DËSHTUAM TË MBAJMË NJË FESTIVAL MBARËSHQIPTAR FILMI

  • 16 September 2017 - 11:04
DËSHTUAM TË MBAJMË NJË FESTIVAL MBARËSHQIPTAR FILMI

DO TË BALLAFAQOHESHIN PRODUKSIONET SHQIPTARE NGA KOSOVA, SHQIPËRIA, MAQEDONIA, E MË GJERË

"Festivali i filmit shqip, që dikur kishte krijuar një traditë, do të ishte më se i domosdoshëm, por që për t'u rikthyer ai festival do të duhej që në nivelin më të lartë shtetëror të merreshin vendime të tilla në kuadër të bashkëpunimit të dy ose tri ministrive të kulturës, ose në kuadër të qendrave të kinematografisë së vendeve tona", ka thënë aktori dhe producenti, Avni Abazi

Për gjatë një viti si në Kosovës, ashtu dhe në Shqipëri organizohen disa festivale filmi, ku pjesa dërmuese e tyre janë ndërkombëtare dhe fokusimi zakonisht bie mbi prurjet e huaja. Por, nuk ka një festival gjithëshqiptar të filmit. E, as që pritet të ketë në të ardhmen ndonjë festival të tillë. Një event i tillë, jo vetëm që ka një mbështetje solide ndër kineastët shqiptarë, por do të duhej të kishte edhe një bashkëpunim ndërmjet dikastereve të ndryshme nga Kosova dhe Shqipëria, gjë që do të ishte vështirë të gjendej një gatishmëri e tillë bashkëpunimi. Shumë prej kineastëve tanë do të pranonin një festival të filmit gjithëshqiptar, që do të ishte një test për nivelin dhe fuqinë e kinematografisë shqipe që sot, krijohet në Kosovë , Shqipëri, Maqedoni, etj.

KËRKOHET BASHKËPUNIM I DY-TRI MINISTRIVE TË KULTURËS

Dramaturgu Naser Shatrrolli, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se një ide për mbajtjen e një festivali gjithëshqiptar të filmit, nuk është shumë e qëlluar pasi, siç ka thënë, nuk do të ketë festivale për të cilat do të ndaheshin mjete nga tri qendra shqiptare, ose qytete shqiptare për një kauzë kinematografike. Sipas tij, secili kineast shikimin e ka përtej orbitës rajonale, të gjithë shikojnë festivalet me peshë evropiane dhe amerikane. "Andaj, kjo pikëpyetje nuk do të marrë asnjëherë përgjigje konkrete, sepse nuk do të mund të ishte i besueshëm për faktin se shqiptarët - organizatorët nuk kanë kulturë organizative, nuk investojnë në festival, por në çatinë e tyre, pra me paratë që mund të sponsorizohen ata duan të ndërtojnë folenë e tyre personale", ka thënë ai, duke shtuar se nuk mund të pritet që do të mund të ndodhë një emërtim i tillë kinematografik. Aktori dhe producenti, Avni Abazi ka thënë se një ide për një festival filmi gjithëshqiptar është përtej ideales, pasi, siç ka thënë ai, duhet prekur një pikë në formën e dëshirores dhe aspiratës për identifikim të kinematografisë shqipfolëse. "Festivali i filmit shqip, që dikur kishte krijuar një traditë, do të ishte më se i domosdoshëm, por që për t'u rikthyer ai festival do të duhej që në nivelin më të lartë shtetëror të merreshin vendime të tilla në kuadër të bashkëpunimit të dy ose tri ministrive të kulturës ose në kuadër të qendrave të kinematografisë së vendeve tona", ka thënë producenti Abazi.

NJOHJA DHE BASHKËPUNIMI DO TË SILLNIN FRYTET E SAJ

Kurse për regjisorin Mahir Musliu ideja për një festival të filmit gjithëshqiptar është shumë e mirë. Një festival i tillë i munguar duhet konceptuar si një festival që do të ballafaqonte produksionet shqiptare nga Kosova Shqipëria, Maqedonia, e më gjerë. Ndërsa ka thënë që kjo ngjarje kinematografike do t' i përfshijë gjithë hapësirat ose shtetet ku shqiptarët jetojnë dhe krijojnë. "Po mendoj se ndoshta nuk do t' i ketë shkuar mendja dikujt kështu, kërkohet punë e përkushtim në arritjen e këtij qëllimi, por nuk do të ishte diçka e paarritshme. E para, të mblidhen disa profesionistë nga këto hapësira dhe t'i caktojnë kriteret dhe konceptin artistik të këtij evenimenti", ka thënë ai, duke shtuar se një ngjarje e tillë do të ishte vetë mrekullia, ndonëse do të kurorëzohej me njohje e ura bashkëpunimi midis kineastësh shqiptarë. "Kjo njohje dhe bashkëpunim do t'i sjellë frytet e veta pas disa vjetësh", ka pohuar regjisori Musliu. Ndërsa kritiku Ilir Muharremi, profesor në UP, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se festivalet kërkojnë shpenzime të mëdha, kostoja e tyre gjithmonë duhet të jetë në nivel. Sipas tij, është pozitive të ketë festivale filmash, pasi aty matet cilësia e filmave. "Ne i patëm disa, por dështuan, me siguri sponsorimi është arsyeja. Por, edhe në këto festivale pak kishte filma cilë- sorë. Shpesh edhe në teatro, por edhe në seminare të ndryshme gjithmonë vijnë njerëz të njëjtë. Nuk e di pse, mos ndoshta kontakti mes dy palëve dhe raporti është fitimprurës", ka pohuar Muharremi.

(Kosova Sot)