Rrëfimi për gangsterët e epokës sovjetike - Kulturë - Kosova Sot
Rrëfimi për gangsterët e epokës sovjetike

Rrëfimi për gangsterët e epokës sovjetike

KRITIKË E LIBRIT "THE VORY: RUSSIA'S SUPER MAFIA", TË AUTORIT MARK GALEOTTI  

Disidentët bojkotonin qeverinë për shkak të idealizmit liberal

SHKRUAN: OLIVER BULLOUGH

Një herë kam takuar një ishdisident, i cili kishte kaluar tetë vjet mjerimi në një kamp sovjetik të punës. Derisa ishte atje, ai ishte infektuar nga tuberkulozi dhe kishte përfunduar në një qendër izolimi, në një burg brenda burgut - një vend të rrezikut dhe pisllëkut të madh edhe sipas standardeve të atëhershme sovjetike. Kirill ishte moskovit, intelektual dhe çifut, që të gjitha këto karakteristika që mund t'i bënin gardianët e burgut dhe lolot e tyre që ta trajtonin atë ndryshe. Por, atij iu shpëtua jeta nga nuk e priste fare. Një mbret rus i drogës, po ashtu i burgosur, i ofroi atij mbrojtje, në këmbim të shoqërimit dhe luajtjes shah. Nuk e teprojmë nëse themi se mbrojtja nga ky hajn ia shpëtoi jetën Kirill'it dhe se ai ishte intriguar rreth motiveve të shpëtuesit të tij. Ata zor se mund të ishin më të ndryshëm, por e kishin të përbashkët një parim: refuzonin që të bashkëpunonin me qeverinë sovjetike. Disidentët bojkotonin qeverinë për shkak të idealizmit liberal, derisa hajnat për shkak të traditës antike të tyre. Ata e konsideronin veten të ndershëm dhe se bota ishte ajo që ishte e shtrembër. Ata fitonin atë që kishin me grushte dhe shkathtësi: nuk kishin kohë për hajdutët me uniforma, të cilët e përdornin ligjin për dobi të vete. 

GULAGËT E PAPREKSHËM

Rrëfimi i Kirill-it ishte hyrja, prezantimi im me nëntokën e Rusisë, të cilën Mark Galeotti e përshkruan në mënyrë të shkëlqyeshme në librin e tij "The Vory", historinë e tij të kriminelëve rusë që nga shekulli XVIII e deri në ditët tona. Hajnat janë të përfshirë me një vello të mitologjizimit në Rusi, njësoj sikur edhe mafiozët në filmat amerikanë. Galeotti depërton nëpërmes këtyre legjendave, për të arritur deri te storja reale. Hajnat u paraqitën në kohët cariste, por ishin kampet sovjetike ato që ndikuan në formimin e subkulturës së tyre, ku kësaj gjëje Galeotti i referohet si "arkipelag i gangsterëve', ku mafiozët nga i gjithë vendi njoftoheshin me njëri-tjetrin, duke këmbyer metodat dhe kontaktet e tyre. Gjatë epokës së Stalinit, në gulagë, ata ishin të paprekshëm, tepër të fuqishëm për rojat e burgut. Rrëfimi i Galeotti't rreth asaj se çka ndodhë më pas, nuk e konfirmon idenë e Kirill'it si protodisidentë. Pas vdekjes së Stalinit u liruan shumica e të burgosurve në kampe, meqë autoritetet donin që të përqendroheshin më shumë te liderët e bandave. Bashkëpunëtorët - apo 'laviret' - ishin fuqizuar për përndjekjen e tyre, gjë që e bënin me paragjykime ekstreme. Miku i Kirill'it ka të ngjarë që të ketë qenë një përjashtim i rrallë, meqë ishin të paktë hajnat që ende jetonin sipas 'kodit' në fund të viteve 1970. Në momentin e përfundimit të epokës sovjetike, bota kriminale dhe shërbimet e sigurisë ishin përzier midis veti. 

NDIKIMI I OLIGARKËVE

Pasi që hajnat hoqën dorë nga kodi i tyre i nderit dhe sigurimsat pushuan së shtiruri si të ndershëm, kjo u bë një lidhje me përfitim të dyanshëm, me pasoja të rëndësishme për atë që do të bëhej Rusia në të ardhmen. Veprimtaria e hajnave e kompensoi dështimin e ekonomisë sovjetike dhe rrjetet, lidhjet e tyre, ua mundësuan pjesëtarëve të KGB-së që të bëheshin të pasur. Pas kolapsit të vitit 1991, vetëm dy grupe kishin vetëbesimin dhe kontaktet për ta shfrytëzuar rastin: hajnat dhe sigurimsat, dhe, gradualisht, filloi që të zbehej kufiri midis tyre. "Diku kah fillimi i shekullit XXI, hajnat 'shtetndërtues' dhe burrështetasit e kriminalizuar u takuan në gjysmë të udhës", shkruan Galeotti. "Nën Putinin, valuta reale nuk është rubla, por fuqia politike". Në kohët sovjetike, autoritetet i përdornin hajnat për nevojat e veta, për furnizim me alkool dhe me mallra deficitare. Tani Kremlini mbështetet te hajnat për role shumë më të rëndë- sishme. Hakerët të cilët sulmuan zgjedhjet presidenciale amerikane janë hajna me kostum të ri: duke qenë një ditë patriotë, në shërbim të atdheut, e të nesërmen vjedhës të kartelave të kredisë. Njerëzit të cilët shkatërruan qeverisjen ukrainase në Krime, sapo u sigurua kontrolli rus, iu kthyen punës së tyre të rëndomtë - haraçit. Libri i Galeottit ofron dëshmi të reja të Rusisë si kleptokraci. Ai e sheh Rusinë si një vend ku nuk ka ndonjë dallim të qartë midis krimit, politikës dhe organeve të zbatimit të ligjit. Që të tria janë version i njëra-tjetrës, ku individët luajnë role të ndryshme, varësisht nga kërkesat e momentit. "The Vory" është një libër aktual, i lexueshëm dhe i rëndësishëm për këdo që mendon ta kufizojë ndikimin rus në Perëndim dhe për ta ndëshkuar udhëheqjen ruse për krimet e saja. Në kapitullin e fundit, Galeotti citon një mik rus, i cili e pyet: "Pse ju, në Britani, e urreni mafinë tonë në Rusi, por e doni atë në vendin tuaj?" Në një kohë kur ministra britanikë kanë denoncuar ndikimin e oligarkëve, duke treguar sesi partia e tyre ka marrë me qindra mijëra funte nga oligarkët, kjo është një pyetje me rëndësi. Nuk ka më nder në mesin e hajnave rusë dhe ne duhet që sa më parë ta kuptojmë këtë gjë.

Titulli i librit: "The Vory: Russia's Super Mafia", shkruar nga Mark Galeotti Botues: "Yale University Press" (çmimi 20 funte).  

(Kosova Sot)

1 orë e 49 minuta më parë
26/04/18