Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri së shpejti do t'i nënshtrohet restaurimit

  • 20 March 2018 - 14:59
Shtëpia muze e vëllezërve Frashëri së shpejti do t'i nënshtrohet restaurimit

S htëpia muze e vëllezërve Frashëri monument kulture i kategorisë I, e ndodhur në hyrje të fshatit me të njëjtin emër, në qytetin e Përmetit, do t'i nënshtrohet së shpejti restaurimit. Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës ishin në Frashër për të kryer një inspektim në këtë banesë. Sipas tyre, sot, objekti shfaq nevojën për ndërhyrje restauruese në strukturë, sepse paraqet disa problematika në konstruksionin e çatisë si dhe janë evidentuar çarje në muraturën perimetrale. Po ashtu është i nevojshëm restaurimi i elementëve arkitektonikë të brendshëm, si: ndërkatet e drurit, shkallët, dyert dhe dritaret, bën të ditur Instituti i Monumenteve të Kulturës. Gjithashtu, terreni përreth banesës, brenda rrethimit, duhet t'i nënshtrohet ndërhyrjeve rehabilituese të përgjithshme. Në shumë nga dhomat e ekspozimit ruhen ekspozitorët dhe stendat e projektuara gjatë kohës kur banesa u rikonceptua si shtëpi-muze. Specialistët shprehen se mobilimi duhet t'i nënshtrohet një procesi restaurimi së bashku me maketin e fshatit Frashër, që ndodhet në një nga dhomat e katit përdhes. Kjo shtëpi muze në vitin 1974 është ndërtuar mbi rrënojat e banesës së vjetër të shkatërruar. 

(Kosova Sot)