Krizë identiteti në bashkëpunimet KULTURORE KOSOVË-SHQIPËR

  • 16 October 2017 - 09:02
Krizë identiteti në bashkëpunimet KULTURORE KOSOVË-SHQIPËR

E mërimi i disa zv/ministrave nga Kosova në Qeverinë e Edi Ramës është parë me mjaft optimizëm në Kosovë, si një veprim për të unifikuar edhe më shumë bashkëpunimet mes Kosovës dhe Shqipërisë, në gjitha fushat, sidomos në fushën e Kulturës, pavarësisht se këto bashkëpunim ka vite që kanë nisur. Megjithatë, ato mbeten sipërfaqësore, të zbehta dhe pa ndonjë gjurmë. Për njohës të zhvillimeve kulturore në vend, bashkëpunimi kulturor Kosovës- Shqipëri gjatë këtyre viteve është në një krizë identiteti, që sipas tyre, ka kaluar në një monotoni, falë formës, përmbajtjes dhe realizimit të kalendarit vjetor te bashkëpunimet kulturore.

Reduktohen aktivitetet kulturore

Ylber Vokshi, arkitekt dhe ekspert në fushën e trashëgimisë, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot", se bashkëpunimet kulturore Kosovë- Shqipëri gjatë këtyre viteve janë në një krizë identiteti, e cila ka kaluar në një monotoni falë formës, përmbajtjes dhe realizimit të kalendarit vjetor te bashkëpunimet kulturore, i cili, siç ka vazhduar ai, vitin e kaluar është reduktuar në përgjithësimin e aktiviteteve kulturore në mes dy Ministrive homologe, për dallim nga vitet e kaluara, ku ishin të precizuara datat, gjegjësisht terminët kohorë dhe vëllimi i aktiviteteve. "Kjo qasje u vërejt në zhvillimin e përgjithësuar të aktiviteteve kulturore, të cilin domosdo duhet ndryshuar, duke e begatuar me përmbajtje atraktive dhe më dinamike, me porosi të qarta për të gjithë. Këtë qasje duhet ndryshuar domosdo në të ardhmen me një bashkëpunim më transparent, joelitar si po tentohet të instalohet, pasi është fjala për një popull dhe një kulturë të lashtë, dhunshëm të ndarë", ka thënë Vokshi. Sipas tij, nuk ka asnjë arsye që bashkëpunimet nuk kanë shkuar si duhet, pasi, siç ka thënë ai më tej, nuk mundet të ketë kurrfarë pengese serioze për të ngadalësuar thellimin e këtyre bashkëpunimeve, pos atyre që vetë ne i krijojmë, që është produkt i punës së papërgjegjshme që po e bëjnë elitat kulturore të dy shteteve tona, që dikur ishte ëndërr e gjeneratave më të vjetra, posaçërisht neve në Kosovë. "Shpesh përmendet mungesa e fondeve buxhetore, që janë arsyetime të paqëndrueshme, në thelb qëndron respektimi i aspektit kombëtar të së njëjtës qenie kulturore që nuk mund të kontestohet nga askush", ka pohuar ai.

Të nxiten bashkëpunimet

Edhe shkrimtari Ismet Tahiraj ka thënë se këto bashkëpunime po shkojnë drejt zbehjes. Ai ka kujtuar edhe bashkëpunim vjetor të Lidhjes së Shkrimtarëve me bashkësinë e Kukësit. Ai ka thënë se duhet një bashkëpunim me Tiranën zyrtare në të gjitha lëmenjtë e kulturës, duke u nisur nga arsimi, shkenca dhe mjekësia e deri te krijuesit e të gjitha fushave që të jetë një jetë më e bujshme në gjithë shqiptarinë. "Derisa ngecin mekanizmat ndërshtetërorë, përvoja individuale e çon në vobektësi ekstreme këtë bashkëpunim ndërshqiptar, andaj duhet të marrin hapa konkretë vetë të rinjtë në forumet e tyre zyrtare dhe me punë jo dosido, po me kualitet të lartë në mënyrë që të begatohet jeta e dyanshme", ka thënë Tahiraj. Kurse Avni Rudaku, njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë se bashkëpunimet mund të nxiten edhe më shumë me zëvendësministrat kosovarë në Qeverinë "Rama", nëse nuk është bërë kjo prurje me baza kozmetike. "Bashkëpunimi dhe kalendarët e përbashkët janë një lloj ure komunikuese, por jo intensive sa do të mund të bëhej. Librat te njëritjetri qarkullojnë pak; shfaqjet në ndonjë festival më të rrallë vjetor, etj. Tash janë kushtet dukshëm më të mira, por akoma është më shumë kozmetik dhe jointensiv, dinamik, strukturor dhe konsistent", ka thënë Rudaku për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)