Komuniteti kulturor nga Diaspora, i injoruar nga shteti

  • 15 September 2017 - 09:36
Komuniteti kulturor nga Diaspora, i injoruar nga shteti

NUK PËRKRAHEN SA DUHET ZHVILLIMET KULTURORE NË DIASPORË DHE NË LUGINË TË PRESHEVËS

Dan Ibrahimi: Zhvillimet kulturore në Preshevë, në Medvegjë dhe në Bujanoc do të duhej të përkraheshin materialisht fuqishëm, madje nga Kosova dhe Shqipëria

"Sepse, ata që udhëheqin kulturën nuk kanë diapazon kombëtar, por janë lokalistë, janë pak a shumë edhe analfabetë. Sipas mendimit tim, kultura në përgjithësi, e edhe letërsia e gjuha shqipe, në veçanti, janë një dhe të pandashme", ka thënë krijuesi gjilanas, Zeqir Fazliu

Diaspora shqiptare dhe Lugina e Preshevës për vite me radhë janë duke u treguar si vatra të rëndësishme të kulturës shqiptare. Shumë krijues të fushave të ndryshme kulturore po dalin në dritë në vende të ndryshme evropiane dhe në Luginë. Madje, po bëjnë edhe emër në skenat kulturore botërore. Por, pavarë- sisht suksesit, dhe fakti se pjesa dërmuese e tyre janë nga Kosova, ky komunitet vazhdon të injorohet nga institucionet kosovare. Për njerëzit e kulturës, institucionet duhet të kujdesen njëjtë, për krijuesit nga Diaspora dhe Lugina, sikurse ata të ishin në Kosovë. Pasi, siç janë shprehur ata, kultura shqiptare është një dhe e pandashme. Ndërsa kanë thënë se, institucionet kosovare duhet të jenë shumë të kujdesshme për zhvillimet kulturore që ndodhin në diasporë dhe veçanërisht në Luginën e Preshevës, duke mos u fokusuar vetëm në ato aktivitete, siç kanë thënë ata, shkel e shko, që organizohen në kujdesin e institucioneve për Diasporën.

Të mos lejojmë ndarje artificiale

Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesi gjilanas, Zeqir Fazliu ka thënë se neglizhenca që po tregon shteti i Kosovës ndaj krijuesve dhe njerëzve të kulturës në Diasporë vjen si rezultat i shumë faktorëve, ku më kryesori, sipas tij, është vizioni që kanë ata që po drejtojnë dikasteret shtetërore që merren me kulturën. "Sepse, ata që udhëheqin kulturën nuk kanë diapazon kombëtar, por janë lokalistë, janë pak a shumë edhe analfabetë. Sipas mendimit tim, kultura në përgjithësi, e edhe letërsia e gjuha shqipe në veçanti janë një dhe të pandashme", ka thënë ai, duke shtuar se kultura që zhvillohet në vende të ndryshme dhe veçmas në Luginën e Preshevës, është një dhe e pandashme. "Pra,nuk kemi letërsi të Diasporës, nuk kemi letërsi të Luginës, të Kosovës, të Shqipërisë, të Maqedonisë, por kemi letërsi shqipe, kudo që shkruhet e krijohet shqip. Këtë e kam thënë edhe zyrtarisht në Mitingun e Poezisë në Gjakovë para disa vjetësh. Kur t'i shikojmë gjërat kështu unanimisht dhe pa ndarje artificiale,atëherë edhe kultura,edhe letërsia,edhe gjuha shqipe do të ishin në nivel më të mirë e më të mundshmes", ka thënë ai.

Kultura në Diasporë nuk është e perceptuar shumë përtej ca manifestimeve poetike

Edhe shkrimtari dhe studiuesi Dan Ibrahimi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se shteti duhet të përkrahë krijuesit nga Diaspora,e në veçanti ata të Luginës së Preshevës, duke pasur parasysh edhe rëndësinë dhe situatën atje. Sipas tij, zhvillimet kulturore, ekonomike e të tjera të shqiptareve në Preshevë, në Medvegjë dhe në Bujanoc do të duhej të përkraheshin materialisht fuqishëm, madje nga Kosova dhe Shqipëria. "Ndërsa për kulturën në Diasporë, unë mendoj se duhet të përkrahet dhe mendoj se edhe përkrahet, sepse Kosova ka madje edhe një ministri përkatëse. Një gjë tjetër është që kultura në diasporë nuk është e perceptuar shumë përtej ca manifestimeve poetike e shumë rrallë tjetër gjë dhe për këto paratë që jep ministria shpenzohen drejt ose jo", ka pohuar Ibrahimi, duke shtuar se institucionet duhet të investojnë në aspekte kulturore të diasporës, por jo në formë të paprogramuar.

(Kosova Sot)