Një rrëfim për femrat e reja, të shitura si skllave seksi

  • 08 October 2017 - 18:00
Një rrëfim për femrat e reja, të shitura si skllave seksi

Trileri i regjisorit Will Wallace rreth tri femra të reja, të cilat ishin rrëmbyer dhe shitur si skllave seksi, nuk ka dyshim se ka një frymë autentike. Kjo nënkuptohet kur dihet se skenaristi, Siddharth Kara, është profesor i Harvardit që është i specializuar në këtë temë. Në fakt, libri i tij ka shërbyer si frymëzim për filmin. Por, përkundër tërë rëndësisë sociale dhe qëllimeve të mira, filmi "Trafficked" dëshmon më së miri se profesorët e fakulteteve nuk janë edhe skenaristët më të mirë të mundshëm. Sikur ta ndiqte një orar të imponuar, rrë- fimi i filmit përqendrohet te tri viktima të ndara, nga pjesë të ndryshme të botës: te nigeriania Mali (Jessica Obilum), që është një nënë e re, të cilën e kishin zënë duke tentuar që të imigronte në Evropë; indiania Amba (Alpha Banker), plani i së cilës për të studiuar në Amerikë shembet me dhunë; dhe amerikania Sara (Kelly Washington), të cilën e kishte mashtruar një punëtor social (Ashley Judd), i cili në fillim dukej se i ndihmonte, por që më pas merret vesh se është bashkëpunëtor i trafikantëve të seksit. Që të tri këto femra përfundojnë në një bordello të Teksasit, të udhëhequr nga Simon (Sean Patrick Flanery), i cili edhe pse në shikim të parë duket i sjellshëm, nuk heziton që t'i trajtojë vajzat me brutalitet, kur të ketë nevojë për një gjë të tillë.

FILMI PARAQET NË MËNYRË TË NGATHTË DHUNËN E USHTRUAR NGA TRAFIKANTËT

Edhe pse jo aq grafik, filmi paraqet në mënyrë të ngathtë dhunën e ushtruar nga trafikantët, sikur p.sh. kur i shohim duke vrarë një grua me të shtëna në shpinë, derisa ajo tenton që të ikë. Logjistika e operacionit të lig paraqitet me ngjyra të gjalla, të besueshme. Por, dialogu dhe njëtrajtshmëria e filmit nuk janë edhe aq interesante për shikuesit, sikur p.sh. kur njëri nga rrëmbyesit, pasi që ia vë syrin një vajze të re, me pamje naive, i urdhëron punëtorët e tij: "Qojeni te dhoma e virgjërisë", duke shtuar se ajo do të jetë "e përkryer për japonezin". Dhe, kujtimet që paraqesin jetët e tri personazheve kryesore para se të rrëmbeheshin, janë tepër banale.

FILMI "TRAFFICKED" ËSHTË EFIKAS PËR QËLLIME EDUKATIVE

Rëndësia e tematikës së këtij filmi tërhoqi disa aktorë të mirënjohur që të luanin në këtë film me buxhet të vogël. Por, prania e tyre shpesh është problematike. Kur Anne Archer paraqitet si murgeshë, apo Patrick Duffy si një politikan i dobët, menjëherë lind pyetja se çka kanë bërë ata kohët e fundit. Dhe, na falni, por Judd thjesht nuk është bindës në rolin e zuzares. Është e kuptueshme që ajo dëshiron të luajë kundër tipit të vet, por në këtë rast tensioni i mosbesimit del i pamundshëm. Filmi "Trafficked" është efikas për qëllime edukative, me statistika dhe informacione që paraqiten kah fundi i filmit. Por, si triler, ky është një film i parashikueshëm, duke mos u veçuar nga numri i pafundmë i filmave të tjerë që merren me këtë temë e që janë lëshuar viteve paraprake.

(Kosova Sot)