Vdekja e narratorit, ringjallja e autorit!

  • 17 September 2017 - 14:06
Vdekja e narratorit, ringjallja e autorit!

SHKRUAN: IDRIZ MORINA

Ag Apolloni me romanin Ulurima e Ujkut, përveçse provon të sjellë një roman të ri në letërsi, jo vetëm për nga mënyra e rrëfimit duke thyer kufijtë e tij (rrëfimit) tradicional, por provon të thyejë tërësisht edhe formën e tij (romanit), organizimin strukturor dhe vetë kufijtë e zhanrit. Romani fillon si bashkim tregimesh, zhvillohet nga perspektiva e rrëfimtarit të gjithëdijshëm, heterodiegjetik, dhe këmbehet me narratorin homodiegjetik, që provon të identifikohet me autorin, madje duke e këmbyer autorin me rrë- fimtarin, (edhe pse sipas ligjësisë narratologjike, sado që autori rri zbuluar në vepër ai është veçse një rrëfimtar-narrator), dhe duke pretenduar vdekjen e narratorit, dhe ringjalljen e autorit. Pra, një betejë diskursive teorike e Apollonit me Zhenetin, dhe mbi të gjitha me Bartin, i cili në studimin për Sarrazinin ka shpallur vdekjen e autorit, dhe kthimin e letërsisë në binomin, vepra-lexuesi, duke fshirë nga studimi teorik autorin.

VEPRA - LEXUESI - AUTORI (I VDEKUR)

Apolloni duket se ia arrin që nëpërmjet këtij romani ta ringjallë autorin, ta kthejë nga 'bota e të vdekurve', në kurriz të shpalimit, heqjes së maskës së rrëfimit nëpërmjet narratorit, duke u bërë drejtpërdrejt pjesë e rrëfimit (natyrisht këtu premisa merr kuptim më të plotë, për lexuesin që e njeh më nga afër autorin). Ndërsa, përpjekja tjetër është inkorporomi i zhanreve, dhe jo vetëm ndërkëmbimi i niveleve narrative dhe perspektivave të rrëfimit, pas kalimit nga zhanri fiksional kalon në atë biografik, në diskutim teorik-polemizues, dhe më tej në tregim, nga këtu zhvendoset në rrëfim filmik (sikur të ishte një libër xhirimi), dhe më tej akoma në dramë (Lotët e Lunatikut, e treguar në 42 faqe), që mund të qëndrojë tërësisht e shkëputur nga romani, dhe është e vetmja pjesë ku narratori përjashtohet nga teksti, dhe e gjitha zhvillohet si një dramë më vete. Vetë drama në vetvete është nga pjesët më të bukura të veprës, dhe si një përshkrim antropo-psikologjik i jetës në Kosovë, ku të sëmurët janë më të shëndoshë mendërisht, se sa nga ata që mbahen të rrethuar, mbyllur dhe izoluar, ndërsa kriminelët qëndrojnë të lirë (serbët, dhe kriminelët ordinerë, përfshirë ata politikë).

ROMANI?

Gjëja e parë që shtrohet për diskutim, bazuar në strukturimin e librit, është vetë zhanri në të cilin është shkruar libri. I nisur si një rrëfim për botën e përtejme, përkatësisht kalimin nga bota e të gjallëve në botën e të vdekurve, por drejt ferrit, i vazhduar si diskutim shkencor teorik, duke shlyer në pjesën më të madhe referencat artistike, ku diskursi është thellësisht teorik e shkencor, debat me Zhenetin, nisur nga atribuimet për Platonin, vazhdimi i debatit polemizues me teorinë qendrore moderne, se autori ka vdekur, e cila e shlyente nga prania në vepër autorin. Momenti i narracionit, është një çështje tjetër që paraqitet për diskutim teorik, duke pranuar gjithnjë shënjimin nga vetë autori të veprës, roman. Mbështetur në studimet narratologjike, nga katër momentet e veçuara, Apolloni zbaton qartësisht momentin e mëvonshëm narrativ, ku rrëfimtari rrëfen ngjarjet që kanë ndodhur në të kaluarën, krahasuar me momentin kur ato rrëfehen, kjo teknikë është dominante në roman. Dhe po ashtu është qartësisht i dallueshëm momenti simultan, kur ngjarjet ndodhin në momentin që rrëfehen, 'kjo teknikë përdoret te zhanret e përafërta me ato dramatike'. Kjo teknikë është zbatuar në tërësi në tregimin dramatik "Lotët e Lunatikut", tek "Leva e arkimedit" pjesërisht. Tregimi "Dita" që po ashtu përafron me "Lotët...", është shkruar si një skenar filmi, ku përveç dialogjeve, janë edhe pjesët sqaruese të tekstit për regji, që ngjet edhe me një libër xhirimi. Por, që tregimi si i tillë, qëndron pjesë e romanit, por tashmë narratori nuk është vetë kryepersonazh, por dëshmitar, narrator homodiegjetik. Kjo e vërteton atë që thamë më lart, se Apolloni përdor me mjeshtri nivelet narrative, dhe transformimet narrative, nga një perspektivë rrëfimi në tjetër, nga një zë rrëfimi në tjetër. Pjesë integrale e veprës janë edhe fusnotat, përveç atyre me informacion skolastik, ka të tjera, që janë pjesë e rrë- fimit integral të romanit, dhe sugjerim për leximin e tij, sikurse tek 'burimet', 'biografia' ku autori vazhdon me situimin e romanit të papërfunduar, si shkollë' e romanit të ri. Romani "Ulurima e ujkut", në vetvete është një udhëtim i papërfunduar nëpër 'pyjet e narracionit', edhe pse vepra në vetvete është e përfunduar, por që paraqet edhe një përpjekje për thyerjen e teorive të narratologjisë dhe të teorive për romanin përgjithësisht.

STILI

Apolloni është origjinal në letërsinë shqipe, në mënyrën e rrëfimit, strukturimin e librit, dhe në vetë stilin. Një stil i drejtpërdrejt, i rrallë, dhe që thyen çdo tabu komunikimi. Si nga fjalori i pakursyer trivial, deri tek fjalët dhe shprehjet më të rralla, që mund të gjenden dhe vihen në vepër nga një lexues i pasionuar, pafundësisht, si fjalët popullore, sentencat, frazeologjitë, po ashtu edhe ato nga shkrimet e shenjta, vedike, biblike, kuranore, e deri te pjesët e cituara, veçanërisht të këngë- tarëve të shquar amerikan, dhe të shkrimtarëve më të dashur të tij. Artin dhe jetën i sheh jashtë kufijve politikë, por brenda njerëzores dhe të njerëzishmes. Dashurisë, bipolaritetit të saj. Një libër mesazh për dashurinë dhe jetën, nga njeriu i revoltuar, njeriu-ujk!

REVOLTA

Romani bart shenja të qarta të revoltës. Njeriut, që nuk pajton me idetë apo ideologjitë, politike, por as religjioze të shpërdorura nga njeriu. Ai komunikon me Zotin, dhe madje në tregimin Zoti, fantazma dhe unë, ai është personazh, ku e bën njerëzor, shumë më njerëzor se vetë njerëzit, dhe më parë arrin të pajtohet me të, duke e refuzuar, se sa me vetë besimtarët e tij. Aq i çliruar është ky 'komunikim' i tij, sa që kur i bindet Zotit, që të shkojë t'i lutet në kishë apo xhami, vetë ai i përgjigjet: "Ato nuk janë shtëpitë e mia"! Apolloni këtu i kthehet ontologjisë së krijimit të botës nga Zoti, dhe vetë njeriut, ideve themeltare për jetën. "Unë jam si ti. Njeriun e krijova sipas shëmbëlltyrës sime", thotë Zoti, në dialog e sipër, duke rimarrë idetë e librave të shenjtë, për një shtjellim të mëtejmë, ku dialogu arrin kulmin e revoltës, njëherë të vetë rrëfimtarit, dhe herën tjetër të vetë Zotit: - "....a mos është kjo botë ferri i botës suaj? - Kur e krijova unë, ishte ndryshe. Ju e bëtë ferr. Revolta më e madhe në roman është shprehur ndaj identitetit, përkatësisht mungesës së tij, për shqiptarin, gjendjen e përgjithshme të cilën e ka pranuar dhe në të cilën jeton. E kaluara e trishtë, e pakompensuar nëpërmjet kulturës së kohës (perëndimore), bashkë- jetimi me veset e kodit të kanunit, dhe shpërfytyrimit që ia kanë bërë politikanët, dy shteteve shqiptare, njërit shekullor (Shqipërisë) dhe tjetrit në krijim e sipër (Kosovës), janë pjesë e romanit, të shprehura në mënyrë eksplicite në tregimin, "Klith, Munch, klith". Dëshpërimi arrin kulmin, të cilin 'narratori', se mbyt dot as me raki, andaj paradizon në mënyrë këlthitëse vargjet e këngës popullore, Xhamadani vija-vija, është Kosova, është Shqipëria!, duke i kthyer në blasfemi kombëtare: Xhamadani vija-vija, mut Kosova, mut Shqipëria! Revoltë kjo që autori i romanit e shpreh duke përdorur qartësisht botën referenciale, duke hequr çdo trajtë të ndërmjetme letrare për komunikim me lexuesin. Më i qartë se kaq nuk mund të ishte asnjë shkrim publicistikë apo lloj tjetër komunikimi publik. Një këlthitje për të refuzuar realitetin politik, social dhe kulturor shqiptar.

PËRFUNDIM

Nisur nga organizimi strukturor i veprës, nivelet narrative dhe kapërcimet zhanrore, nëpërmjet vendosjes së tregimeve në roman, rrëfimi i jetës autobiografike në pjesë të caktuara, si jeta akademike me studentët, pa hyrë në diskutim për jetën reale, relacionet me dashurinë, besimin, Zotin etj., referencat e qarta biografike, jetësore, përngjasimet me bioletrën, përpjekjen teorike të Hamitit, diskutimet e natyrës teorike, diskursi publicistik, dhe përfshirja e dramës e skenarit në tekst, e bëjnë vepër unike në letërsinë shqipe, të vetmen e llojit të vet. Me këtë roman Ag Apolloni thyen jo vetëm kufijtë e traditës së shkrimit në letërsinë shqipe, por janë trajta shkrimi me përpjekje për gjetjen e modelit të ri krijues në letërsinë botërore, e ndodhur përballë zhvillimeve të jashtëzakonshme teknologjike, ku mënyrat e rrëfimit dhe ndërtimit të tekstit domosdoshmërisht duhet të përthyhen në kërkim të rikthimit të ndikimit të dikurshëm që kishte letërsia, jo vetëm të famës, por të pjesëmarrjes në formimin kulturor të njerëzimit. Në këtë kontekst Apolloni krijon shenja të qarta teksti, krijimi, të cilat mund të jenë një kapërcyell i ri, për në botën e re të artit, që nuk ka arritur ti thyejë konvencat prej shekujsh, por, që si asnjëherë më parë nuk është ndodhur nën trysninë e shpejtësisë së jashtëzakonshme të komunikimit nëpërmjet teknologjisë, mediumeve sociale, që po shpërbëjnë shumë konvenca komunikimi edhe të përditshëm, përfshirë trazimin tronditës të mediave tradicionale.

 (Kosova Sot)