se vendi posedon një trashëgimi të pasur kulturore dhe vlera të dëshmuara kulturore, qeveritë kosovare nuk e kanë kryer punën e tyre ndaj komunitetit artistik. Për vite dhanë premtime për rroga dinjitoze, por s'u bënë, për infrastrukturë moderne, bile më të mira në Ballkan, e s'u bë gjë. Vazhduan avazin e vjetër duke politizuar, pothuajse çdo institucion kulturor që mundën, duke dërguar militantë partiakë dhe njerëz klanesh edhe aty ku nuk duhet. Nisur nga ky lëmsh, ministri i ri i Kulturës z.Gashi, ka shumë punë për të bërë, në radhë të parë, duke afruar këshilltarë profesionistë afër vetës dhe të kërkojë zbatueshmërinë e ligjeve nga varësit e tij. Kjo është edhe një nga kërkesat e komunitetit artistik, të cilët për "Kosova Sot", kanë rreshtuar një varg porosish për Gashin.

Projektet për zhvillime kulturore

Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Reshat Sahitaj, aktualisht kryetar i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, ka thënë se Ministria e Kulturës duhet që në mënyrë profesionale të marrë në shqyrtim projektet për zhvillime kulturore. Sipas tij, ministri i ardhshëm duhet të ketë parasysh se nuk është vetëm ministër i një partie politike, e cila e ka emëruar , por është ministër i tërë popullit tonë. Sipas tij, detyra e ministrit të kulturës është një politikë kombëtare të shpërndarjes së buxheti për aktivitete kulturore, duke u koncentuar në ato që janë të nivelit të lartë. Ai ka thënë se në Kosovë zhvillohet kulturë e mirëfilltë si në letërsi, film, teatër, balet etj., që ndaj këtyre duhet të kemi një qasje serioze e jo të injorohen deri në anashkalim. "Bashkësia evropiane ofron shumë kushte të mira për zhvillimet kulturore, mirëpo ende Kosova nuk ka nënshkruar marrëdhënie bilaterale me shtetet evropiane veç e veç, që pastaj të privilegjohemi me fonde evropiane, si botimin e veprave të huaja np shqip dhe anasjelltas e shumë shkëmbime të tjera kulturore që kultura jonë do të gjente hapësirë në faqet e shtypit botëror", ka thënë ai, duke shtuar se ministri i Kulturës duhet të ndërrojë komisionet për vlerësimin e projekteve dhe në ato vende të ketë profesionistë e jo sharlatanë, siç kanë vepruar shumë vite.

Anëtarësimi në UNESCO

Ndërsa arkitekt Ylber Vokshi, ekspert i trashëgimisë kulturore, ndër të tjerash ka thënë se ndër prioritetet e ministrit të ri duhet të jenë punët intensive dhe profesionale në afirmimin e vlerave të shumta, posaçërisht të trashëgimisë kulturore me të cilat është i pasur territori i Kosovës. Shumë pak, ka thënë ai, është punuar në këto vite në këtë drejtim, pasi avancimi i identitetit autokton është i një rëndësie të veçantë, e për të dokumentuar apo për të vërtetuar ekzistencën shumë shekullore të popullit shqiptar në këto troje e që shumë herë pa sukses është tentuar t'u mohohet. "Detyrë kryesore e ministrit të ri të MKRS-së duhet orientuar në këtë drejtim e si parakusht esencial është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare që e trajtojnë këtë problematikë, si është UNESCO, në të cilën pas dështimit të vitit 2015 ende as që kemi aplikuar për pranim në sesionin vjeshtor të vitit 2017", ka thënë ai, duke thënë se duhen edhe investimet në infrastrukturë. Pasi, siç ka thënë ai, absurditet në vete është mungesa e një salle të baletit dhe operës ku do të zhvilloheshin pjesa ma e madhe e aktiviteteve kulturore apo mungesa e stadiumit nacional dhe terreneve të tjera sportive për t'i zhvilluar aktivitetet e tyre edhe pas këtyre viteve mëvetësie kur duhej të vendosësh vetë. Kurse, për regjisorin Mahir Musliu, fillimisht duhet ngritur buxheti vjetor për MKRS-në me qëllim që të arrihen objektivat në realizimin e projekteve kulturore e sportive. Musliu ka fjalë të mirë për ministrin e ri, duke thënë se është gjetja dhe përzgjedhja më e mirë që ka bërë pushteti në ardhje. "Kujtim Gashi, sa ka shërbyer në Kuvendin Komunal të Prizrenit, u ka dalë në ndihmë institucioneve kulturore në këtë komunë. Asambleja që ka udhëhequr ai, e ka ndihmuar Teatrin e Qytetit, i cili është një ndër teatrot më të suksesshme të rajonit", ka thënë Musliu.

Ndërtimi i TOB-it

Publicisti Shaqir Foniqi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ministri i ri, fillimisht duhet të ketë prioritet formimin profesional të kabinetit të tij, përkrahjen e komunitetit artistik në realizimin e projekteve të tyre serioze. "Ndërtimin e shtëpisë së TOB, ngritjen e ndonjë busti ose shtatoreje të njerëzve të kulturës dhe ndihmën e pakursyer për librin dhe themelimin e ndonjë festivali të madh ndërkombëtar, ku do të zbrisnin yjet botërore në Prishtine", ka thënë Foniqi, duke shtuar se duhet të punojë më shumë në ngritjen e infrastrukturës kulturore dhe sportive në vend. Ndërsa, krijuesi Ismet Tahiraj ka thënë për "Kosova Sot", se shpreson se me ardhjen ministrit të ri do të ketë edhe ndonjë freskim, sidomos në mbështetje dhe përkrahje për projekte të mëdha, sidomos ato që paraqesin interes kombëtar, sidomos ndonjë film për UÇK-në, apo edhe vepra të tjera që kanë tema kombëtare. Ndërsa ka shtuar se duhet të t i jepet përparësi mbështetja financiare për organe që bartin vlera, siç është rasti me organin e vetëm të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, "Metafora", të cilit, si është shprehur ai, për çudi më pak i ndahen mjete se saj një individi. "Mungon një reviste humoristike tejet e nevojshme, këtë e kompenson gazeta 'Kosova Sot'. Duhet të përkrahen fuqishëm takimet e poeteve si dhe botimit i dorëshkrimeve të reja, por jo parciale apo partiake", ka thënë ai, duke shtuar se MKRS-ja duhet të bëjë çmos që të mbështet vlerat

(Kosova Sot)