Ed Sheeran dhe Kendrick Lamar, me gjashtë shpërblime "Billboard" secili

  • 22 May 2018 - 15:51
Ed Sheeran dhe Kendrick Lamar, me gjashtë shpërblime

Kelly Clarkson, Janet Jackson dhe "Chainsmokers" ishin ndër ata që mbajtën fjalime energjike me rastin e ndarjes së çmimeve muzikore vjetore

E d Sheeran dhe Kendrick Lamar ishin ndër fituesit më të mëdhenj me rastin e ndarjes së çmimeve muzikore "Billboard", me gjashtë shpërblime secili. Sheeran triumfoi në disa prej kategorive më prestigjioze, duke përfshirë atë të artistit kryesor dhe artistit kryesor mashkull, derisa Lamar fitoi në tri kategori të repit - artistit rep, artistit mashkull rep dhe albumi rep - plus dy shpërblime "song streaming", pas suksesit të madh të singllit të tij, "Humble".

Taylor Swift mori dy çmime të mëdha

Për dallim nga çmimet "Grammy" ose "Brit", të cilat votohen nga muzikantët e tjerë dhe figurat e industrisë së muzikës, çmimet "Billboard" bazohen te popullariteti: fitoret dhe nominimet përcaktohen duke u bazuar në disa masa, duke përfshirë shitjet, transmetimet, si dhe ndërveprimet me mediet sociale. Taylor Swift mori dy çmime të mëdha: top artistja femër, si dhe albumin me shitjen më të madhe, për "Reputation". Grupi i rokut, "Imagine Dragons" mori katër shpërblime, derisa dueti valltar "Chainsmokers" tri.

Fjalimi prekës

Shpërblimin e tyre "top dance/electronic act" ata ia dedikuan producentit dhe DJ suedez Avicii, i cili bëri vetëvrasje në fillim të vitit. Me këtë rast ata mbajtën një fjalim prekës. Një fjalim tjetër të dalluar bëri edhe Janet Jackson, e cila aludoi te lëvizja "#MeToo" derisa mori shpërblimin e saj "Icon". Prezantuesja Kelly Clarkson, e cila e hapi shoun, thirri të pranishmit që të mbanin një minutë heshtje, për nder të viktimave të rëna në shkollën në Santa Fe të Teksasit, ditë më parë. 

(Kosova Sot)