Askush nuk i pyet punëtorët e MKRS-së për të shkuar në Prizren

  • 16 September 2017 - 14:04
Askush nuk i pyet punëtorët e MKRS-së për të shkuar në Prizren

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

ME SHKAS PROPOZIMIN E PDK-SË PËR ZHVENDOSJEN E OBJEKTIT TË MKRS-SË NË PRIZREN

Përpjekjet e liderit të PDK-së, që të mos dështojë edhe në zgjedhje lokale

Kalimi i MKRS-së me lokacion nga Prishtina në Prizren mund të jetë për shumë arsye: e para, dëshira e PDKsë për të dhënë propozime të veçanta dhe për të mbajtur Prizrenin në këto zgjedhjet lokale, duke ia ofruar MKRS-në këtij qyteti, për të dhënë mesazhin se PDK-ja kujdeset në mënyrë të veçantë për qytetin e Prizrenit. Kjo është armë e fortë që e përdor PDK-ja, në përpjekjen për ta mbajtur Prizrenin

PROPOZIMI

PROPOZIMI Kadri Veseli, kreu aktual i Partisë Demokratike të Kosovës, kishte ardhur si lider i ri pas kalimit të Hashim Thaçit në pozitën e presidentit, pasi Kushtetuta nuk lejonte në të njëjtën kohë të qenit lider i një partie politike dhe të ishte president i vendit. Veseli po përpiqej të ndryshonte disa kuadro të rendit të parë në PDK, por edhe përpiqej të jepte ndonjë ide të re për të treguar kreativitetin e tij para zgjedhësve të vet dhe opinionit të gjerë publik. Ishte afruar fushata e zgjedhjeve parlamentare dhe ai përpiqej të jepte ndonjë propozim, ide dhe premtim të ri. Propozimi i vetëm që ishte më ndryshe, pa e shpjeguar ndonjë detaj më të hollësishëm, ishte zhvendosja e lokacionit të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS) nga Prishtina, si kryeqytet, në Prizrenin historik e të vjetër. Ai propozim i Veselit kishte kaluar në heshtje dhe pa ndonjë diskutim, sepse askush nuk i merrte seriozisht politikanët kosovarë në fushatat e tyre elektorale. Pas rezultatit jo të kënaqshëm të PAN-it, megjithatë, më në fund arriti të formohet Qeveria, qoftë edhe me lajme të tmerrshme të shpërblimit të një sekseri për vota, me pozita super të larta të shtetit, si zëvendëskryeministër dhe ministër të Diasporës. Së këndejmi, gjatë ndarjes së ministrive, MKRS-ja i ra në duar një figure të panjohur fare në fushën e kulturës, Kujtim Gashit dhe vinte nga radhët e PDK-së. Pasi kreu i PDK-së, Veseli, dhe kjo parti kishte premtuar zhvendosjen e MKRS-së nga Prishtina në Prizren, tani u bë temë diskutimi minimal se si do të bëhet kjo zhvendosje; cilat departamente apo krejt objektet e zyrat e Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport do të barten atje, etj. Prej një propozimi të përgjithësuar, të pamenduar fare të Veselit, pa ndonjë strategji dhe analizë, pa ndonjë shpjegim se si do të ndaheshin departamentet dhe cili do të ishte çmimi i kësaj rokade, tashmë ka zëra se zhvendosja do të bëhet, sidomos për mesazhe politike.

MINISTRI I RI NGA PRIZRENI 

Ministri i ri nga radhët e PDK-së, Kujtim Gashi, akoma në faqen e MKRS-së, përveç fotografisë, nuk e ka plotësuar linkun ku duhet të shkruhet biografia. Mirëpo, nga një kumtesë e PDK-së, e publikuar në medie, tregohet se vjen nga qyteti i Prizrenit, është kryesues i Kuvendit Komunal të këtij qyteti dhe pranë mbrojtjes së masterit në Fakultetin e Edukimit. Në fushën e kulturës, nuk është se është shquar deri më tash për ndonjë gjë, sa për ta njohur komuniteti i aktorëve, piktorëve, poetëve, etj. Në anën tjetër, për këtë gjë, edhe nuk duam të jemi subjektivë si poetë, sepse fakti se Ministria e tillë është për Kulturë, Rini dhe Sport, edhe dikush si i shkathët në fushën e menaxhimit e projekteve rinore apo sportit, do të mund të ishte pretendent për ministër. Në këtë kuptim, ministri i ri, Gashi, me emrin e njëjtë si të ministrit të kaluar, në kumtesën e PDKsë, thuhet se ka qenë koordinator i sektorit të rinisë dhe ndoshta departamenti i rinisë mund të gëzohet që dikush nga fusha e programeve rinore ka ardhur në postin e ministrit, sepse gjithmonë flitet vetëm për ndonjë figurë nga fusha e kulturës për ta drejtuar MKRS-në, pavarë- sisht se as kjo nuk ka bërë askënd të jetë i kënaqur, ngase jemi të indinjuar me shumicën absolute të ministrave të MKRS-së nga pas lufta e këtej, por edhe me të tanishmin. Sidoqoftë, problemi i emërimit të këtij ministri të ri, të ardhur nga qyteti i Prizrenit dhe me propozimin pa e menduar gjatë, për zhvendosjen e MKRS-së në Prizren, mund të lexohet edhe si përpjekje e PDK-së, për t'ia përçuar një mesazh Prizrenit, për zgjedhjet e afërta elektorale dhe lokale. Ky qytet është me një kryetar të akuzuar rëndë për korrupsion nga radhët e PDKsë dhe pas mandatit të dytë, ka vështirësi gjigante për ta mbajtur PDK-ja, njërin ndër qytetet më të mëdha në Kosovë, sikur është Prizreni. Prandaj, mesazhi që Veseli dhe PDK-ja duan ta dërgojnë për Prizrenin është: nuk do ta lëmë anash këtë qytet; e bëmë ministër një prizrenas; po e sjellim një ministri të tërë apo të pjesërishme në qytetin e Prizrenit, e kështu me radhë. Krejt kjo, ka shumë gjasa të lexohet si përpjekje e liderit të PDK-së, për të bërë përpjekje të mos dështojë edhe në zgjedhje lokale, pas rënies së madhe në zgjedhjet parlamentare. 

PA ANALIZË PËR KOSTON E VENDOSJES NË PRIZREN

Kalimi i MKRS-së me lokacion nga Prishtina në Prizren mund të jetë për shumë arsye: e para, dëshira e PDK-së për të dhënë propozime të veçanta dhe për të mbajtur Prizrenin në këto zgjedhjet lokale, duke ia ofruar MKRS-në këtij qyteti, për të dhënë mesazhin se PDK-ja kujdeset në mënyrë të veçantë për qytetin e Prizrenit. Kjo është armë e fortë që e përdorë PDK-ja, në përpjekjen për ta mbajtur Prizrenin, sikur e përmendëm më lart. Humbja e PDK-së në Prizren do të shënonte goditjen më të madhe për PDK-në, por edhe për vetë liderin e ri aktual, Kadri Veselin. Arsyeja e dytë ndërlidhet me dëshirën e PDK-së të duket sikur i mban premtimet e fushatës, pa analizuar krejt koston e kësaj zhvendosjeje. Arsyeja e tretë ndërlidhet edhe me fuqinë e vetë Prizrenit dhe "Dokufestit" për ta shndërruar Prizrenin në një qytet kulturor e qytet festivali. Prandaj, "Dokufest" ka një meritë të veçantë për këtë, pa përjashtuar edhe vetë historikun dhe simbolikën e Prizrenit për të gjithë shqiptarët, kosovarët në përgjithësi, mbledhjet e dy qeverive, Lidhjen e Prizrenit, qendrën historike, e tjerë e tjerë. Arsyeja e katërt, me shumë gjasa është edhe dëshira e presidencës që objektin aktual të MKRS-së ta shndërrojë në objekt për presidentin, dhe rrjedhimisht, nëse MKRS-ja kalon në Prizren, aty ku është MKRS-ja mund të kalojë Presidenca e vendit. Sidoqoftë, askush nuk i pyet punëtorët e MKRS-së! Shumica e punëtorëve të MKRS-së, edhe pa i intervistuar, ndjehen të brengosur dhe të shqetësuar me zhvendosjen eventuale apo reale të MKRS-së nga Prishtina në Prizren. Ne për të verifikuar dhe për të konfirmuar presupozimin tonë për brengat e tyre, i pyetëm ca prej tyre dhe më thanë se janë të brengosur për këtë, nga shumë arsye. E para, ndërlidhet me udhëtimin e largët prej Prishtinës në Prizren, nëse do të transportoheshin punëtorët e MKRS-së, qoftë edhe falas. Rreth 2 orë, mbi 80 km distancë, por edhe lloji i transportit falas apo pagesa nga MKRS-ja; e dyta, disa prej tyre janë të martuar dhe kanë familje, përkatë- sisht fëmijë në shkollë dhe ndërrimi i qytetit, nënkupton edhe ndryshim të vendbanimit të fëmijëve dhe shkollës; e treta, edhe nëse do të udhëtonin për çdo ditë falas, katër orë rrugë andej-këndej, lodhja, mundimet dhe humbja e gati krejt ditës, i ofrojnë pakënaqësi punonjësve të MKRS-së; e katërta, shumica e ministrive, organizatave joqeveritare dhe donatorëve janë të koncentruar në Prishtinë dhe kjo do të paraqiste disa vështirësi teknike-infrastrukturore të komunikimit, krahasuar me lokacionin aktual në Prishtinë; e pesta, disa punë- torë ashtu-kështu kanë ardhur nga qytetet e tjera dhe dalëngadalë e kanë projektuar të ardhmen e tyre në Prishtinë, qoftë edhe me banesa me kredi apo me qira, dhe nëse u ndërrohet vendi i punës, në fakt, i ndërrohen krejt planet dhe projeksionet e tyre të së ardhmes dhe të së tashmes; u bie disa herë të ndërrojnë vendbanimin, planet dhe përditshmërinë e tyre sociale; e gjashta, akoma nuk dihet se cilat departamente do të zhvendosen në Prizren apo krejt zyrat e MKRS-së; e shtata, nuk ka praktikë të punonjësve në Kosovë, të cilët shkojnë prej një qyteti në qytetin tjetër të punojnë, apo të udhëtojnë shumë larg për të punuar. Përjashto Prishtinën, ku shumë punonjës nga qytete të ndryshme të Kosovës, në fillim kanë udhëtuar për çdo ditë pune, më vonë disa prej tyre kanë marrë banesa me qira dhe ca prej tyre edhe janë zhvendosur jetëgjatësisht duke blerë banesa me këste mujore në Prishtinë, apo forma të tjera, duke shitur krejt pasurinë e tyre jashtë kryeqytetit, etj. Mbaj në mend kur një azilkërkues nga Ferizaj, më tregonte një histori në takim me zyrtaren gjermane për azil. Ajo e kishte pyetur: Pse ke ardhur në Gjermani? Ferizajasi azilkërkues ishte përgjigjur: Për shkaqe papunësie! Nuk gjeja punë dhe në vendin tim ka papunësi masive! - ishte përgjigjur ai. Zyrtarja gjermane kishte replikuar në mënyrë qesharake në sytë e ferizajasit: A ke shkuar në ndonjë qytet tjetër të Kosovës për të kërkuar punë?! Merreni me mend, sa larg njohjes së realitetit kosovar ka qenë zyrtarja gjermane, duke besuar se nëse dikush nga Ferizaj nuk gjen punë në komunën e tij, do të shkojë të marrë një banesë me qira në Gjilan e do të zhvendoset në Gjilan, sepse e ka gjetur një vend pune! Janë të rralla këso rastesh në Kosovë, duke kërkuar punë nga një qytet në qytetin tjetër brenda Kosovës, me përjashtim të vërshimeve drejt kryeqytetit, si Prishtina. Në këtë kuptim, lëvizja e punëtorëve nga Prishtina në Prizren, është e vështirë për sistemin dhe praktikën kosovare. Kjo është për shumë arsye dhe ndër to është sidomos vështirësia për të paguar qiranë dhe paga shumë e ulët mujore edhe nëse punoni! Prandaj, punëtorët e MKRS-së me të drejtë mund të jenë të shqetësuar, nëse nuk e dinë se si do të jetë fati i tyre i punës dhe vendit të punës pas zhvendosjes së lokacionit të MKRS-së nga Prishtina në Prizren. Mund të ketë propozime të ndryshme për zgjidhjen e problemit të banimit të punë- torëve. P.sh., mund të mendohet dhënia me qira e banesave nga MKRS-ja për sa kohë janë në marrëdhënie pune me MKRS-në, por kjo do të tingëllonte për disa si e sistemit të kaluar socialist; për disa barrë e rëndë për buxhetin e Kosovës, etj. Megjithatë, kryefjala është edhe interesi i punëtorëve të MKRS-së, sepse tek e fundit, për ministrat nuk është asnjë problem. Ministrat e kanë luksin, pagën e lartë mujore dhe shumë privilegje të tjera me veturë të shtrenjtë, etj., aq më shumë, një ministrit që po i zhvendoset ministria në qytetin e tij, si ministrit aktual Gashi.

PRIZRENI MERITON SHUMË

Prizreni përnjëmend është qytet shumë i dashur, multikulturor dhe simbol i veçantë për tërë shoqërinë. Nuk jam në parim kundër idesë së lokacionit të MKRS-së në Prizren, por vetëm do të doja që politikanët të ishin të përgjegjshëm për fjalët e idetë që thonë; të marrin para vetes këshilltarë inteligjentë e që bëjnë llogari sa kushton kjo zhvendosje?!; sa jemi në gjendje ta përballojmë aktualisht me buxhetin aq të ulët për kulturë?!, etj. Po ashtu, do të isha pa asnjë kundërshtim, nëse do të bëheshin shumë konkurse në mënyrë online. P.sh., nëse do të doja të aplikoja për financimin e një dorëshkrimi, apo projekti kulturor-artistik, pse të shkoja në Prizren domosdo, por të kompletoja krejt aplikacionin në mënyrë elektronike?! Jo që nuk dua të shkoj në Prizren e kudo tjetër, me plot kënaqësi, por shpenzime, kohë, humbje e motivimit për të aplikuar dhe pa ndonjë shpresë se projektet zgjidhen krejt objektivisht, etj. Sikur të kishim kushte më të mira financiare, paga më normale mujore, administratë efikase të MKRS-së, profesionistë të mjaftueshëm në departamente, e-qeverisje efikase, llogari të çmimit të zhvendosjes, etj., pa dyshim se Prizreni e meriton jo vetëm MKRS-në, por edhe shumë më shumë. Madje, Prizreni, më shumë se burokracinë dhe administratën e MKRS-së, zyrat e objektin, ka nevojë për rritje të buxhetit për kulturë dhe gjithçka tjetër. Po ta donin Prizrenin politikanët, do të bënin më shumë për të prej pasluftës e këtej! E duan vetëm për vota dhe për asgjë më shumë!

(Kosova Sot)