Filmat që duhet t'i shikoni para se të mbarojë viti 2017

  • 23 November 2017 - 17:49
Filmat që duhet t'i shikoni para se të mbarojë viti 2017

Sivjet kemi pasur disa filma që kanë arritur të kenë fitime deri në 1 miliard dollarë. Ka pasur edhe filma që kanë dështuar, por për ta në një rast tjetër. Ja cilët janë filmat që gjithsesi duhet t'i shikoni para se të përfundojë ky vit.

"It"

Image

Çdo vit në "Box Office" shohim shumë filma horror, që tentojnë të arrijnë fitime të majme. Mirëpo, sivjet, 'trajlerët' e filmit "It" e katapultuan atë në lartësi të paparapara nga ndokush. Nëse jeni të varur nga filmat e tmerrit dhe ka kohë që nuk e keni marrë dozën tuaj të frikës, atëherë shikojeni këtë film. Nuk do të mbeteni të zhgënjyer. Filmi "origjinal", i cili doli 27 vjet më parë, ishte favorit në mesin e fansave të filmave horror dhe shumë prej tyre donin të shihnin se si do të dukej versioni modern i këtij filmi. Me një buxhet prej 685 milionë dollarësh, u bë një film i cili iu pëlqeu si kritikëve, po ashtu edhe shikuesve. Pritet që, në shtator të vitit 2019, të dalë pjesa tjetër e këtij filmi.

"Star Wars: Episode VIII - The Last Jedi"

Image

A ka ndonjë film në vitin 2017 që është pritur më shumë sesa "Star Wars"? Qyshkur e bleu të drejtën mbi këtë franshizë, "Disney" ia ka dalë që të na sjellë shumë filma të suksesshëm. Edhe pse vazhdimi paraprak i kësaj franshize, "Rogue One", nuk ishte episod standard, fansat megjithatë e mirëpritën edhe atë. Episodi VIII pritet që të lëshohet në dhjetor dhe, hiç pa dyshim, ky film do të sigurojë fitime të mëdha. Pa marrë parasysh sa shumë kritika mori Episodi VII nga fansat, të cilët kurrë nuk janë të kënaqur, ai bëri një punë të mrekullueshme në përgatitjen e terrenit për disa gjëra të ndryshme të cilat do të zbulohen gjatë dy episodeve në vazhdim. Ende e kemi vështirë që t'i njohim disa personazhe që u sollën në "The Force Awakens", prandaj "The Last Jedi" pritet që t'i zhvillojë këto personazhe edhe më shumë.

"Wonder Woman"

Image

"DCEU" pati një fillim të tmerrshëm dhe u desh shkëlqimi i Patty Jenkinsit dhe bukuria dhe talenti i Gal Gadotit që përfundimisht të përmirësohej situata. Fansat ishin skeptikë rreth filmit "Wonder Woman" para se ai të shfaqej dhe, është vështirë t'i fajësosh ata për një gjë të tillë. Pas dështimeve të tilla, si "Batman v Superman" dhe "Suicide Squad", kishte pak arsye për të besuar që "DCEU" do të dilte me ndonjë film cilësor. Por, sapo "Wonder Woman" filloi të shfaqej në kinema, tërë dyshimet u larguan. Që nga fillimi e deri në fund, ky është një film fantastik, njëri ndër më të mirët e vitit. Nga njëra skenë te tjetra, filmi "Wonder Woman" preku 'telat' e duhur dhe u bë një kolos sa iu përket fitimeve në "Box Office".

"Baby Driver"

Image

 "Baby Driver" është një film i cili prezanton stuhinë e vërtetë në Hollivud. Jo vetëm që ka një ekip të veçantë aktorësh dhe një regjisor të talentuar, filmi kishte një skenar mirë të shkruar dhe ishte lëshuar në fillim të verës. Edhe pse kjo kohë e vitit bën që shumë filma të harrohen, "Baby Driver" ia doli që ta gjente vendin e tij në "Box Office", duke fituar një sasi të madhe parash. Dukej sikur kritikëve iu pëlqente ky film, meqë ai mori ca kritika me të vërtetë të mira. Edhe pse këtë verë dominuan super-heronjtë, "Baby Driver" megjithatë ia doli që të fitonte 126 milionë dollarë, falë kritikave, por edhe falë fjalëve të mira të atyre që e kishin parë filmin.

"Coco"

Image

Si ka mundësi që një film, i cili nuk është lëshuar në SHBA, të gjendet në këtë listë? Kjo është e thjeshtë. "Disney" dhe "Pixar" kanë një histori të prodhimit të filmave kualitativë të animuar dhe çdo lëshim i tyre nuk ka gjasa që të dështojë. Për ta dëshmuar këtë, nuk keni nevojë që të shikoni më tutje sesa fitimet e filmit "Coco" që ka pasur në Meksikë. Deri më tani, "Coco" është filmi me fitimet më të mëdha të të gjitha kohëve në Meksikë, jo vetëm në mesin e filmave të animuar. Ai ka marrë edhe disa prej kritikave më të mira. Për këtë shkak mund të themi se "Coco" është një film i cili duhet të shikohet.

"Logan"

Image

Nuk ndodh shpesh që një film me superheronj t'i bëjë shikuesit të përjetojnë të gjitha emocionet e mundshme, e në anën tjetër janë të paktë ata filma me superheronj që janë shfaqur aq gjatë dhe me aq mjeshtëri sa "Wolverine". Në fushën e filmave të zhanrit "liveaction", Hugh Jackman është aktori i vetëm që ka luajtur ndonjëherë rolin e Wolverine-it dhe kur u bë e ditur se hera e fundit që ai do të paraqitet me këtë personazh, do të jetë në filmin "Logan", fansat e vërtetë bënë turr në kinema, për ta parë një film unik duke marrë fund. Jo vetëm që Jackman solli edhe një herë një performancë kulmore, por edhe filmi, si tërësi, ishte i mrekullueshëm që nga fillimi e deri në fund. Fitimet e këtij filmi pritet që të jenë rreth 616 milionë dollarë, duke e bërë "Logan"-in sukses si sa i përket kritikës, po ashtu edhe shikueshmërisë.

(Kosova Sot)