Rrëfimi për prindërit që duan t'i vrasin fëmijën e tyre

  • 24 September 2017 - 17:05
Rrëfimi për prindërit që duan t'i vrasin fëmijën e tyre

Bëhet fjalë për një komedi 'të zezë', të atij lloji që industria e filmit nuk i bën më. Nëse do të duhej që ta krahasonim këtë film me filmat e tjerë, atëherë në këtë aspekt do të mund të përmendnim filmat, si "Parents", "Heathers", "Serial Mom", filmat e hershëm te Gregg Arakit dhe të tjerë. Çdo gjë nis nga një transformim i çuditshëm. Instinkti i prindërve për t'i mbrojtur fëmijët e tyre kalon në të kundërtën e tij, gjë që rezulton me një epidemi mbarëbotërore të filicidit, apo thënë ndryshe vrasjes së fëmijëve. Vite më parë, një film i këtillë do të ishte i përkryer që të shfaqej në terminin e mesnatës, derisa tani me gjasë nuk do të zgjojë kërshëri aq të madhe dhe do të përfundojë në platformat "streaming". Por, përkundër kësaj, filmi "Mom & Dad" nuk do t'i dëmtojë karrierat e aktorëve kryesorë të tij, Nicolas Cage dhe Selma Blair, të cilët, thënë shkarazi, shkëlqejnë këtu, e as karrierën e regjisorit Brian Taylor (franshiza 'Crank', 'Ghost Rider: Spirit of Vengeance'). Edhe pse në fund të filmit marrim vesh se Kentaki është përdorur për xhirimin e tij, ngjarja e filmit në fjalë do të mund të kishte ndodhur kudo në Amerikë.

FORCA E PASHPJEGUESHME

Familja Ryan - babai Brent (Cage), nëna Kendall (Blair), nxënësja e shkollës së mesme Carly (Anne Winters), si dhe djali adoleshent, Joshua (Zachary Arthur) - janë pjesëtarë të rëndomtë të shtresës së mesme të Amerikës, gjë që nënkupton se e kanë edhe disfunksionalitetin e tyre. Brent në mënyrë sekrete ëndërron ditët e beqarisë, kur bënte dhe shiste petulla, derisa e dashura e tij adoleshente ia fuste gjirin e saj në gojë. Kendall ndihet e zbrazët dhe e humbur, tani kur fëmijët janë duke u rritur dhe ajo nuk ka karrierë, derisa raporti i saj me bijën e mërzitur, Carly, është duke u përkeqë- suar vazhdimisht, meqë kjo e fundit fillon që vëmendjen e saj ta orientojë kah miqtë e saj të cekët dhe kah i dashuri Damon (Robert T. Cunningham). I ati Brent nuk e aprovon lidhjen e vajzës me Damonin, duke thënë se ai është më i ri sesa vajza, por është evidente se atij i pengon fakti që Damon është zezak. Një ditë, njëfarë force e pashpjegueshme, e cila duket se manifestohet nëpërmes TV-së, ndikon që prindërit kudo të zhvillojnë dëshira vrastare, për t'i vrarë fëmijët e tyre, gjë që edhe normalisht mund të haset ndonjëherë, por vetëm si mendim i imponuar, të cilin prindërit e largojnë me tërë fuqinë e tyre. Një ish-shoqe e Kendallit (Samantha Lemole) shkon deri aty sa e ngufat fëmijën e saj, shoqen e Carly-s, Riley (Olivia Crocicchia).

NGUJIMI NË BODRUM

Sa i përket vetëm zhanrit, është kënaqësi dhe risi ta shohësh një film të gatshëm që ta krijojë një lloj të ri të përbindëshit nga prindërit, të cilët në një moment shihen duke u mbledhur para dyerve të shkollës, me pamje zombish, në një skenë e cila ngjan me skenat e ferrit. Por, ata në fakt nuk janë zombi, janë krijesa me ndjenja, sikur që ishin gjithmonë, me përjashtim se tani kishin një dëshirë të paepur që t'i vrisnin fëmijët e tyre. Kjo d.m.th. se ata vazhdojnë që të jenë në gjendje të vrapojnë, të bisedojnë dhe t'i zgjidhin problemet e tyre, kështu që, për shembull, kur Carly dhe Joshua ngujohen në bodrum, me qëllim që të iknin nga Brent dhe Kendall, nëna e tyre merr sharrën dhe tenton ta presë derën. Aktrimi i Cage-it na ofron një mundësi që të qeshemi me arsye dhe ai len përshtypjen se këtë rol do të mund ta luante edhe në gjumë, aq natyral është. Përshtypje të madhe lë edhe Blair, një talent, i cili kurrë nuk ishte shfrytëzuar, së cilës i jepet rasti që ta shfaqë talentin për komedi, me një rol të cilit ajo ia ofron një nuancë befasuese. Në anën tjetër, si Winters, po ashtu edhe Arthur, që të dy janë të guximshëm dhe më të përmbajtur. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për Marilyn Dodds Frank dhe Lance Henriksen, të cilët paraqiten me pamjen e maniakut me armë në dorë, duke u paraqitur në njërën prej skenave më të bukura dhe më aktive të filmit.

(Kosova Sot)